5 Qershor, 2019

Zhvillimi personal – Përkufizim me fjalët e mia

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Shpesh, individë me të cilët punoj apo të tjerë më pyesin rreth përkufizimit që mund t’i bëhet disiplinës ‘zhvillim personal’. Do të doja t’ju ofroj këndvështrimin tim mbi këtë koncept, me shpresë se do të arrini të kapni thelbin dhe misionin e kësaj disipline.

Zhvillimi personal ka të bëjë me rritjen tënde, se çfarë ti do të bësh me veten tënde. Në përgjithësi njerëzit nuk e kanë të qartë, nuk kanë qartësi se çfarë duan të bëjnë në jetë dhe mua më qëllon shpesh kur filloj seancat e coaching dhe njerëzit shprehin interes për të punuar me një kategori të caktuar, unë fillimisht u bëj pyetjen “çfarë beson ti në lidhje me këtë kategori?” dhe nuk dijnë të japin përgjigje. Këta mund të jenë njerëz që mund të jenë shumë të arsimuar, të kulturuar dhe të kuruar.

Kjo ndodh sepse ne nuk e kemi trajnuar asnjëherë veten që t’i bëjmë pyetje vetes dhe kjo është pjesa më e vështirë. Ne synojmë të ndryshojmë gjithçka jashtë nesh dhe jemi shumë rezistentë për të ndryshuar veten tonë.. por transformimi fillon tek vetja jonë. Më kujtohet një shprehje e bukur e Sokratit i cili thotë, “në jetë ne nuk marrim atë çfarë duam por ajo që ne bëhemi”. Që ti të bëhesh diçka, duhet të punosh shumë me veten. Është një proçes (i vazhdueshëm). Zig Ziglar ka një shprehje shumë të bukur; “Zhvillimi personal është si puna e dushit; nuk mund ta bësh sot dhe të të shërbejë për gjithë jetën” – është diçka që duhet ta bësh në mënyrë të vazhdueshme. Bëhet stili yt i jetesës.

Në një moment të caktuar duket sikur ka shumë punë dhe në fakt kjo kërkon shumë punë.

Në momentin që ne arsimohemi, duhen vite të tëra që të arsimohemi dhe të diplomohemi. Kështu ndodh edhe me rritjen e një fëmije. Më kujtohet një shprehje shumë e bukur e gjyshes e cila thoshte që “të rrisësh një fëmijë është si të hapësh një pus me gjilpërë”- është punë e vështirë, por ne e bëjmë këtë angazhim.

Kështu është edhe zhvillimi personal, kërkon angazhimin tënd por ti duhet të jesh shumë i qartë se çfarë do të arrish. Për sa kohë nuk je i qartë do të jesh në një konfuzion dhe kjo gjendje shoqërohet me një stres të vazhdueshëm, ulje të produktivitetit dhe krijimitarisë, shpesh herë heqim dorë apo nuk jemi të motivuar për të bërë gjërat që duam, e të tjera.

A mendon se zhvillimi personal duhet të jetë pjesë e axhendës tënde?

Anila Bashllari

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *