5 Qershor, 2019

Pyetje reflektive: Për ju që ende nuk keni filluar të punoni për arritjen e qëllimeve

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Edhe ndodh! Shpesh rrëmbehemi nga projekte të reja, probleme apo sfida të paparashikuara dhe nuk gjejmë kohën apo mundësitë e duhura për të punuar për arritjen e qëllimeve tona.

Kështu do të mendonin shumica.. por në të vërtetë unë nuk mendoj kështu! Sado sfida apo projekte të reja të kemi, gjithmonë mund të gjejmë kohë për të bërë diçka që VËRTET duam ta bëjmë!

Gjithçka tjetër që ndërhyn në rrugën tonë  e përdorim si justifikim.

Nuk mund të lejojmë që situatat e paparashikuara të na pengojnë në planet tona. Situatat më emergjente me të cilat përballemi janë ato shëndetësore dhe këto janë të justifikueshme. Por gjithçka tjetër mund të na shërbejë si barrierë, justifikim apo thjesht si një situatë tjetër në jetën tonë e cila nuk do të na pengojë të arrijmë qëllimet që i vumë vetes.

Rruga më e duhur për të dalë nga ky qerthull justifikimesh është të vlerësoni se deri në çfarë mase ju kanë penguar situatat në jetën tuaj në arritjen e qëllimeve (që nuk i keni arritur ende)?

Për t’ju orientuar, po ju sugjeroj disa pyetje që mund t’ja bëni vetes:

  • Cilat ishin qëllimet që doja të arrija në fund të vitit dhe a dua t’i arrij tani?
  • A kam patur mjaftueshëm kohë që nga fillimi i vitit dhe deri tani që të arrij të paktën 50% të qëllimeve që vendosa në Janar?
  • A do të mund t’i kisha arritur qëllimet e mia nëse do të kisha punuar për to të paktën 1-2 orë në ditë?
  • Çfarë projekti / situate më ka marrë më shumë kohë se ç’duhej (kohë që mund ta përdorja për të arritur qëllimet e mia)?
  • Si do ta kisha shpenzuar / investuar kohën time nëse do të kthehesha prapë në Janar në këto momente? Çfarë do të bëja ndryshe?

Pasi t’u jeni përgjigjur këtyre pyetjeve, reflektoni me veten dhe shkruani se çfarë duhej të kishit bërë më mirë për të arritur qëllimet tuaja. Por, mos e kritikoni apo fajësoni veten. Ne jemi skllevër të trurit tonë i cili duhet të disiplinohet në mënyrë që të punojë në mënyrë konsistente për arritjen e qëllimeve. Fakti që nuk mundëm t’i arrinim qëllimet tona nuk do të thotë që ne kemi dështuar apo që nuk kemi më mundësi të rifitojmë kohën e humbur. Aspak!

Ju sugjeroj që pasi të përfundoni këtë ushtrim, të lexoni artikullin “Si të vendosim objektiva në mes të vitit”.

Nëse qëllimet tuaja nuk janë më të njëjtat si në fillim të vitit, atëherë ju duhet të krijoni qëllime të reja. Këto objektiva mund t’i planifikoni që t’i arrini deri në fund të vitit apo për një periudhë më të gjatë. Mund të lexoni artikullin “Ende pa objektiva” dhe të mësoni sesi të vendosni objektivat e reja.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *