5 Qershor, 2019

Diku larg vapës… në Bjeshkët e Namuna

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Diku larg vapës…

Vendosëm t’i largohemi vapës së kryeqytetit dhe vendi më i mirë menduam …veriu…Alpet Shqiptare. Miqtë tanë kishin qenë para 3 javësh në Lepushë të Kelmendit dhe na dhanë komente shumë pozitive. Kështu që u nisëm së bashku…

Rruga e shtruar shumë mirë; asfalti që të krijon mundësinë të vështrosh rreth e rrotull pa u fokusuar tek gropat dhe tronditjet nga rruga e keqe.

Mbërritëm tek vendi që quhet Ballkoni dhe ti vështron një madhështi marramendëse të maleve të veriut. Qetësia sapo ka filluar… truri ka filluar dalëngadalë t’i largohet streseve të së përditshmes dhe harmonia që t’i ndjen natyrshëm në atë sfond ngjyrash dhe ndërthurjesh e ka bërë punën e vet. Tashmë je e fokusuar tek mrekullia që natyra ka krijuar…

Mbërrin në Tamarë dhe habitesh me një trafik aq të madh drejt atij destinacioni… Kurioziteti ynë shuhet shpejt kur marrim vesh që atë ditë mbahej festa tradicionale e asaj zone, Logu i Bjeshkëve. Edhe pse nuk arritëm ta shikonim si festë, gjallëria tek ne në makinë kishte filluar.

Tamara një fshat i vogël, me një pedonale të bukur që të krijon idenë se je diku jashtë Shqiperisë, ta shton kuriozitetin dhe ndjesinë e mirë të fundjavës. Duket premtuese… Pas 21 km rrugë të ndërtuar shumë mirë mbërrin në vendin ku është luajtur një film shqiptar. Më kujtohen detajet e filmit dhe dëbora shumë e madhe dhe për një çast mendova si lëviznin njerëzit dikur në këtë zonë kur rrugët nuk ishin të shtruara… Shpejt mbërritëm në fshatin Lepushë i cili ndodhet 21 km larg Tamarës dhe 10 km më në juglindje të fshatit Vermosh. Ky fshat gjendet 1200 m mbi nivelin e detit dhe vlerёsohet si kryevepra e natyrёs sё Kelmendit. Ai shtrihet nё njё luginё tё butё tё veshur me gjelbërim, ku pranё saj ngrihen Bjeshkёt e Namuna,  vendi ku lindёn legjendat dhe eposi i Kreshnikёve. Ishim në zemër të Alpeve…

Nuk kishim mundur të rezervonim bujtinën pasi telefonat nuk punojne me atë zonë… nuk ka valë dhe aq më pak internet. Por mikëpritja e tyre na largoi ankthin që s’mund të gjenim vend pas 4 orëve rrugë nga Tirana.

U rehatuam në dhomat, e thyem urinë me pak bukë misri të thekur dhe mazë (ajkë qumështi), djathë natyral, gjalpë, dhallë, turshi dhe pak mish. Ndërkohë shikonim qingjin në hell dhe Ilirin, të zotin e bujtinës, që vraponte për t’i kënaqur të gjithë. Ishte një bujtinë e bukur ku punonin të gjithë pjesëtarët e familjes, njerëz të qeshur dhe gjithë kujdes që i bënin miqtë të ndiheshin mirë. Mikëpritje malësorësh, njerëz punëtorë dhe buzë gaz dhe që me shumë vështirësi ia dilnin.

IMG_4333

IMG_4292

Biseduam gjatë në mbrëmje me të zotin e bujtinës, i cili pas një dite të lodhshme më në fund u ul me ne për një kanoçe birrë. Iliri, një djalë modest por i zgjuar, i përgjigjej me shumë qetësi pyetjeve dhe kuriozitetit tonë të pafund. Më befasoi me përgjigjen kur më tha që në Kelmend i respektojnë shumë gratë, i quajnë shoqe dhe ecin përkrah me to. Po kështu edhe fëmijët. Dhe ti e ndjeje atë komunikim me familjen e tij. Nuk të mbetej veçse respekt për ato njerëz punëtorë dhe modestë që përpiqeshin të zhvillonin atë biznes turistik malor…

Të nesermen, pas një mëngjesi të bollshëm me petulla të bëra nga zonja e shtëpisë shpqëruar me mjaltë bio, u nisëm për në Bjeshkët e Namuna. Ishte nxehtë dhe rruga në lëndinë na lodhi për shkak të diellit. Pastaj filloj të ndihej freskia e pyllit por dhe rrahjet e forta të zemrës për shkak të malores… “Aha…këtu qenka, ç’qenka!” – mendova me vete. Me vete morëm Lizën, guidën vendase, një grua 56 vjeç e cila ishte shumë e këndshme dhe me një zgjuarsi natyrale që na mbante me humor gjithë rrugës. Fillimi në ngjitje ishte i vështirë, sa filloi zemra t’i përshtatej vështirësisë. Ndaluam diku në një përrua me ujë të ftohtë, u freskuam pak dhe u ngritëm pasi kur ftohen muskujt e ke të vështirë të ecësh…Filluam të normalizohemi me frymëmarrjen dhe e ulëm pak ritmin pasi Liza na tha që e kishim marrë shpejt. Gjithshka tjetër eci perfekt…

IMG_4230

IMG_4233 (1)

Lëndina të mrekullushme që shtriheshin në prehrin e Bjeshkëve të Namuna. Pamja që shpalosej përpara teje pas një ngjitjeje sfiduese në pyll ishte marramendëse. Çfarë madhështie… në mendje të vijnë kreshnikët dhe historitë e Bjeshkëve të Namuna. Dhe për një moment sikur bëhesh njësh me peisazhin dhe qetësine e atij vendi. Por ne kërkonim sfidën e dëborës në shpellën e Bjeshkëve. U ngjitëm deri tek shpella në një lartësi që mendja na e përpiu, por që nuk ishte aq e lehtë sa dukej. Por dëborë nuk kishte… viti i parë që Dëbora kishte shkrirë. Sikur u lehtësuam kur na thanë që nuk ka dëborë se kam përshtypjen që do të vazhdonim të kërkonim.

Liza na sugjeroi të kalonim në krahun tjetër ku të mund të mbledhim edhe boronica, të shikojmë postën verore të kufirit dhe disa pllaja dhe lëndina që në fakt të merrnin frymën.

IMG_4263

IMG_4294

Kemi ecur rreth 5 orë dhe në zbritje që ishte e vështirë si dhe ngjitja, na zuri një shi nga ato që quhen “të begatë” duke dashur të na freskonte pak atë ditë tepër të nxehtë për një zonë malore. Ecnim nëpër shi, të kënaqur për një vizitë aq të mrekullueshme dhe të shëndetshme. Na kishte marrë vërtet uria edhe pse e kishim thyer pak me boronica që i mblodhëm vetë dhe ujë burimi. E dinim që na priste një drekë Lepushe dhe mbi të gjitha natyrale.

Ishte një eksperiencë shumë  e bukur që doja ta ndaja me ju dhe sidomos ato që janë adhurues të natyrës dhe ecjes nëpër male.

Duhet ta përjetoni si eksperiencë. Ishte vërtet shpirtërore.


Info shtesë për vizitorët e ardhshëm

Të  pasionuarit pas speleologjisë këtu mund të gjejnë mjaft shpella interesante. Shtigjet e shenjuara do ju shpien në itinerare shumë të bukura. Në Lepushë do të provoni reçelin e boronicës dhe të luleshtrydheve të pyllit, rakinë e sanzës, etj. Do të argëtoheni në festën e “Logut të Bjeshkëve”, ku do të njiheni me veshjet tradicionale, këngët e vallet e Kelmendit.

Emri i fshatit mendohet se rrjedh nga njё bimё barishtore me gjethe tё mёdha dhe lule tё verdha qё quhet Lёpushtra (Caltha palustris) e cila gjendet me shumicё nё kёtё fshat. Ky është fshati me reshjet më të mëdha të dëborës, trashësia e saj në male ka arritur deri 425 cm. Në majat e Bjeshkëve të Namuna dëbora qëndron gjatë gjithë vitit. Lugina e Lepushës është si një pistë natyrore për ski dhe ditët e shumta me dëborë e favorizojnë zhvillimin e këtij sporti.

Ky fshat dallohet për kontraste të mëdha të relievit, të cilat i japin asaj bukuri panoramike. Në këtë fshat mbizotëron gjelbërimi.Pyjet përbëhen nga dru ahu dhe halor.Në livadhe e kullota rriten shumë lloje bimësh e lulesh. Për vlerat floristike të këtij fshati studiuesi dhe paleonteologu hungarez Franc Nopça shkruante: “Njeriu mund të besonte që gjendej në pyllin e Vjenës, sikur të mos gjendej aty maja kërcënuese e Trojanit”. Ky fshat është shumë i pasur me bimë mjekësore si: boronica, balsami, sanza, bar shpatorja, cermerdelli, dёllinja e kuqe dhe e zezё, etj. Përveç florës edhe fauna është e pasur.Vlen të përmenden Shqiponja e malit (Aquila crysaetus) dhe Shkaba (Gyps fulvus), të cilat i ndërtojnë foletë në shkëmbinjët e Bjeshkëve të Namuna dhe që i kanë dhënë emrin vendit tonë “vendi i shqiponjave”. Blloku i Shnikut, pjesë e Bjeshkëve të Namuna, i përbërë nga 17 maja mbi 2000 m sfidon alpinistët profesionist.Në këtë fshat ka disa bjeshkë të bukura siç është Bjeshka e Berizhdolit, e cila pёrbёhet nga kodra tё buta dhe cirqe akullnajore të mbuluara me bar e boronica.Gjithashtu bjeshkë e bukur është Bjeshka e Koprrishtit, në të cilën ndodhet hidromonumenti Burimet e Koprrishtit, ku uji del në kontaktin midis shkëmbinjve gëlqerorë me ata flishorë. Lepusha është shumë e pasur me burime ujore të pashtershme si dhe me shpella karstike…….

Nё qafёn e Predelecit, nga ku shihet një pamje e mrekullueshme e fshatit, zhvillohet çdo vit nё muajin gusht “Logu i Bjeshkёve”. Ky ёshtё njё konkurs ku zgjidhet mё e bukura e alpeve, e cila nuk vlerёsohet vetёm nga bukuria fizike, xhubleta më e bukur por dhe nga aftёsia e saj pёr tё kёrcyer. Kjo është një festë e gjithë Kelmendit. Festë e fshatit është festa e Festa e Zojes Ndihmëtare në muajin Maj, e cila është festë me karakter fetar.

Akomodimi këtu mund të bëhet në hotelin e vogël të fshatit ose në bujtina. Në qendrën e fshatit, në të cilën kalon rruga kryesore, gjenden bare të vegjël dhe pak dyqane rishitjesh artikuj të ndryshëm. Jo i gjithë fshati mbulohet me valë të telefonisë së lëvizshme të kompanive shqiptare.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *