9 Mars, 2021

Ditari i mirënjohjes

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Pranvera kishte hyrë dhe ishin ditë aq të bukura sa nuk të qëndrohej në shtëpi. Unë isha ulur para kompjuterit në pritje të seancës coaching. Sapo isha kthyer nga një udhëtim disa javor në Tailandë ku për herë të parë takova një coach personal për jetën që më bëri pyetjen më të çuditshme: “Kush je ti Anila?”. Them pyetje e cuditshme pasi kisha 10 minuta duke i folur për veten, familjen, karrierën dhe veçanërisht faktin që zotëroja MBA dhe PhD në sipërmarrje. Mendoj që ai takim solli ndryshime të rëndësishme në karrierën time.

Kur u ktheva nga Tailanda lexoj në INBOX një email që më kishte ardhur disa muaj më parë për tu rregjistruar në programin e certifikimit në Akademinë e Coaching (Quantum Success Coaching Academy – QSCA), email të cilin nuk e kisha lexuar fare pasi nuk e kisha idenë në vitin 2011 se çfarë ishte coaching. Ishte pikërisht ajo seancë coaching në “Tao Garden” në Chang Mai, Tailandë që më “zgjoi” për të parë një mundësi që nuk e kisha menduar kurrë më parë: të filloja një karrierë të re si coach, mentore dhe trajnuese në fushën e zhvillimit personal. Prandaj ndodhesha edhe përpara kompjuterit në pritje të Catherine, e cila ishte mentorja ime dhe “budy coach” për tu praktikuar përpara se të filloja seancat reale të coaching si kërkesë e programit të certifikimit. Ndërkohë që prisja ndjeja që duart po më djersiteshin pasi Catherine ishte coach i certifikuar dhe ndihesha totalisht si në gjëmba dhe e paaftë për ta coach-ur atë. Asgjë nuk më kujtohej nga çfarë kisha mësuar apo pyetjet që kisha përgatitur më parë. Por zëri i Catherine më qetësoi dhe e mblodha veten shpejt. Filluam seancën dhe vetëm kur po dëgjoja komentet e Catherine e kuptova që gjithçka kishte shkuar mirë. Në fakt disa komente të saj më bënë të ndihesha disa centimetra mbi karrikenJ. Pasi përfunduam po flisnim lirshëm dhe unë ndihesha e “çliruar” nga ajo gjendje tensioni duke menduar se si do ia dilja!

Catherine po më pyeste nëse mbaja ditar mirënjohjeje. E pyeta përsëri se çfarë ishte dhe çuditërisht në mendje më vinte libri “Ditari i Ana Frankut”. Catherine me një qetësi admiruese filloi të më shpjegonte se për çfarë ishte ai ditar dhe për se shërbente. Ishte Prill 2013  dhe ende nuk e kisha përthithur rëndësinë e mirënjohjes si koncept edhe pse prej disa vitesh lexoja dhe hulumtoja në fushën e zhvillimit personal. Për mirësjellje i thashë që do e provoj por kaluan disa javë dhe unë as po kujtohesha. Unë tashmë besoj që gjërat nuk ndodhin rastësisht por atëhere nuk e kuptoja. “Rastësisht” më dhuruan një CD të Dr. Wayne Dyer – Living in Gratitude. Më duhet të përmend që Wayne Dyer ka qënë mentori im shpirtëror dhe ka ndikuar shumë në rrugëtimin tim drejt njohjes së vetes dhe dëshirës për versionin tim më të mirë. E dëgjova CD dhe pjesët e puzzle filluan të lidhen: mirënjohja dhe ditari i mirënjohjes…Ishin momente të forta reflektimi dhe të nesërmen e gjeta veten në librari duke blerë bllokun ngjyrë violet dhe një stilolaps të bukur, pasi doja që momentet e mia të ditarit të ishin të veçanta. Qesha me vete kur fillova të shkruaja pasi mu duk vetja si adoleshente dhe ndërkohë që shkruaja me atë buzëqeshje naïve në buzë, Arjani (bashkëshorti) po më shikonte me vëmendje dhe pyet: Çfarë po lexon që po qesh? Po shkruaj një ditar- i thashë.

  • Eh ti romantikja e pashërueshme– vazhdoi duke qeshur dhe doli nga dhoma me atë shprehjen ne fytyrë që tregonte se nuk e kuptonte çfarë po thoja por edhe admirim në të njëjtën kohë.

Shënimi i parë ne ditarin e mirenjohjes ka qënë në 12 Maj 2013 dhe prej asaj dite “Ditari” është bërë pjesë e pandarë e jetës sime. Disa herë shkruaj në mëngjes por kryesisht mbrëmja është momenti kur ulem dhe shkruaj duke reflektuar mbi ditën time, për çfarë jam mirënjohëse, arritjet dhe mësimet sado të vogla.

Në fillim është pak e vështirë të mbash ditarin pasi edhe mund të harrosh derisa të kthehet në një zakon. Duke shkruar këtë artikull po shfletoja “Ditarin” dhe po vëreja që kishte ditë që nuk kisha shkruar dhe kjo gjatë një periudhe 3 mujore. Më pas ditari është mbajtur më rregullisht, me pak mangësi ditësh… Ndërkohë që po e lexoj ditarin po habitem me veten dhe shënimet që kam mbajtur…

Një nga faqet më interesante është ajo e 9 Shkurt 2014 ku shkruaj që ndihem mirënjohëse që propozimi im për një program për rritjen personale u miratua në parim. Çuditerisht po atë ditë shkruaja qe isha ngritur shumë herët në mëngjes me shumë ide që më gëlonin në mëndje. Ose më qartë më kishte ardhur si e shkruar në letër komplet idea e programit që doja ta zhvilloja. Kisha shkruar titullin, strukturën e plotë dhe paketën financiare. Dhe për kuriozitetin tuaj atë program e kam ofruar në Tetor të po atij viti, me të njëjtën strukturë, tematikë dhe çmim që kisha mbajtur shënime. Ishte një Deja-Vu e përjetuar në orët e para të mëngjesit!

Ditarin e kam mbajtur rregullisht dhe kanë qenë vite shumë produktive për mua personalisht dhe biznesin. Ka patur edhe periudha të shkurtra që nuk kam qenë shumë persistente veçanërisht ato 2 vite kur babai ishte i sëmurë dhe u largua nga jeta. Çuditërisht atë periudhë ka patur një ngadalësim të projekteve apo propozime që konsideroheshin përtej buxhetit të parashikuar nga kompanitë! Në fakt, besojeni apo jo, unë kam punuar po aq fort sa më parë apo me të njëjtin përkushtim. Mendoj që mosmbajtja e ditarit ka ndikuar. Se si nuk do hyj në thellësi pasi unë besoj në energjinë që krijohet kur ti punon me të. Ajo që mund të them është që mbajtja e ditarit ju krijon një qëndrim pozitiv, shëndet mental, qasje pozitive ndaj jetës dhe ju ndikon në rritjen e vetë-vlerësimit dhe vetë-besimit, duke tërhequr frekuenca të ngjashme…

Nëse jeni skeptikë thjesht provojeni, por jo më pak se 30 ditë për të parë realisht rezultate.

zoritoler imol:

As I website possessor I believe the content here is really superb, thanks for your efforts.

Mirela Sarja:

Pershendetje Anila kam menduar dhe une per te filluar te mbaj ditar, por vetem rreth zgjidhjeve te problemeve te ndryshme. Ideja e nje ditari mirenjohjeje nuk me ka ardhur ndonjehere, shume interesante them se do ta zbatoj. Faleminderit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *