5 Qershor, 2019

6 elementë që e bëjnë jetën e një personi të përmbushur

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Për të gjithë ju që nuk e njihni, Jim Rohn është një nga mentorët më të dashur për publikun amerikan ndër vite. Rohn tregon shpesh sesi ishte thjesht një 25 vjeçar i varfër që nuk arrinte dot të kishte sukses në një vend si Amerika, kur ai takon një ekspert të zhvillimit personal dhe profesional, Earl Shoaff.

Takimi me Shoaff ia ndryshon jetën dhe e fut Rohn në fushën e zhvillimit personal dhe biznesit. Jeta e Rohn fillon të përmirësohet dhe ai korr vetëm suksese dhe bëhet një biznesmen i pasur deri në fund të jetës së tij (2009). Në një nga fjalimet e shumta që ai ka mbajtur për mënyrën se si duhet jetuar jeta, Rohn thekson se janë 6 elementë që e bëjnë jetën e një personi të kënaqshme.

Produktiviteti

Ti nuk do të jetosh i lumtur nëse nuk prodhon (ide, vlera, mundësi, etj). Jeta nuk është për të pushuar, por të qenë produktiv. Sigurisht që duhet të pushojmë por mjaftueshëm sa për të mbledhur energjitë që na duhen.

Miqtë e mirë

Një miqësi e mirë është sistemi më mbështetës në botë, kështu që investo kohë për ta zhvilluar këtë aspekt të jetës. Miqtë  e mirë janë përfitim përtej fjalëve. Miqtë janë ata njerëz të mrekullueshëm që dijnë gjithçka për ty, dhe prapë të duan.

Kultura jote

Gjuha, muzika, veshjet, traditat. Të gjitha këto duhet t’i mbajmë gjallë dhe t’i shijojmë. Kultura është një element i rëndësishëm sepse përfaqëson rrënjët e tua, dhe ti e gjen veten në kulturën e shoqërisë ku jeton.

Spiritualizmi

Spiritualizmi ndihmon në formimin e themelit të familjes që ndërton kombin. Studiojeni spiritualizmin, praktikojeni dhe mësojuani të tjerëve. Mos e neglizhoni aspektin tuaj spiritual sepse është elementi që na diferencon nga gjallesat e tjera dhe na mundëson të jemi këta që jemi.

Eksperiencat e larmishme

Prindërit e mi më kanë mësuar që të mos humbas asnjë ndeshje, performancë, film apo kërcim. Pak përpara se të ndërronte jetë në moshën 93 vjeçarë, babai im bënte një jetë shumë vitale. Nëse unë e merrja në telefon në orën 11 të natës, ai nuk ishte në shtëpi. Ishte duke parë fëmijët duke luajtur, apo duke parë një film, do të shkonte në kishë apo në ndonjë vend tjetër. Shkoni kudo që mundeni, blini biletë për çdo koncert apo aktivitet. Shikoni gjithçka dhe përjetoni sa më shumë veprimtari.

Jetoni një jetë vitale, sepse nëse do të jetoni mirë, do të fitoni shumë. Njerëzit që jetojnë një jetë të mirë dallohen në fytyrë, në ngjyrën e zërit të tyrë. Ka diçka unike dhe magjike tek personat që bëjnë një jetë të mirë.

Familja dhe rrethi i ngushtë i njerëzve të afërt

Investoni në familjen tuaj, në rrethin tuaj të ngushtë dhe ata do të investojnë në ty. Frymëzojini dhe ata do t’ju frymëzojnë. Tregojuni atyre dashuri dhe gjithmonë gjeni kohë për ta.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *