5 Qershor, 2019

Si po e ushqen trurin tënd?

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Do ta filloj këtë artikull me një fabul të traditës së amerikanëve vendas që ne ndryshe i njohim si Apashët. Fabula hedh dritë mbi mënyrën se si orientohen mendimet tona/ushqehet truri ynë.

Një i moshur po fliste me nipin e tij duke i treguar për mendimet që i gëlonin në kokë. Sipas tij, mendimet i ngjanin si dy ujqër, njëri prej të cilëve ishte lakmitar, hakmarrës, i prekur në sedër dhe manipulues ndërsa tjetri i dhemshur, bujar, i vërtetë dhe i paqtë. Nipi, me atë sinqeritetin fëmijëror e pyet të moshuarin: “Gjysh, kush prej tyre do të fitojë?” Gjyshi mendohet dhe me sytë që i shkëlqenin nga dashuria për nipin i thotë: “Ai ujk që unë do të ushqej më shumë”.

E njëjta gjë ndodh me mendimet tona. Ato që ushqejmë më shumë bëhen më të forta, krijojnë besimet dhe bindjet tona të cilat na drejtojnë gjithë jetën edhe pse 95% të kohës jemi totalisht të pavetëdijshëm për to. Mënyra e thjeshtë për të identifikuar mënyrën e të menduarit duket tek rezultatet tona. Nëse ato nuk na pëlqejnë dhe duam të kemi rezultate të tjera atëherë duhet të ushqejmë ato mendime që na çojnë drejt rezultateve të kërkuara.

Truri ynë është si një muskul. Gjithçka që shohim, lexojmë apo kuptojmë krijon modelin tonë mbi jetën dhe i jep trurit një strukturë të caktuar.  Neuroshkencëtarët e pohojnë këtë fakt nëpërmjet neuroplasticitetit – doktrina sipas së cilës ne mund të ndikojmë mendimet tona dhe modelet mentale që përdorim për të filtruar realitetin.

Kjo teori na motivon që të reflektojmë mbi:

  1. informacionet që truri ynë përthith çdo ditë
  2. burimet e këtyre informacioneve dhe
  3. a janë ato të shëndetshme për trurin tonë

si dhe  të tjera aspekte.

Për ta bërë më të qartë, le të marrim një shembull: Supozojmë se ju ngriheni në mëngjes, ndizni televizorin dhe dëgjoni midis të tjerave edhe informacione mbi kronikën e zezë. Truri juaj po merr informacione mbi vrasje, dhunë, shkatërrim familjeje, e të tjera. Sipas studimeve të fundit të neuroshkencës, ky informacion do t’ju shkaktojë emocione negative, keqardhje, dhimbje, frikë, pasiguri të cilat do t’i ndjeni deri në nivel qelizor. A mendoni se këto ndjesi do të ndikojnë në gjendjen tuaj emocionale gjatë gjithë ditës? A mendoni se ky informacion do ju ndryshojë mënyrën tuaj të të menduarit, sjelljes etj.?

Patjetër që po…

Dyo Reactions GIF by Dyo - Find & Share on GIPHY

Shkencëtarët kanë vërtetuar se këto informacione ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në gjendjen tonë emocionale.  Duke qenë e vetëdijshme për këtë fakt, unë zgjedh të mos ndjek lajme në televizor por të lexoj titujt e lajmeve të ditës dhe të fokusohem tek ato që më shërbejnë në punën time apo në mirëqenien fizike, mentale, emocionale dhe shpirtërore.

Në vend te tyre ju sugjeroj që të merrni informacionet që do t’ju motivojnë, do t’ju mbajnë në entuziazmin e duhur për të arritur qëllimet e ditës. Mjafton një video motivuese, apo një artikull nga media juaj e preferuar. Një mundësi tjetër është që të dëgjoni muzikën tuaj të preferuar, muzika që ju bën të ndiheni mirë me veten dhe ju rrit nivelin e dopaminës në tru.

Gjithmonë duhet të keni parasysh se gjithçka që dëgjoni, kuptoni, lexoni dhe shihni, ndikon në trurin tuaj dhe gjendjen emocionale edhe pse pothuajse nuk jeni të vetëdijshëm për këtë fakt. Ky është një proçes që ndodh në subkoshiencë dhe në mënyrë automatike. Kujdesuni për ushqimin që i jepni trurit tuaj çdo ditë.

Ushtrim:

Jepini vetes disa momente qetësie dhe vëzhgoni dialogun e brendshëm i cili ndodh në lobet frontale në tru. Ky është një dialog i vazhdueshëm midis mendimeve negative dhe pozitive. Ne mund t’i vëzhgojmë ato dhe të ngremë volumin e mendimeve pozitive (si pasoje mendimet negative do të dëgjohen me zë më të ulët). Por për këtë duhet të rrisim nivelin e vetëdijes e cila ndikon në zgjerimin e koshiencës duke vëzhguar dialogun që ndodh gjatë gjithë kohës.

Kjo duket shumë e lehtë por këtu qëndron edhe vështirësia. Nëse do të ishte e lehtë, njerëzit do të kishin mundësi të mendonin pozitivisht. Por jeta e përditshme, neuroshkenca dhe analizat e sjelljes njerëzore tregojnë të kundërtën. Njerëzit çdo ditë e më shumë po mendojnë negativisht, duke ushqyer “ujkun” lakmitar, hakmarrës, egoist dhe manipulues.

Brain Studying GIF - Find & Share on GIPHY

Foto:  Pixabay, Giphy

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *