5 Qershor, 2019

Çfarë të frikëson më së shumti?

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

 

 

 

“Asnjëherë, në jetën e tij në shpellë, ai nuk ishte përballur me diçka që mund ta frikësonte. Prapëseprapë, ai ndjente frikën brenda vetes.  E kishte trashëguar nga një prejardhje e largët prej mijëra jetësh. Ishte një trashëgimi që e kishte fituar në mënyrë direkte…nëpërmjet gjithë gjeneratave të ujqërve që kishin jetuar më parë. Frika! – kjo trashëgimi e Egërsisë që asnjë kafshë nuk i shpëton… Pra, këlyshi ngjyrë gri e njihte frikën, edhe pse nuk e dinte se nga se përbëhej frika.” Jack London

 

“Ky portretizim letrar përmban më shumë se disa të vërteta rreth natyrës së qenieve njerëzore gjithashtu.” (Panksepp)

Të gjithë ne ndjejmë frikë në një mënyrë a në tjetrën dhe edhe pse frika është një emocion i trashëguar tek qëniet njerëzore dhe mamalët e tjerë, ne e ndjejmë frikën pasi jemi lënduar. Ne mund të mësojmë të kemi frikë gjatë jetës.

Frika është një mekanizëm mbijetese për të gjithë mamalët por në jetët tona moderne, frika është kthyer në një gjendje kronike për njerëzimin.

Tema për të cilën dua të flas vjen nga një shprehje e Franklin D. Roosevelt gjatë fjalimit të tij në Mars 1933, “Gjëja e vetme për të cilën duhet të kemi frikë është vetë frika – terror i paemër, i paarsyeshëm, i pajustifikuar që paralizon përpjekjet që duhen për të transformuar tërheqjen në avancim.”

A ju thotë gjë kjo shprehje? Unë mendoj se na thotë shumë, secilit prej nesh.

E dini se cili është fenomeni që kemi frikë më së shumti? Ndryshimi.

I frikësohemi shumë ndryshimit sepse nuk jemi të mirëinformuar dhe ngecemi gjatë proçesit. Si rezultat… nuk bëjmë dot përpara. Fillojmë të fajësojmë të tjerët dhe gjithçka jashtë nesh pa qenë të vetëdijshëm dhe pa i kushtuar vëmendje gjendjes tonë të brendshme. Po e shpjegoj këtë koncept më gjerësisht…

Truri është një organ shumë kompleks por për mendimin tim edhe një organ i thjeshtë nëse mësojmë sesi funksionon. Nuk po flas për aspektin shkencor sepse nuk kemi nevojë të bëhemi shkencëtarë që të kuptojmë trurin.

Një mënyrë e thjeshtë dhe e lehtë për ta shpjeguar trurin është nëpërmjet sistemit të Dr. Evian Gordon, Truri 1-2-4:

  • Truri na mbron. Pra, funksioni kryesor i trurit është të na mbajë të sigurtë.
  • Truri operon nëpërmjet Koshiencës dhe Subkoshiencës
  • Funksionet: Mendimet, emocionet, ndjenjat, vetë-rregullimi.

Tani do të doja të fokusohesha në funksionin primar të trurit: Truri na mbron.

Gjithçka që ndodh jashtë zonës familjare të trurit perceptohet si kërcënim. Dhe ky është një mekanizëm fantastik mbijetese. Kjo ishte mënyra e vetme sesi ne mbijetuam si qenie njerëzore; që nga koha e shpellës e deri tani. Problemi është se truri ynë merr dhe percepton çdo informacion në të njëjtën mënyrë pa qenë i vetëdijshëm që ta identifikojë informacionin si kërcënim apo mundësi.

Kur kjo gjë ndodh (në pjesën e trurit të quajtur Amigdala – mekanizmi i përgjigjes lufto-fluturo ose ngrij) neve na kap paniku, fillojmë të ndjejmë frikë dhe truri ynë lëviz nga një gjendje konjitive e të menduarit (Lobi Frontal) në gjendjen emocionale (zona limbike e trurit). Ne ndjejmë frikë dhe mbyllemi pa qenë të aftë të njohim anën racionale apo irracionale të këtij veprimi.

Por, aftësia jonë për të qenë të vetëdijshëm e thyen ciklin e frikës. Si qenie njerëzore, ne kemi akses në diçka të quajtur |ndërgjegjie” që në fakt është shumë e vogël krahasuar me “subkoshiencën” dhe ndodh në zonën frontale ndërmjet anës së majte dhe të djathtë të Kortekstit prefrontal.

Kur ne ndjejmë frikë në nivel subkoshience ne duhet të bëhemi të vetëdijshëm rreth faktit se si frika po ndikon në jetët tona dhe çfarë janë këto frikëra. Ne duhet të ndalojmë dhe të reflektojmë: Çfarë po ndodh? Pse ndihem kështu? Çfarë frikërash po ndjej më së shumti? Si mund t’i largoj këto frikëra?

Kur ne bëhemi të vetëdijshëm, ne kemi fuqinë që të çlirojmë veten nga një gjendje e caktuar dhe të bëjmë zgjedhje për gjendjen në të cilën duam të jemi, çfarë duam të ndjejmë, mendojmë apo themi. Nuk është një proçes i thjeshtë duke marrë në konsideratë kohën e gjatë në të cilën ne kemi vepruar autopilot ndaj frikës. Por, ne mund ta ndryshojmë këtë model të të menduari.

Në artikullin e ardhshëm do të flas më shumë rreth konceptit të frikës dhe do të ndaj me ju një ushtrim të thjeshtë rreth përballjes me frikën. Deri atëherë, ju uroj një javë të mbarë!

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *