5 Qershor, 2019

Koncepti i shëndetit holistik – çfarë nënkupton dhe si ta praktikojmë

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Unë shpesh e quaj trupin tim “tempull”, performanca e të cilit ndikon në të gjitha aspektet e jetës time.

Ne e kuptojmë të gjithë se sa e rëndësishme është të kesh një shëndet të mirë, por shkojmë tek doktori vetëm kur fillojnë dhimbjet apo simptomat e një sëmundjeje.

Por trupi ka nevojë për kujdesje të vazhdueshme dhe të qëllimshme. Dhe me fjalën ‘trup’ nuk nënkuptoj vetëm mbarëvajtjen e organeve të brendshme por po flas për të gjitha dimensionet e tij.

Trupi ynë ka katër dimensione: atë fizik, emocional, shpirtëror dhe mental.

E keni vënë re që kur marrim apo dëgjojmë një lajm negativ apo një informacion që na ngjall ndjenjat e dhembshurisë, përshtirës apo frikës, i gjithë trupi ynë reagon menjëherë… humori ynë bie, trupi mund edhe të na dridhet apo të mbulohet me djersë, nuk ndihemi mirë fizikisht, emocionet bëhen negative… Janë 4 dimensionet tona që po përgjigjen përnjëherësh. Janë këto të katër dimensione që janë prekur nga informacioni dhe po reagojnë.

Jemi qenie disadimensionale dhe kemi një trup holistik. Prandaj është shumë e rëndësishme që ta shohim shëndetin tonë në mënyrë holistike (shpirt, mendje, emocione, trup fizik).

Në neësletter-in e kaluar, ne folëm për lidhjen e trurit me trupin dhe sipas studiesve, nuk ka më kuptim ta studiojmë trupin fizik të ndarë nga truri sepse janë ngushtësisht të lidhur me njëri-tjetrin.

Shkencëtarët po vërtetojnë gjithashtu lidhjen e ndërsjelltë të sistemit tonë emocional me trupin dhe trurin – sesi emocionet na krijojnë simptoma fizike dhe sesi simptomat fizike reagojnë nëpërmjet emocioneve.

Përfundime të tilla janë të mjaftueshme për t’u bindur që ne duhet të tregojmë kujdes të vazhdueshëm për emocionet që ndjejmë (duke i vëzhguar, duke u gjetur shkakun dhe duke u përpjekur që të përjetojmë sa më shumë emocione pozitive – për shembull, duke eliminuar të shikuarit e kronikës së zezë në TV), duhet të ushqejmë vazhdimisht botën tonë shpirtërore (duke u afruar me atë besim apo doktrinë që na bën të ndihemi mirë, të plotësuar dhe që na jep shpresë për të ardhmen), duhet të kujdesemi për trupin tonë fizik (duke u kujdesur për ushqimet që konsumojmë përditë, duke njohur trupin tonë nëpërmjet vizitave mjekësore, duke shëruar simptomat dhe duke parandaluar sëmundjet), si dhe duhet t’i kushtojmë një rëndësi të madhe shëndetit tonë mendor (duke eliminuar stresin, ankthin dhe duke identifikuar shkaktarët e stresit).

Ne mund t’i dijmë të gjitha këto informacione, por nuk i vëmë asnjëherë në praktikë. Kjo nuk ka lidhje me inteligjencën konjitive por me vetëdijen e ulët që mund të kemi për shëndetin. Jetojmë në një shoqëri që është jo mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar rëndësinë e shëndetit dhe mënyrat për parandalimin e sëmundjeve, por tani është koha të përqafojmë një mënyrë të re jetese ku ne të kujdesemi qëllimisht për trupin tonë në të gjitha dimensionet.

Ne duhet të kujdesemi për trupin tonë çdo ditë sepse është ‘shtëpia’ në të cilën duhet të jetojmë gjatë gjithë jetës.

Kujdesuni për trupin tuaj duke marrë parasysh të gjitha dimensionet, mos neglizhoni asnjë aspekt!

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *