26 Korrik, 2019

Si të reduktojmë dhimbjen shpirtërore (3 hapa)

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Ndërsa po lexoja disa shkrime nga poeti mistik Rumi ndalova për një moment tek thënia e tij: “Dhimbja është porta ku drita hyn brenda teje”. Ndalova për një moment dhe po përpiqesha të lidhja dy fjalë që duken sikur nuk kanë lidhje me njëra – tjetrën: Dhimbja dhe Drita, – të paktën në momentin e parë kur mendon për to dhe kur nuk je i/e familjarizuar me spiritualizmin.

Prej vitesh, duke u marrë me Inteligjencën Emocionale kam observuar çfarë është dhimbja dhe raporti ynë me të. Dhe këtu i referohem dhimbjes shpirtërore (jo pa qëllim nuk përdora termin dhimbje emocionale siç jemi mësuar shpesh ta përdorim).

Në këndvështrimin tim, dhimbja shpirtërore ka të bëje me kujtimet e së shkuarës të cilat kanë lënë gjurmë në trurin tonë dhe mjafton një situatë e caktuar që t’i aktivizojë. Mund të jetë edhe një emocion i momentit (dhe emocionet nuk janë gjë tjetër veçse reagimi ynë ndaj një ngacmuesi të caktuar) që të na aktivizojë ndjenja (të cilat nuk janë veçse memorie të ngjarjeve në të kaluarën) që mendojmë se e kemi harruar. Ndalova në përcaktimin e dallimit midis emocioneve dhe ndjenjave pasi në përgjithësi njerëzit i përdorin për të njëjtin kuptim.

Çfarë duhet të bëjmë kur kemi dhimbje shpirtërore (ose thënë ndryshe, kur na dhemb shpirti)?

Së pari, veprimi më i duhur është vëzhgimi i dhimbjes. Kur e vëzhgojme distancohemi nga dhimbja dhe intensiteti i saj pakësohet.

Së dyti: Pranojeni për një moment dhimbjen (siç pranoni kur vrisni dorën ose këmbën) dhe mos gjykoni.

Së treti: Lejoheni të kalojë. Dhimbja është si dallgët e detit, që pasi ngrihen lart nuk kanë ç’të bëjnë tjetër veçse të ulen përsëri.

Për këtë e ka fjalën edhe Rumi. Në momentin që vëzhgojmë veten, ne rrisim vetëdijen duke lejuar dritën të hyjë brenda nesh. Aty ku ka dritë, errësira shpërbëhet.

Testojeni vetë dhe më shkruani në anilabashllari.com

Foto nga Freepik

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *