4 Dimensionet e njeriut: Vështrim holistik

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Sa dimensione kemi ne si qenie njerëzore? Dhe këtu nuk po flas për nivelet e koshiencës. Kur për herë të parë dëgjova se funksionojmë në katër dimensione, rashë në mendime. Dhe fillova të kuptoj që funksionojmë në dimension:

  • Fizik
  • Mental
  • Emocional
  • Spiritual

A – Kur flas për dimension fizik kam parasysh trupin tonë fizik, ashtu siç e njohim ne dhe këto nevoja lidhen me ushqimin, ujë dhe oksigjen, ushtrime fizike si dhe vitamina apo minerale që i marrim nga ushqimi apo suplementet.

B – Në dimension emocional (bota jonë e brendshme shpirtërorë) kemi nevojë për të (i) njohur emocionet tona dhe t’i quajmë me emrin e duhur (në pjesën më të madhe ne përdorim emërtime jo të sakta; (ii) t’i shprehur si duhet ato; (iii) qenë vetvetja edhe pse shpesh herë dalim prej saj, dhe në pjesën më të madhe të rasteve duke fajësuar të tjerët; (iv) falur veten dhe të tjerët edhe pse kjo është një sfidë reale për këdo; (v) kuptuar shkakun e emocioneve dhe si të shprehemi në mënyrën e duhur (që na shërben ne dhe të tjerëve), etj. Nuk do ta ekzagjëroja po të thoja që 90% e sfidave shëndetësore dhe sëmundjeve kanë si bazë aspektin emocional, i cili krijon atë që tashmë është kryefjalë në bisedat tona të përditshme: “stresi”.

C – Trupi mental ka nevojë të zhvillohet nëpërmjet arsimimit, punës, përdorimit të imagjinatës apo vizualizimit; të gjenerojë mendime pozitive dhe të praktikojë vazhdimisht “muskujt” e mendjes. Mendja ka një aktivitet të lartë 24/7 dhe kjo është arsyeja që meditimi ndihmon në shplodhjen dhe qetësimin e saj; qartësimin; fokusin për të arritur qëllimet dhe objektivat që i vëmë vetes.

D – Trupi shpirtëror apo shpirti ka nevojë për një kujdesje dhe ushqim krejtësisht ndryshe nga trupi fizik apo mental. Ai ka nevojë për t’u lidhur me krijuesin apo burimin (çfarëdo emri që ju mund ta quani) nëpërmjet lutjes apo faljes; lartësohet kur ne i shërbejmë njerëzimit (kontributi për të tjerët dhe botën që na rrethon është një nga elementët e rëndësishëm të qenies njerëzore, për t’u rritur dhe zhvilluar). Gjithashtu, shpirti ushqehet me dashuri dhe mirësi dhe kjo është arsyeja pse ne ndihemi mirë kur ndodhemi pranë natyrës, dëgjojmë muzikë apo shohim një vepër arti pasi aty ndjejmë dashurinë e shprehur në art nga çdo artist.

Kur të gjitha këto dimensione kordinojnë dhe janë në harmoni me njëra tjetrën, ne ndihemi në pikën tonë më të lartë të performancës, si në jetën personale edhe atë profesionale. Që të jemi të shëndetshëm dhe në harmoni me veten dhe të tjerët, duhet që të kujdesemi në mënyrë holistike për të gjitha dimensionet tona: fizike, mentale, emocionale dhe shpirtërore. Nëse dikush mendon që i di këto gjëra, do ta ftoja të lexonte paragrafin që vijon:

“Ka një diferencë të madhe midis faktit që di diçka dhe e bën atë”. Populli e ka thënë në mënyrë të thjeshtë:” Midis të thënës dhe të bërit ka një det të tërë”. Nëse dijmë diçka dhe nuk e vëmë në jetë, jemi në një anë të bregut dhe duam të dalim në anën tjetër. Anija jemi ne.

Le ta sfidojmë veten me një koncept të ri që shëndeti nuk është vetëm trupi fizik. Kujdesuni në mënyrë holistike për veten dhe të jeni të sigurt që do t’jua shpërblejë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *