5 Qershor, 2019

Mjaft e gënjyet veten!

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

“Nuk ia dal dot! Edhe kur vendos të arrij një qëllim, nuk ia dal dot. Nuk e di pse ndodh kështu. Nuk kam para, nuk kam kohë, nuk kam aftësitë e duhura, nuk është koha e duhur, do ta bëj një ditë tjetër.”

A nuk ia përsërisim vetes këto gënjeshtra dhe justifikime çdo ditë, kur duam të arrijmë një qëllim apo realizojmë një ëndërr? Çfarë na pengon të arrijmë ato që duam? Përgjigja është shumë e thjeshtë: të gjitha gënjeshtrat që i themi vetes përditë! A nuk është kjo për të qeshur? A mund ta besoni që ne e gënjejmë veten? Duket e pamundur por është e vërtetë.

E di që po e them këtë gjë shumë hapur, por është e vërteta! Që ta kuptoni këtë që po them, kujtoni herën e fundit që ju deshët të bëni diçka dhe përnjëherë truri juaj mundi të gjejë të gjitha justifikimet dhe arsyet pse ju nuk mund ta bëni një gjë të tillë, pse ishte e vështirë apo e pamundur dhe ju e shtytë atë gjë për një ditë tjetër. Çfarë ndodhi? Gënjyet veten. Sepse ju as nuk nisët ta bëni atë që kishit ndërmend, për të parë nëse ishte e pamundur apo e realizueshme. Ju vendosët që të mos merrni asnjë vendim (të ndaluar nga gënjeshtrat që vazhdimisht i thoni vetes, duke menduar se ato janë të vërteta).

Ose mund të ketë ndodhur më keq… keni lejuar që të tjerët të marrin vendime për ju, duke ju dhënë këshillat dhe opinionet e tyre si zgjidhje. Por, e vërteta është se ju jeni një burim i madh dhe e dini shumë mirë se çfarë doni. Gënjeshtrat që i përsërisni vetes janë pengesa më e madhe që ju çon në krijimin dhe besimin e gënjeshtrave të reja vazhdimisht. Ne jemi mësuar t’i marrim të gjitha mendimet tona për të vërteta, pa u munduar t’i shqyrtojmë apo sfidojmë ato.

Ti mund të arrish atë që do, nëse e zbulon ose e di me saktësi fushën në të cilën je e zonja apo i zoti. Një nga mentorët e mi personalë më thotë shpesh se kur njeriu lufton vullnetin për të bërë diçka, apo po lufton forcën e vullnetit që ta ketë atë gjë të tijën. Ne duhet të gjejmë vullnetin që të bëjmë atë që duhet në mënyrë që të arrijmë atë që duam të kemi. Mjaft e gënjyet veten, filloni të besoni që ju jeni një burim i madh. Kujtoni ato momente kur ju deshët diçka dhe bëtë gjithshka që ta keni atë gjë. Kjo që thashë më sipër mund të shprehet me një “formulë”, si një llogaritje  e thjeshtë matematikore:

Vullneti për të bërë diçka + Të bërit e gjërave = Ajo që duam të arrijmë

Nuk ka rrugë tjetër për të arritur atë që duam. Në vend që të rrijmë e të mendojmë se nuk kemi para (për shembull, për të hapur një biznes të ri), duhet t’i bëjmë pyetjen vetes: Si mund të siguroj paratë që më duhen të filloj biznesin? Si mund t’i krijoj ato? Si mund të gjej partnerë për biznesin tim? A mund të më ofrojë banka para? Çfarë tjetër mund të bëj?

Ose kur themi: “Nuk kam kohë”, zëvendësojeni këtë përgjigje me pyetje si:

Si mund të arrij të kem më shumë kohë për të bërë atë që dua?
Çfarë duhet të heq nga axhenda ime në mënyrë që të kem më shumë kohë për atë që dua të bëj?
Po sikur të zgjohem pak më herët se zakonisht dhe të fitoj kohë?

Këto janë pyetje të hapura që stimulojnë trurin për përgjigje dhe ndjekin drejtimin për të arritur tek një përgjigje e arsyeshme. Ajo që dua të them është se ju jeni një burim i pashtershëm përgjigjesh për të gjitha pyetjet që keni, por ne vazhdojmë t’i themi gënjeshtra vetes. Mjaft e gënjyet veten dhe filloni të veproni sepse vetëm kështu do të arrini atë që doni!

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *