Të mësuarit dhe Fuqia e praktikës

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Në këtë artikull flas për ata individë që kanë qëllime dhe objektiva të qarta për të realizuar. Secili prej nesh mendon që të përmirësojë jetën në fusha të caktuara si për shembull karriera, studime pas-universitare, prindërim i mirë, trup i shëndetshëm, më shumë para, etj.

Dhe gjëja e parë që mendojmë është nevoja për njohuri në atë fushë; se nëse do të kemi më shumë njohuri do të arrijmë rezultatet e duhura. Pra njohuri të reja = rezultate! Në fakt nga eksperienca ime kam konstatuar që jo domosdoshmërisht njohuritë e reja sjellin rezultate. Por në fakt marrja e njohurive të reja dhe praktikimi i tyre bën diferencën.

Mund të mësosh se çfarë duhet të bësh për të rënë në peshë apo për të qenë fit. Kjo ka të bëjë me të mësuarit në nivel inteligjence por nuk është e mjaftueshme, sidomos po t’i referohemi indeksit të ruajtjes së njohurive që vjen duke u ulur ndjeshëm me kalimin e kohës. Është praktika ajo që instalon njohurinë.

Si ndodh kjo? Sa herë praktikojmë diçka që kemi mësuar, stimulojmë lidhje të qëndrueshme sa herë bëjmë të njëjtin veprim. Në këtë mënyrë krijojmë bazën e një njohurie të re, e cila mund të konceptohet si kalim nga të mësuarit pasiv në atë aktiv.

Më kujtohet një shprehje e një murgu tibetian i cili aplikonte artet marciale: “Nuk kam frikë nga 10,000 goditje që i ke mësuar por praktikuar vetëm një herë, por kam frikë për vdekje nga një goditje që e ke praktikuar 10,000 herë.

Ndërsa të mësuarit krijon njohuri, praktika krijon aftësinë.

  1. Të mësuarit ëshfantastik por jo qëllim në vetvete

Shembulli më i mirë është mësimi i gjuhëve të huaja: mund të mësosh me një metodë shumë të mirë, ndoshta më të avancuarën, por nëse nuk e praktikon gjuhën, probabiliteti për ta harruar brenda disa muajsh është shumë i madh.

Të mësuarit është fantastik por mbetet thjesht njohuri nëse nuk e vë në praktikë. Shpesh herë bëhet edhe pengesë pasi duke synuar të jemi perfektë në diçka, duam të marrim sa më shumë njohuri dhe harrojmë që praktikimi i tyre është ai që krijon aftësitë e duhura, edhe pse në fillim nuk do të jemi aq perfektë sa mendojmë që duhet të jemi.

  1. Duke praktikuar ne mësojmë

Sa herë kemi dëgjuar që noti mësohet vetëm në det! Dhe është e vërtetë. Çfarëdo kursi të mirë që mund të marrim, nuk kemi shanse të mësojmë nëse nuk fillojmë të notojmë. Dhe gjatë praktikës, përmirësojmë shumë elementë të caktuar, ngrihemi në një nivel më të lartë të njohurive krahasuar me ato çka mësuam në fillim. Ndryshe do të ishim ende duke punuar me ato kompjuterat e mëdhenj sa një dhomë! Gjatë praktikës mësojmë nga gabimet, i përmirësojmë ato dhe pasurojmë njohuritë nga filluam. Kjo është e vërtetë  në çdo fushë të jetës!

  1. Praktika – përqëndrimi i energjive në proçes

Personat që u ngjitën në majën e Everestit kishin marrë gjithë njohuritë e duhura teorike, por mbi të gjitha ishin praktikuar shumë, me një gjendje fizike dhe mendore të gatshme për sfidën e madhe. Dhe ishin ato orët e praktikës ditë pas dite që i çuan drejt majës dhe suksesit.

Të mësuarit është fantastik por praktika e kthen atë njohuri në dije dhe aftësi.


 

Foto nga: Mark Faviell Photos via VisualHunt / CC BY-NC-ND

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *