Si të keni një mendje të relaksuar edhe pas pushimeve

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Kthimi pas pushimeve na duket si fundi i qetësisë mentale dhe shpirtërore që përjetuam afër detit apo malit. Kjo nuk duhet të jetë e vërtetë për ju, pasi ju mund ta ruani qetësinë dhe relaksimin e fituar gjatë pushimeve. Çfarë mund të bëni?

Përshtatu me ambientin

Përshtatja është çelësi i lumturisë, i qetësisë së mendjes dhe i prezencës në të tashmen. Njerëzit që dijnë të përshtaten janë më të lumtur, i zgjidhin më shpejt situatat dhe përjetojnë më pak stres. Përshtatja me ambientin e shtëpisë apo të punës pas kthimit të pushimeve nuk duhet të jetë aspak e vështirë për ju, sidomos nëse keni disa qëllime që doni t’i realizoni.

Praktikoni teknika relaksimi në shtëpi

Nëse gjendeni në një ambient të zhurmshëm që ju shqetëson dhe ju prish humorin, kujdesuni për mendjen tuaj duke praktikuar meditim, joga, apo metoda të tjera. Një metodë më e thjeshtë është të analizoni situatën dhe të kuptoni shkakun që ju bezdis dhe nuk ju mundëson që të përjetoni të njëjtën paqe mendjeje si ajo që përjetuat gjatë pushimeve. Gjetja e shkakut dhe eliminimi apo ndryshimi i rrethanave apo ambientit ku jetoni, do t’ju ndihmonte shumë. Shpesh, ne japim zgjidhje të përkohshme pa analizuar më parë shkaqet e situatës, dhe kjo metodë jo gjithmonë na ndihmon.

Qëndroni pranë natyrës

Natyra ka një aftësi të mrekullueshme për të na falur paqe të mendjes dhe trupit tonë, mjafton t’i afrohemi dhe ta ndjejmë afër. Një shëtitje në malin më pranë shtëpisë suaj (për ata që jetojnë në Tiranë është Dajti) do të ishte një ide e mirë për ju. Do t’ju falte qetësinë që kërkoni dhe do të ndiheni të shkëputur nga zhurmat e qytetit për pak orë. Një shëtitje buzë detit apo pranë një lumi do të ishte një tjetër ide e mirë. Shpesh ne zhytemi në rutinën e përditshme dhe fundjava ikën e pa planifikuar dhe pa kuptuar, ndërkohë që mund të ishte planifikuar dhe do të ishte një kohë e investuar për shëndetin tuaj mendor dhe fizik.

Fokusohuni në qëllimet tuaja

Fokusimi në një ose disa qëllime që doni t’i realizoni deri në fund të vitit apo për një kohë më të gjatë është një ndihmesë e madhe për reduktimin e stresit tuaj të përditshëm. Fokusimi në një plan apo qëllim do t’ju bëjë pothuajse të pandjeshëm nga shqetësimet e ditës, sepse ju do të jeni duke menduar sesi të realizoni planin tuaj dhe se gjithçka që ndodh duhet modifikuar në bazë të asaj çka doni të arrini. Nëse ende nuk keni qëllime, mundohuni të krijoni qëllime 3 mujore.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *