5 Qershor, 2019

Ushtrim: Të njohim / largojmë frikërat tona dhe të dalim nga zona e rehatisë

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Frika krijohet, nuk lind

Si është e mundur që ne përjetojmë kaq shumë frikë? Sa herë gjatë jetës tuaj jeni mbërthyer nga emocionet e frikës? A e vlerësoni dot sesi këto frikëra po drejtojnë apo shkatërrojnë jetën tuaj? A ekziston ndonjë mënyrë për t’i menaxhuar ato? Ose, ndonjë mënyrë për t’i luftuar?

Kur ne lindim, ne nuk kemi frikë nga asgjë deri në momentin që përjetojmë eksperiencat e para me botën dhe fillojmë të mësojmë, të krijojmë modele të të menduari të cilat na shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

 

 

Por në fillimet e para, kur ne lindën, ne nuk dinim asgjë mbi frikën sepse nuk e kishim përjetuar ende. Kur jemi fëmijë, ne përdorim shqisat bazike si dritare kurioziteti për botën që na rrethon. Ne shohim, bërtasim dhe eksplorojmë gjithçka pa ndjerë frikë apo shqetësim sepse nuk kemi asnjë informacion paraprak se çfarë mund të na ndodhë.

Si fëmijë, ne e marrim për të mirëqenë që ne po jetojmë në një ambient të parrezikshëm, të rrethuar nga njerëz që kujdesen për ne dhe plotësojnë nevojat tona. Ne thjesht kemi nevojë të komunikojmë nevojat tona nëpërmjet llojeve të ndryshme të tingujve (duke qarë, qeshur apo bërtitur). A ndihen fëmijët të përqeshur apo të tallur kur bëjnë veprimet e tyre shpesh qesharake? Sigurisht që jo. Sepse fëmijët nuk janë prezantuar ende me këto emocione që të rriturit i kanë bërë pjesë të tyre. Si fëmijë, ne thjesht duam të komunikojmë… dhe duket kaq e thjeshtë pasi shumicën e herëve kemi marrë pikërisht atë që kemi dashur nga prindërit apo të tjerët përreth nesh.

Mbaj mend kur lindi vajza e nipit tim. Ishte pothuajse e pamundur që të largoje vëmendjen nga ajo pasi në një moment apo tjetrin ajo do të lëndohej duke luajtur me diçka. Ishte shumë energjike dhe plot me jetë dhe dukej sikur donte të merrte maksimumin nga çdo moment i jetës. Mrekullohesha kur e shikoja që ishte aq e pafrikësuar në çdo gjë që bënte. Më dukej e pabesueshme! Gjatë asaj periudhe, unë po studioja fiziologjinë dhe sjelljen e njeriut dhe elementi më i shpeshtë që përmendej në tekstet që lexoja ishte FRIKA.

Kjo më bëri që të shoh më me vëmendje mbesën time dhe të kuptoj sesi sillet ndaj ngjarjeve që ne të rriturve mund të na shkaktonin frikë, në çfarë moshe ajo filloi të kuptojë dhe ndjejë frikë, në çfarë intensiteti e përjetonte frikën, e të tjera.

U thellova dhe më tej dhe lexova studime e konkluzione nga psikologë të njohur në këtë fushë. Kjo është një temë shumë komplekse për ta analizuar, aq komplekse sa edhe vetë njeriu. Por, unë modestisht do të mundohem që të shpjegoj fenomenin e frikës bazuar në observiment dhe kërkimet e mia në këtë fushë.

Është e vërtetë që kur lindim, ne nuk kemi frikë për pothuajse asgjë.

Frika është thjesht një emocion. Mund t’i japim ngjyrime të ndryshme si në grafikun e mësipërm, por në thelb mbetet një emocion që shkaktohet nga ngacmues të jashtëm dhe mënyra sesi i përjetojmë ngacmuesit.

 

Si krijohet Rrota e Frikës

Imagjinoni sikur jeni duke ecur në një kopësht zoologjik në një vend të huaj dhe po shijoni ambientin e bukur dhe kafshët që shikoni. Kopështi është kaq i bukur dhe ndërsa ecni, ju ndiheni në paqe dhe pa ndjerë shqetësim. Sapo shkoni tek kafazi i luanit, syri juaj sheh një tigër që ndodhet jashtë kafazit dhe duket konfuz! Gjendja juaj trupore ndryshon në moment.

Zemra juaj fillon të rrahë shpejt dhe duart fillojnë të djerësijnë, ndjen një lëmsh që të mblidhet në fyt dhe në stomak, i gjithë trupi yt dridhet dhe ti je gati të luftosh ose të ikësh me vrap. Kjo lloj gjendjeje fizike përjetohet në shumicën e rasteve kur ne ndjejmë frikëra të ndryshme. Të kesh frikë në momente të tilla është normale dhe njerëzore. Frika është pjesë e historisë sonë të mbijetesës. Qeniet njerëzore kanë mbijetuar për miliona vjet duke u përballur me rrezik dhe frikë. Dhe kjo është në rregull. Të ndjesh frikë është normale përderisa nuk është aq intensive sa të na shkaktojë probleme mendore dhe të shfaqet në sjellje jofuksionale dhe vetë-shkatërruese.

Siç shpjegon dhe Rhonda Britten, secili prej nesh ka Rrotën e Frikës që është formuar nga trashëgimia familjare, sistemi i besimeve tona që ne e krijojmë që në fëmijëri si dhe eksperienca jonë personale.

Ne vazhdojmë të ushqejmë Rrotën e Frikës me faktet e vërtetuara që ne i vëmë re gjatë jetës. Ne e ndihmojmë këtë rrotë që të jetë gjithmonë në lëvizje dhe kështu programohet truri ynë në lidhje me aspektin e frikës. Kjo vazhdon e vazhdon deri në momentin që ne e gjejmë veten të ngecur, pa qenë të aftë që të kemi kontroll mbi vendimet që marrim dhe të ndryshojmë situatën tonë.

Pikërisht në momente të tilla ne fillojmë të fajësojmë gjithçka jashtë nesh, njerëzit  e afërm që nuk na mbështesin mjaftueshëm, politikën, ekonominë, prindërit madje edhe vetë kushtet atmosferike.

 

Kur Rrota e Frikës aktivizohet

Le të supozojmë se jeni ftuar në një aktivitet rrjetëzimi ku do të marrin pjesë individë të rëndësishëm dhe të njohur. Kjo mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për ju dhe biznesin tuaj.

Ti vendos që do të marrësh pjesë dhe ke ide fantastike për lidhje të reja me njerëzit e pranishëm. Në momentin që ti gjendesh aty, ti fillon të ndjesh emocione të ndryshme. Ti fillon të ndihesh jo rehat fizikisht dhe trupi fillon të përjetojë frikëra të refuzimit të mundshëm, frika se mos nuk je mjaftueshëm i mirë, frika se mos je i pavlerë, frika se mos je më i parëndësishëm se të tjerët, e të tjera. Në shumicën e kohës, ne nuk jemi të vetëdijshëm që po i ndjejmë këto frikëra por thjesht ndjejmë parehati fizike dhe shqetësim emocional.

Le të ndalojmë për një moment dhe të marrim frymë thellë disa herë. Kujtoni momentet kur jeni ndjerë kështu. Cili ishte mendimi i parë që ju erdhi në mendje menjëherë? Të largoheni direkt nga ai vend? – Pse ndodh kjo? Sepse tek ju sapo është aktivizuar Rrota e Frikës, e cila përbëhet nga elementët e mëposhtëm:

  • Ngacmues

Në fillim kur ju bëheni pjesë e aktivitetit, ju filloni të ndjeni parehati. E pandërgjegjshmja juaj po pyet “Çfarë duhet të bëj?” “Kë duhet të takoj?” “A do të më flasin njerëzit?” “A jam në nivelin e tyre?” “Kush jam unë që të flas me njerëz të rëndësishëm?” e kështu me rradhë.

Është informacioni që proçesohet në trurin tonë ai që shkakton emocione. Në momentin që ju mendoni të komunikoni me të pranishmit (ngacmuesi), ju filloni të ndjeni frikën e refuzimit (pavarësisht se mbase nuk dini ta emërtoni këtë frikë).

  • Përgjigja e frikës

Në këtë moment fillon të aktivizohet frika tek ju dhe aktivizohet qendra e mbrojtjes në tru që ju shtyn të ndërmerrni një veprim mbrojtës që të shmangni lëndimin tuaj – në këtë rast, që të shmangni refuzimin nga dikush. Frika që ndjejmë mundohet të na mbrojë neve. Ju ndiheni të paralizuar pa patur një ide të qartë se çfarë duhet të bëni. Ju mendoni se gjëja më e mirë që mund të kishit bërë është që të mos kishit ardhur në aktivitet.

Zemra juaj rrah shpesh; stomaku dhe fyti juaj ndihen të bllokuar nga një lëmsh dhe duart tuaja djersijnë në të njëjtën mënyrë sikur të ishit duke u përballur me një kërcënim fizik. Amigdala, qendra që sinjalizon trurin për rreziqet që na kanosen, është përgjegjëse për këtë reagim (kjo qendër ndryshe quhej truri primitiv).

Ju jeni vetëm diku në sallë, duke menduar se të gjithë po ju shohin, po ju gjykojnë dhe po tallen me ju. Ju ndiheni të ngecur, nuk po lëvizni dhe po mendoni se si të tjerët janë më të aftë se ju dhe e kanë më të lehtë të flasin me persona të tjerë.

  • Ndjenja negative

Në vend që të shkoni drejt individëve që doni të takoni, ju lëvizni në drejtimin e kundërt duke i thënë vetes të gjitha justifikimet e mundshme që duhet të largoheni. Për shembull, ju mendoni se është më mirë të largoheni sepse të tjerët mund të ndihen të bezdisur nga prania juaj, që nuk jeni mjaftueshëm të mirë që të jeni pjesë e atij grupi shoqëror, që nuk jeni veshur në mënyrë të përshtatshme, që bisedat tuaja mund të mos jenë fare interesante, e të tjera.

Ti fillon të ndjesh emocione negative dhe përjetoni frikë pothuajse sikur të gjendeshit përballë një ariu në pyll. Rrota juaj e Frikës është aktivizuar dhe po ushqehet nga mendimet dhe besimet tuaja të gabuara.

  • Sjellje Vetë-shkatërruese

Ti dëshiron të zhdukesh menjëherë nga aktiviteti, duke u munduar të shkosh diku në cep të dhomës dhe të mos kontaktosh askënd nga kontaktet prej të cilave mund të përfitosh. Ti e bën këtë me shpresën se herën tjetër do të jesh më aktiv, pa e ditur që po e bën Rrotën e Frikës të rrotullohet më shpejt. Ti preferon të pish diçka që të largosh mendjen nga shqetësimi që po ndjen me qëllim që të shmangësh kontaktin me njerëz që “mund të të refuzojnë”.

Sjellja jote fillon të bëhet vetëshkatërruese dhe mund të marrë forma të ndryshme si konsumimi i alkolit, duhanit, ngrënia e tepërt e ushqimeve, izolimi, e të tjera. Ne të rriturit e quajmë këtë sjellje si PERSONALITET por në fakt nuk mendojmë se nga vjen kjo sjellje. Rrënjët e saj janë frika.

Sa prej nesh kemi qenë të paktën një herë të vetme në situata të ndryshme? Qetësohu pak dhe kujto momente të tilla kur nuk je ndjerë rehat… Mbase jo në një aktivitet rrjetëzimi me njerëz të rëndësishëm por kur je takuar me dikë që të pëlqen, apo gjatë një fjalimi në publik, kur jeni ndjerë në turp në një party, një darkë me miqtë kur ju kanë ngacmuar apo tallur me shaka, e raste të tjera.

Edhe unë i kam përjetuar ndjenja të tilla për shumë vite dhe pavarësisht karrierës, statusit apo paraqitjes time, unë vazhdimisht jam ndjerë në siklet deri në momentin kur kuptova se cilat ishin frikërat e mia dhe si të përballesha me to.

Rrota e Frikës ndizet dhe ngacmohet nga përjetimi që kemi për një fjalë që na thuhet, një vështrim me bisht të syrit, një tingull që dëgjojmë apo shenja të tjera që na bëjnë të largohemi dhe të shmangemi një person, vend apo situatë të caktuar.

Kur Rrota e Frikës drejton jetët tona, ne u përgjigjemi ngacmuesve në mënyrë automatike dhe të pandërgjegjshme me ndjenja negative si frika dhe rrjedhimisht përfundojmë në sjellje vetëshkatërruese. I gjithë ky proçes ndodh në status autopilot dhe nuk jemi të vetëdijshëm që të shohim pasojat e sjelljes tonë.

Kur unë po përballesha dhe po eksploroja frikërat e mia, arrita në konkluzionin se “Frika është vetë shkaku dhe pasoja e mendimeve, ndjenjave dhe veprimeve që na pengojnë neve të pranojmë veten tonë dhe të shfaqim potencialin tonë të plotë.”

Frika dhe zona e rehatisë

Frika luan dy role: të na mbrojë nga dhimbja duke na mbajtur në zonën e rehatisë, zonën me të cilën jemi të familjarizuar dhe të na pengojë që të kemi gjithçka që duam në jetën tonë.

Këto dy role përmenden nga Abraham Maslow në librin e tij “Drejt një Psikologjie të Qënies” ku ai shpjegon se “kjo lloj frike është mbrojtëse në sensin që mbron vetë vlerësimin tënd… Ne kemi tendencën të kemi frikë nga çdo lloj njohurie që mund të na bëjë të na vijë turp nga vetja, ose që na bën të ndihemi inferiorë, të dobët, të pavlerë, të këqinj, të turpëruar… Ne gjithashtu kemi tendencën që të shmangim rritjen tonë personale sepse edhe kjo mund të sjellë një lloj tjetër frike…Kjo është sfida që hasim për kapërcimin e vetes… Kështu që, zbulimi i një talenti mund të sjellë ekzaltim por gjithashtu frikë ndaj rreziqeve dhe përgjegjësive… Momenti i të ndjerit frikë është i kuptueshëm por duhet të tejkalohet.”

Le ta shqyrtojmë këtë aspekt më thellë. Puna e parë e frikës është të na mbrojë ndaj çdo ndjenje negative, të na mbajë të sigurtë brenda zonës së rehatisë – zona ku ne ndihemi të sigurtë dhe të pacënuar. Kur ne ishim fëmijë, zona jonë e rehatisë ishte prehëri i mamasë sonë dhe ne ktheheshim aty sa herë që ndiheshim të kërcënuar apo po kërkonim për rehati.

Gjatë kohës që ne rritemi, ne vazhdojmë të rrijmë në zonën tonë të rehatisë (nëse ju jeni person i turpshëm, çdo herë që ju do të ndiheni të kërcënuar / të ngacmuar që të shfaqeni në publik apo të flisni me persona të tjerë, ju do të preferoni të futeni në gjendjen tuaj të “personit të turpshëm” sepse ajo është zona juaj e rehatisë dhe ju ndiheni më mirë nëse shfaqeni si person i turpshëm sesa të dilni nga zona e rehatisë dhe të shfaqeni përballë të tjerëve. Ju e bëni këtë veprim në mënyrë automatike, edhe pse logjikisht ju e kuptoni që ky veprim ju pengon që të jeni personi që ëndërroni të jeni.

Një nga klientët e mi është person i turpshëm, duke qenë se karakteri i saj është formuar i tillë që në fëmijëri. Ajo ka dëshirë të rritet dhe të bëhet ndryshe, por në shumicën e rasteve ajo preferon të rrijë në zonën e rehatisë si vendi më i mirë ku ajo mund të ndihet e sigurtë.

Na u deshën disa sesione coaching për ta motivuar dhe bindur klienten që të dilte nga zona e rehatisë, të përqafonte zgjidhje dhe alternativa të reja dhe të tendosej duke e zgjeruar zonën e saj të rehatisë deri në kufirin ku “zona e riskut” zëvendësoi zonën e rehatisë.

Qëllimi ynë ishte që klientja të tendosej më shumë, duke e lejuar zonën e rehatisë të zgjerohet deri sa të zëvendësohet nga zona e tendosjes që tani duket si zona e re e rehatisë.

 

Si të dalim nga zona e rehatisë (katër hapa)

 

Zona juaj e rehatisë përbëhet nga të gjitha situatat, gjendjet apo njerëzit që të bëjnë të ndihesh rehat dhe larg rrezikut edhe kur në të vërtetë janë gjendje që mund t’ju bëjnë të ndiheni keq.

Unë di raste kur njerëzit rrijnë në martesa të dështuara, që bëjnë punë që nuk i frymëzojnë dhe përmbushin, persona që gjenden në situata ku ndihen të ofenduar apo kur të tjerët i bëjnë të ndihen të vegjël vetëm sepse kanë frikë të dalin nga kjo zonë rehatie dhe nuk e dijnë se çfarë i pret jashtë kësaj zone.

Njerëz të tillë preferojnë “djallin” që njohin në vend që të eksplorojnë një botë dhe mundësi që nuk i njohin por kanë frikë.

Në mënyrë që të menaxhojmë frikërat tona dhe ta transformojmë atë energji në mëshirë dhe proçes rritjeje për veten tonë, ne kemi nevojë t’i shkojmë në zemër problemit: të zbulojmë çfarë na ngacmon dhe pse përgjigjemi në mënyra të caktuara ndaj ngacmuesve, pse përjetojmë emocione negative dhe çfarë na shtyn drejt zakoneve vetëshkatërruese. Do të ndaj me ju historinë e një prej klienteve të mia të cilën e ndihmova të bjerë në peshë.

 

Si të dilni nga zona e rehatisë: Shembull real

Sara ishte mbipeshë dhe kishte vuajtur për vite me rradhë që të binte në peshë. Kishte provuar mënyra të shumta por deri në momentin që u njohëm, asnjë prej tyre nuk kishte funksionuar (kishte provuar dieta të ndryshme disa herë, kishte shkuar në palestër dhe ishte trajnuar me instruktor personal fitnesi, notonte kur nuk kishte mundësi të shkonte në palestër, e të tjera). Pas shumë përpjekjesh, Sara vendosi që të provonte një mënyrë tjetër, duke vendosur të kontaktojë një coach personal.

Kur jemi takuar për herë të parë, Sara ndihej e pashpresë. Kaluam më shumë se dy orë duke folur rreth fëmijërisë së saj, periudhës së adoleshencës, më pas për karrierën dhe jetën e saj personale. Avash avash, ajo filloi të ndihej më energjike dhe u përfshi në bisedë.

I thashë që ajo nuk kishte nevojë për mua që të binte në peshë por unë mund ta ndihmoja që të identifikonte dhe të largonte barrierat e së shkuarës dhe të krijonte një vizion për të ardhmen nëpërmjet coaching.

Në ditën e parë që ne filluam të punojmë së bashku, unë përdora ushtrimin e “zonës së rehatisë”.

E pyeta Sarën se çfarë bënte rregullisht gjatë ditës dhe së bashku identifikuam  rrethin e “zonës së rehatisë”. Kontrollova se sa do ta kuptonte dhe të bindej nga shprehja “Nëse do të shkosh diku që nuk ke qenë asnjëherë, duhet të bësh diçka që nuk e ke bërë asnjëherë.”

Duke qenë se klientja ime kishte një IQ mbi mesataren, ajo mund të kuptonte menjëherë domethënien e shprehjes por u shpreh se pavarësisht se sa shumë donte që të binte në peshë, nuk mundej dot ta bënte një gjë të tillë.

Ne filluam me seancat e coaching dhe Sara filloi të kuptonte shumë gjëra. Ndër frikërat që ajo kishte, ajo kuptoi që kishte patur gjithmonë frikë se njerëzit nuk do ta donin. Ajo kujtoi kur ishte fëmijë dhe nëna e saj i thoshte vazhdimisht që nëse ajo nuk do të hante ushqimin, nëna e saj nuk do ta donte më Sarën. Herë të tjera, nëna e saj thoshte që Sara duhej të ndihej me fat që kishte bukë për të ngrënë në shtëpi, duke qenë se kishte fëmijë që vdisnin nga uria. Në mënyrë të pandërgjegjshme, Sara fitoi frikën se njerëzit nuk do ta donin (veçanërisht nëna e saj), nëse nuk e hante të gjithë ushqimin në pjatë. Sara filloi të hante gjithmonë e më shumë ushqim me qëllim që të kënaqte nënën e saj dhe të ndjente dashuri nga ajo. E njëjta gjë u përsërit edhe kur u martua.

Kur nuk kishte vëmendje nga bashkëshorti, Sara kishte frikë se ai nuk e donte dhe që ajo nuk ishte mjaftueshëm e mirë. Këto ishin ngacmuesit që e nxitën Sarën që të konsumonte më shumë ushqim nga ç’duhej dhe të kishte vetëvlerësim të ulët. Ajo po hante emocionet e saj dhe jo ushqimin. Kur e kuptoi këtë gjë, filloi të qante.

Duke qenë se unë përdora teknika neuro-coaching, e lashë vetëm për disa momente që të qetësohej dhe të shkarkonte emocionet e kaluara negative. Më pas, filluam me ushtrime të tjera.

Zona e Rehatisë: Sara ha shumë ushqim, pra kjo është rituali që e fut atë në gjendje rehatie. Asnjëherë mos e harroni që frika jeton rreth zonës së rehatisë.

Zona e Tendosjes: Në këtë zonë gjenden të gjitha gjërat që Sara e di që duhet t’i bëjë por nuk ka vullnet t’i aplikojë.

  • Të numërojë kaloritë
  • Të pijë shumë ujë (të paktën 8 gota në ditë)
  • Të bëjë ushtrime 3 herë në javë / ecje të shpejtë
  • Të hajë perime të gjelbra / ushqim bio
  • Të mos konsumojë ushqime pas orës 7pm
  • Të ndryshojë mënyrën e të jetuarit / të argëtohet më shumë

 

Shumica e njerëzve që duan të bien në peshë, janë në dijeni të të gjithë hapave që përmenda më sipër, por kjo mbetet listë dëshirash dhe jo listë veprimi. Gjithçka që ti dëshiron është një ëndërr por vetëm kur ti vepron, ajo bëhet realitet. Në shumicën e rasteve, është frika ajo që vendos për ne dhe na shtyn drejt shtyrjes së punëve që duhet të bëjmë.

Hapi i parë është tendosja dhe dalja nga zona e rehatisë. Kur ti e arrin këtë gjë, festoje dhe uroje veten për çdo hap të vogël progresi. Një gjë e tillë ju jep më shumë vetëbesim dhe motivim për të ecur përpara.

Zona e rrezikut: Ti nuk e di nëse mund ta arrish atë që do. Shumica e njerëzve heqin dorë në zonën e rrezikut. E sabotojnë veten në mënyrë të pandërgjegjshme. Prandaj është e rëndësishme që të keni këshillim dhe mbështetje nga profesionistë të fushës.

Për Sarën, zona e rrezikut ishte të kalonte nga 3 vakte të mëdha ushqimi në të ushqyerit 5 herë në ditë në porcione të vogla. Ajo gjithashtu duhej të bënte ecje të shpejta çdo mëngjes.

Zona e vdekjes: Mendon se do të vdesësh nëse bën çfarë kërkohet (fizikisht dhe emocionalisht). E konsideron si mision të pamundur. Në rastin e Sarës, kjo nënkuptonte që ajo të kishte një dietë pa sheqer. Ajo mendoi se nuk mund t’ja dilte dot por avash avash ia doli.

Ju duhet ta bëni këtë ushtrim hap pas hapi, duke lëvizur nga zona e rehatisë në zonën e tendosjes, në zonën e rrezikut dhe në fund në zonën e vdekjes. Çdo herë që doni të kaloni nga një zonë në tjetrën, rritet frika sepse truri juaj do t’ju mbajë të sigurtë dhe t’ju mbrojë nga ndjenjat e poshtërimit apo dështimit. Frika nga dalja e rehatisë alarmon amigdalën në të njëjtën mënyrë siç ndodh në rast rreziku në aspektin fizik.

Ju duhet të jeni këmbëngulës dhe të krijoni zakone të reja në mënyrë që të dilni nga zona juaj e rehatisë. Në një artikull tjetër në të ardhmen do të flas për besimet e gabuara dhe krijimin e zakoneve të reja.

Deri atëherë, përpiquni shumë dhe dilni nga zona juaj e rehatisë.

 

Erblina:

Pershendetje ! Jam 29 vjeqe dhe vuaj nga ankthi dhe frika. Kur mbes e vetme ne shtepi diten por ne shumicen e rasteve naten kur me del gjumi naten ndjej frik dhe humb ekuilibrin e trrupit sepse kam frik qe sdo te shpetoj dhe me kapin te drridhura. Jam duke marr tableta per ankth dhe gjum por me duket qe prap kam frik. Faleminderit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *