26 Korrik, 2019

Nëse ia dola njëherë, do t’ja dal përsëri

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Në momentin që unë kam një sfidë të re, gjëja e parë që i them vetes është “Pse frikësohesh? Ti ia ke dalë herës së kaluar, edhe pse herën e kaluar kishe frikëra dhe pasiguri ti prapë ia dole”. Kjo ndjesi më bën që të ndihem më e çliruar dhe të ndërveproj duke hedhur hapat për sfidën e re.

Unë kam ndjekur njerëzit e suksesshëm për të kuptuar mendësinë e tyre për të kuptuar sesi ia dalin, çfarë i bën të suksesshëm, çfarë mendojnë apo bëjnë, dhe ajo që kam vënë re është që të gjithë kanë sfidat dhe dështimet e tyre dhe pavarësisht këtyre ata janë ngritur akoma më të fortë se ç’ishin dhe në këto momente ngritjeje ata kanë krijuar vetëbesimin që mund t’ja dalin.

Rruga drejt suksesit nuk është fushë me lule. Ka vështirësitë e veta por nëse ti përgatitesh ashtu siç duhet, dhe këtu luan një rol të veçantë jo vetëm dija dhe njohuritë por edhe zhvillimi personal, pra nëse këto të dy komponentë ne i integrojmë së bashku atëherë ne jemi të përgatitur për të shkuar drejt suksesit.

Si krijohet vetëbesimi hap pas hapi?

Vetëbesimi është një element karakteri që është thelbësor në arritjen e asaj çka dëshiron sepse nëse nuk ke besim që do të arrish diçka, atëherë shfaqen të gjitha barrierat e mundshme për të mos arritur në destinacion. Është një muskul i cili forcohet dhe rritet vetëm duke vepruar. Njerëzit presin që vetëbesimi t’u krijohet me shkop magjik.

Në fakt vetëbesimi krijohet duke vepruar edhe kur nuk je i sigurtë, edhe kur nuk i di të gjitha, edhe kur nuk e ke arritur shkallën e perfeksionit.

Duke vepruar ti do të mësosh, do të përmirësohesh, do të bëhesh më i mirë dhe do t’i krijosh veten ndjesinë e të arriturit të diçkaje. Duke punuar njeriu ndërton kompetencë pas arritjes së rezultateve të cilat ndërtojnë një rreth vicioz kompetencë-vetëbesim dhe vjen një moment kur personi thotë “unë ia dal”.

Foto nga Freepik

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *