5 Qershor, 2019

Si të vendosim objektiva në mes të vitit (Teknika “Një Objektivë”)

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Me çfarë jeni duke u marrë tani?

Të gjithë e kemi një projekt të rëndësishëm në duar, qoftë kjo puna jonë, rritja e fëmijës, një projekt jashtë pune, përfundimi i shkollës me rezultate të mira, e të tjera.

Nëse ndiheni mirë në këtë projekt, objektivi kryesor do të ishte që ju t’i shtonit vlerë duke e përmirësuar performancën tuaj dhe rrjedhimisht kjo do ta bëjë projektin më të suksesshëm.

Në këtë periudhë të vitit mund të mësojmë sesi të përmirësohemi në atë që po bëjmë për momentin dhe kjo të kthehet në qëllimin tonë për këtë vit, ose të krijojmë një qëllim të ri dhe të fillojmë të punojmë për arritjen e tij.

Teknika “Një Objektivë”

Sigurisht, çdo ditë është një shans i ri për t’ja nisur nga e para por disa objektiva kanë limitet e tyre kohore të cilave duhet t’u përshtatemi.

Nëse doni të arrini diçka të rëndësishme deri në fund të këtij viti, ju sugjeroj që të përdorni teknikën “Një Objektivë”.

Në librin “The One Thing”, autori Gary Keller shpjegon eksperiencën e tij të vërtetë në aplikimin e rregullit të njëshit: bëj një listë me objektivat që do të arrish dhe shkurtoje këtë listë në një objektivë të rëndësishme, arritja e së cilës do të përmirësojë apo vlen më shumë se objektivat e tjera në listë.

Vendosja e një qëllimi kryesor do t’ju ndihmojë të fokusoheni dhe të filloni punën për ta realizuar atë. Pasi të keni përcaktuar objektivin tuaj për këtë vit, shkruani të gjitha metodat, mjetet dhe personat që mund t’ju ndihmojnë apo duhen për të arritur atë qëllim.

Cila është ajo objektivë, ai projekt apo ndryshim në jetën tuaj i cili do të përmirësonte disa aspekte të jetës suaj apo është më i rëndësishëm dhe prioritar në krahasim me objektivat e tjera?

Këtë pyetje mund t’ja bëni vetes për të vendosur objektiva për të cilat duhet më shumë kohë se 5 muajt e mbetur të vitit.

Punoni me veten

Një element tjetër i rëndësishëm që do t’ju ndihmojë të arrini qëllimin tuaj është puna që duhet të bëni me veten.

Nëse doni që projekti juaj të jetë më i suksesshëm në fund të vitit, filloni të mësoni sesi të punoni në mënyrë të disiplinuar, mësoni më shumë rreth fushës ku punoni, dhe mësoni sesi të jeni të përkushtuar çdo ditë. Ndryshimi fillon nga mendësia juaj, asnjëherë mos e harroni këtë element.

Të gjithë mund të mësojmë sesi të bëhemi profesionistë më të mirë, studentë më të mirë, prindër më të mirë, partnerë më të mirë. Mjafton të lexoni një artikull ose të shikoni një video në internet mbi temën që ju intereson. Mund të mendoni se kjo nuk do të sjellë ndryshim por unë jua sugjeroj një praktikë të tillë sepse do të merrni informacione të reja të cilat do t’ju bëjnë të reflektoni dhe mbase të ndryshoni mënyrën e të menduarit.

Asnjëherë nuk jeni vonë të ndryshoni kursin e jetës suaj, edhe pse në sasi të vogël. Çdo ndryshim sjell pasojat e veta në jetën tuaj dhe përmirësimi sigurisht që sjell rezultatet e veta pozitive.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *