26 Korrik, 2019

[Histori Reale]: Si u përballa dhe tejkalova frikën time

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Ne si qenie njerëzore i mësojmë frikërat gjatë jetës, në ambientin ku rritemi në familje, shkollë, etj. Frikërat nuk janë gjë tjetër veçse emocione. Nëse duam të jemi të suksesshëm apo t’ja dalim, duhet të mësojmë të merremi me frikërat tona dhe t’i menaxhojmë ato.

Në një udhëtim në Tajlandë u futa në një kafaz me tigrin dhe ishte një nga sfidat më të mëdha të miat. Në momentin që do të futeshim, një mikja ime amerikane tha: “unë do të futem në kafaz”. Dhe në atë moment mendova “nëse kjo nuk ka frikë të hyjë, pse të kem unë?”.

Që e vogël, duke qenë se jam rritur në apartament, i kisha frikë kafshët. Por bezdia vazhdoi edhe kur u rrita. Gjatë udhëtimit në Tajlandë ku ndër të tjera pjesë e trajnimit ishte ballafaqimi me frikërat e mia, vendosa që të sfidoj frikën dhe t’i them mendjes “ik”. Fotoja më poshtë është rezultat i saj. Edhe pse u futa në një kafaz me tigra (natyrisht ishin në kopësht zoologjik dhe të zbutur) ende macet e vogla i kisha bezdi. Kjo më bëri të mendoj se mos ndoshta synoj të përballem me frikërat e mëdha (tigri në kafaz) duke anashkaluar frikërat e vogla (mace të vogla)?

Ishte një nga gjërat më të duhura që bëra sepse ishte një çlirim emocional shumë i madh pasi kur kam shkuar në hotel kam rënë në një gjumë të thellë për 3-4 orë.

Kjo eksperiencë më bëri të kuptoj që ne nuk duhet të bëjmë veprime pa matur shkallën e rrezikut por shpeshherë frikërat janë imagjinare, nuk janë reale. Është një zonë e caktuar e trurit që na thotë gjatë gjithë kohës “ti nuk mund ta bësh këtë, ti nuk ia del, do të dështosh, nuk je personi i duhur”, e të tjera.

Ne i prodhojmë vetë këto frikëra dhe nëse nuk jemi në gjendje të njohim trurin që i prodhon këto mendime në mënyrë imagjinare, në këto kushte atëherë bëhemi viktimë e frikës dhe nuk veprojmë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *