Plakja nuk është një problem që duhet zgjidhur


Ne nuk mërzitemi sepse po plakemi, por sepse nuk ndihemi të përmbushur shpirtërisht.

Plakja (sidomos tek gratë) është një proçes që duhet frenuar. Kështu jemi mësuar të mendojmë, apo jo?

Por, çfarë do të thotë të plakesh? Si e konceptojmë plakjen në ditët e sotme?

Do të doja t’ju ofroja një këndvështrim ndryshe rreth kësaj teme, prandaj ju ftoj të më lexoni.

Perspektiva jonë rreth plakjes është krijuar nga reklamat e industrisë kozmetike e cila e sheh plakjen e fytyrës si një gogol që duhet zhdukur patjetër; është krijuar nga gjyshet tona të cilat ia vënë fajin moshës për dhimbjet e tyre fizike; është krijuar nga limitimet fizike të trupit tonë për t’u bërë nëna; është krijuar nga frikërat e të tjerëve dhe jo domosdoshmërisht nga frikërat tona.

Plakja dhe mosha janë parë deri tani si fenomene që duhen kontrolluar, ndaluar, parandaluar. Kjo është një perspektivë logjikisht e gabuar.

Sigurisht që nuk e kontrollojmë dot moshën apo kohën! Do të ndihesha mendjelehtë nëse do të mendoja “nuk kam çfarë t’i bëj plakjes sepse nuk e ndaloj kohën”.

Koha nuk është për t’u ndaluar por për t’u jetuar.

Ne e njohim rendin natyral të jetës – lindje – jetë – vdekje – dhe nuk është e nevojshme të mendojmë mbi arsyet pse funksionon kështu dhe jo ndryshe.

Ne kemi lindur që ta plotësojmë këtë cikël, jo ta ndalojmë atë.

 

Përse na mërzit “ideja e plakjes”?

Çdo vit që kalon, ne ankohemi që “po na ikën jeta”. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë! Ne mërzitemi sepse ‘mendojmë’ se nuk kemi më kohë për të bërë gjërat që gjithmonë deshëm t’i bënim por nuk patëm mundësi (nuk ia dhamë mundësinë vetes?).

Çdo vit që kalon, ne harrojmë të festojmë jetën, të jemi mirënjohës që po jetojmë dhe kemi ende mundësi të përpiqemi për të krijuar veten dhe jetën që duam.

 

Unë kam zgjedhur të besoj ndryshe

Perspektiva që unë kam vendosur të besoj dhe ndjek në lidhje me plakjen është:

  • të jetoj çdo ditë dhe të ndihem mirënjohëse për jetën;
  • të arrij një mirëqenie shpirtërore, fizike, emocionale dhe materiale në përditshmërinë time;
  • të vendos objektiva dhe të punoj për arritjen e tyre;
  • të punoj me veten time për t’u zhvilluar personalisht;
  • të jem prezente dhe të zhvesh veten nga iluzionet e ‘çfarë mund të kisha’ dhe nga fantazmat e së shkuarës që nuk ekziston më.

Nëse unë arrij të ndihem e përmbushur shpirtërisht dhe të jetoj jetën në të gjitha dimensionet e saj (me ritmin tim), më besoni që nuk kam kohë të mendoj se sa vjeç jam.

Këtu bien poshtë të gjitha perceptimet dhe klishetë mbi plakjen dhe moshën – në momentin që unë ndihem e përmbushur shpirtërisht dhe e lumtur, në momentin që unë vendos të jem krijuese e jetës time.

 

Një konceptim i ri mbi plakjen dhe moshën

Arritja e moshës 60, 70 ose 80 vjeç nuk është më pengesë që ti të shkosh në zyrë çdo ditë. Nuk është më pengesë as që ti të gjesh një partner të ri romantik. Nuk është më pengesë as që ti të mësosh një aftësi të re apo të krijosh një hobi të ri. Mosha nuk është më kufi apo tregues i aftësive dhe potencialit tonë. Do të jetë e tillë vetëm nëse ju vendosni ta besoni si barrierë apo limitim!

 

Plakja nuk është një problem që duhet zgjidhur për mua. Jeta është një dhuratë që duhet jetuar çdo ditë. Ky është qëllimi im.

Powered by Watch Dragon ball super