5 Qershor, 2019

Si të zbulojmë aftësitë tona

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Zbulimi i aftësive me të cilat keni lindur është një proçes i vështirë por jo i pamundur. Imagjinoni sikur jeni të plotësuar financiarisht, shpirtërisht, dhe nuk ju mungon asgjë për të cilën tani keni nevojë. Si do e kalonit kohën? Çfarë profesioni do të zgjidhnit për të punuar, që do t’ju sillte edhe kënaqësi gjatë orëve të punës?

Ato idetë e vakëta që sillen në kokën tuaj, për të cilat ju mendoni se tani për tani është e pamundur të realizohen – mbase janë pikërisht ajo çfarë mund të bënit me entuziazëm çdo ditë. Ose jo…

Mos harroni se ne ‘mbushemi’ me idetë dhe ëndërrat e të tjerëve gjatë gjithë kohës, me ëndrrën që të serviret nga një reklamë që sheh në televizor, me arritjen e një miku apo një personi të famshëm… mbase këto ide nuk janë në të vërtetë destinacioni ku doni të arrini.

Prandaj insistoj që zbulimi i vetes dhe talenteve tuaja vjen me eksperimentim të vazhdueshëm me veten.

Proçesi i njohjes së vetes do t’ju ndihmojë të identifikoni aftësitë tuaja. Për shembull, ju jeni i punësuar në një kompani dhe kuptoni që keni nevojë për autonomi dhe si alternativë hapni një biznes tuajin. Ose, ju jeni duke punuar si menaxher dhe kuptoni që keni më shumë aftësi kreative dhe filloni një karrierë në dizajn, duke braktisur fushën menaxheriale.

Gjëja më e rëndësishme që duhet të kemi parasysh në këtë proçes analize, është të jemi të vetëdijshëm gjatë gjithë kohës – të tregohemi vigjilentë mbi veprimet që bëjmë por edhe si reagojmë ndaj veprimeve të të tjerëve karshi nesh.

Prej disa vitesh jam fokusuar duke ndihmuar qindra individë në zbulimin e potencialeve të tyre; rrëzimin e barrierave dhe ngritjen e urave të komunikimit; njohjes së vetes dhe raportin me të tërën; ridimensionimin si qenie njerëzore-sociale dhe ekonomike; identifikimin dhe qartësinë lazer për çfarë nuk do dhe si kontrast çfarë do për arritjen e rezultateve të dëshiruara, uljen e stresit, ankthit dhe pasigurinë për të ardhmen.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *