5 Qershor, 2019

Matni shkallën e zhvillimit tuaj profesional me 10 pyetje

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

A jeni duke ecur në rrugën e duhur për të arritur qëllimet tuaja profesionale apo në biznes? Apo jeni shumë të paqartë për zhvillimin që mori karriera juaj këtë vit dhe për të ardhmen e saj vitin tjetër? Nëse jeni të qartë në qëllimet tuaja apo të paqartë se çfarë po bëni, këto 10 pyetje do t’ju ndihmojnë të matni veten tuaj dhe ato çka keni arritur deri tani. Pyetjet le të shërbejnë si metodë për të reflektuar dhe për të gjeneruar ide të reja.

  1. A e kam menaxhuar kohën time në mënyrën e duhur këtë vit?
  2. Nëse nuk do të kisha nevojë për rrogën, a do të isha ende duke bërë të njëjtën punë?
  3. Sa qëllime kam arritur gjatë vitit (dhe kush më ndihmoi t’i arrija këto qëllime)?
  4. Cilët ishin mentorët e mi këtë vit? Dhe kush do të jenë ata vitin tjetër?
  5. A ndoqa rrugën e duhur për të arritur qëllimet e mia?
  6. Nëse jo, cilat ishin gabimet që bëra këtë vit në aspektin profesional?
  7. Çfarë mund të kisha bërë më mirë?
  8. Cilat janë pengesat kryesore që më penguin të arrij qëllimet e mia? Cilat ishin lehtësitë që ma bënë rrugën më të lehtë?
  9. Sa e zgjerova njohurinë time rreth fushës ku punoj (duke lexuar, duke marrë këshilla, etj)?
  10. Cilat janë 3 qëllimet kryesore që dua të arrij vitin që vjen (a kam unë një plan të detajuar për t’i arritur këto qëllime)?

Mos harroni t’u ktheni përgjigje këtyre pyetjeve dhe të tregoheni sa më të sinqertë me veten tuaj. Mos kini turp nga vetja nëse do të shkruani për dështimet tuaja. Në momentin që ju pranoni se keni dështuar në një aspekt, aty fillon rritja juaj e vërtetë.

Gjeni një person që ju i besoni dhe diskutojini me të këto pyetje, kalojeni veten në një skaner me sytë e dikujt tjetër. Të gjithë biznesmenët apo njerëzit e suksesshëm në karrierë pranojnë se zhvillimi profesional vjen me zhvillimin e vetes, e karakterit, e mënyrës se menduarit. Rrethanat e tjera janë ndikuese por asnjëherë aq ndikuese dhe vendimtare në karrierën tuaj sesa zhvillimi juaj personal.

Ka një cilësi të vetme që njerëzit që duan të jenë të suksesshëm duhet ta posedojnë dhe ajo është vendosmëria për një qëllim të madh, të diturit se çfarë do në të vërtetë dhe dëshira e flaktë për ta arritur atë qëllim. Napoleon Hill 

Kur përgatitja e duhur takohet me mundësinë, vjen ajo që ne e quajmë “fat”. Anthony Robbins 

Njerëzit e lumtur planifikojnë veprime, jo rezultate. Denis Waitley

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *