5 Qershor, 2019

Fuqia e Mendimeve

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Gjatë një bisede mes miqsh, një kirurg neurolog provokon mikun e tij spiritualist duke i bërë pyetjen se “pse një kirurg zemre asnjëherë nuk e ka gjetur shpirtin e pacientëve të tij?” Miku spiritualist mendohet për një moment dhe me një buzëqeshje i kthen përgjigjen: “Po ti, a ke gjetur ndonjëherë ndonjë mendim gjatë një operacioni në tru?”

Mendimet: Çfarë janë?

A keni menduar ndonjëherë për mendimin? Kjo nuk është një lojë fjalësh por një pyetje e thjeshtë. Çfarë është një mendim? Nga se vjen? Si lëviz në mendjen tonë? Pse fillojmë të mendojmë një mendim të caktuar dhe pastaj përfundojmë duke menduar mendime të tjera? Pse na vijnë shumë mendime të ndryshme në të njëjtën kohë? Në çfarë mënyre na ndikojnë mendimet tona në gjithçka që bëjmë? A është mendimi një proçes mental, një idea apo thjesht besime?

Ende nuk kemi një përkufizim të saktë për mendimin. Këtu takohen neuroshkenca me filozofitë antike dhe spirituale: Askush nuk e jep saktësisht përkufizimin e mendimit! Është një temë misterioze, parë nga aspekti neuro-shkencor.

Ajo çfarë dijmë është se mendimet mund të shfaqen si kujtime, ide, imazhe, fantazi, imagjinatë, e të tjera. Ne mendojmë se mendimet vijnë nga funksionet e trurit por nuk e dijmë se deri në çfarë pike, nga cili burim dhe nga çfarë reaksioni.

Ne jemi në fazat e para të të kuptuarit të trurit njerëzor dhe neuroshkenca po përparon çdo ditë. Gjithsesi, ajo çfarë është zbuluar në 10 vitet e fundit në lidhje me trurin është shumë më tepër krahasuar me të gjithë historinë e deritanishme të eksplorimit të trurit.

“Ndrysho mendimet dhe ke ndryshuar botën tënde” – Norman Vincent Peele

Edhe pse nuk e dijmë ende se çfarë janë mendimet në të vërtetë dhe se nga vijnë, një gjë është e sigurtë: mendimet ndikojnë mënyrën sesi ndihemi. Cilësia e mendimeve tona përcakton cilësinë e jetës sonë.

Një fakt jashtëzakonisht i rëndëshëm!!! Dhe si mund të përfitojmë ne nga kjo e vërtetë? Duke filluar të përmirësojmë cilësinë e mendimeve tona!

Duket shumë e thjeshtë por është e vështirë për ta praktikuar. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë është ta fillojmë këtë proçes hapa të vegjël. (Teoria Kaizen)

Çfarë mund të bëni:

  1. Vëzhgoni mendimet tuaja sa më shpesh që të mundeni dhe mbani shënime rreth tyre: mendime pozitive, negative apo neutrale. (Çfarë mendimesh keni në këto momente që po lexoni këtë artikull?)
  2. Gjithmonë shkruajini përshtypjet tuaja: është gati e pamundur të identifikoni mendimet tuaja nëse nuk i shkruani në letër. Shumica e njerëzve e gënjejnë veten duek menduar se i dijnë të gjitha.
  3. Vëzhgojini mendimet pa paragjykim dhe lërini të zbehen. Mendimet nuk kanë fuqi mbi vullnetin tuaj, vetëm nëse ju e lejoni këtë gjë.
  4. Ju duhen vetëm pak sekonda për të aktivizuar një seri mendimesh njëra pas tjetrës. Jini të kujdesshëm që të ndaloni mendimet negative në sekondat e para.
  5. Nëse nuk i largon dot mendimet negative, mundohu të mendosh mendime pak më pozitive. Do të surprizohesh nga diferenca që do të sjellë ky veprim i thjeshtë në mënyrën e të menduarit!
  6. Mos fol shumë gjatë për mendimet negative – ato futen thellë në memorien tënde në mënyrë automatike.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *