3 metoda për të mos gjykuar veten

 

“Mendjet e jashtëzakonshme nuk kanë nevojë të marrin vlerësime nga opinioni i jashtëm ose të ndihen të plotësuar nëpërmjet arritjes së qëllimeve. Përkundrazi, ata janë me të vërtetë në paqe me veten dhe botën që i rrethon. Ata jetojnë pa frikëra – imunë ndaj kritikave apo vlerësimeve që mund t’u vijnë nga të tjerët. Ata ushqehen nga dashuria për veten dhe lumturia e brendshme.”

Ne lindim totalisht në paqe me veten, pa asnjë frikë nga kritikat apo gjykimi i të tjerëve për ne. Kur mamaja jonë na prezantonte me të tjerët kur ishim bebe, ne e kuptonim që jemi përballë një personi që nuk ishte nëna jonë, por nuk ndjenim frikë se ai person do të na gjykonte për këmbët tona plot tule, për flokët tona, për dhëmbët tanë të paformuar mirë, për tingujt e çuditshëm që belbëzonim…

Ne kemi lindur qenie pa frikë, pa paragjykime për veten apo të tjerët, pa merakun se dikush do të na kritikojë. Ne kemi lindur shumë të lumtur… Por, sa shpejt zhduket kjo magji!

Janë prindërit, familjarët dhe miqtë tanë të vegjël që fillojnë të na krijojnë barrierat e para, të cilat me kalimin e kohës vetëm shtohen.

Shoqëria njerëzore funksionon mbi bazën e së mirës dhe të keqes, vlerësimit dhe kritikës, pranimit dhe përjashtimit. Janë këto dy kategori të skajshme nga njëra tjetra që përdorim si etalone për të vlerësuar njëri – tjetrin. Por çdo njeri në këtë botë është unik dhe ne nuk mund të krahasohemi me vetëm dy kategori.

Për shembull, supozojmë se jeni duke dhënë një fjalim dhe askush në sallë nuk duartroket. Ju menjëherë do të mendoni se ju jeni një person i padëshiruar, jo i denjë për të qenë aty.

Në fakt, mbase nuk u ka pëlqyer fjalimi (që herë tjetër mund të ndryshohet dhe të jetë shumë më i mirë), mbase të pranishmit nuk janë ndjerë mirë në sallë, mbase nuk u ka pëlqyer tema, e të tjera.

Jo gjithçka që bëjmë tregon se kush jemi ne në të vërtetë.

Jo gjithçka ka të bëjë me ty. Ky është hapi i parë për të dalë nga gjendja e frikës, për të tejkaluar barrierat false që kemi krijuar gjatë rritjes tonë.

Mendjet e jashtëzakonshme nuk jetojnë në pritje të vlerësimeve. Mendjet e jashtëzakonshme nuk kanë nevojë për vlerësime, edhe pse ato janë gjithmonë pozitive dhe duhen pranuar. Ne nuk kemi ardhur në këtë jetë për t’i provuar askujt asgjë. Qëllimi më i madh i çdo njeriu është lumturia dhe ajo mund të krijohet nga brenda nesh, nuk e gjejmë në ambientin e jashtëm. Por frika na limiton të jemi vetvetja.

Gjatë kohës që rritemi, ne formojmë boshllëqe brenda vetes tonë, të kushtëzuar nga njerëzit me të cilët jetojmë. Ne krijojmë frikëra dhe e mbajmë mendjen tek ajo çfarë do të thonë të tjerët. Janë frikërat ndaj opinionit të jashtëm që na shtyjnë të vishemi më bukur apo të shkojmë në palestër. Është frika nga përjashtimi që na bën të veprojmë dhe sillemi si të gjithë të tjerët.

Ka tre mënyra për të dalë nga kjo gjendje:

  1. Nuk ka të bëjë me ty – Gjithçka që bëjmë përfshin shumë dimensione në vetvete, dhe nuk është vetëm ajo çfarë ofrojmë ne që ndikon në vlerësimin e të tjerëve për ne. As arritjet tuaja materiale nuk thonë asgjë për atë që je ti në brendësi të vetes.
  2. Falja – Të shikosh çfarë ka ndodhur dhe të falësh, të thuash që je mjaftueshëm, kjo është cilësi e njerëzve të mëdhenj. Falja është zgjedhja jote, ti mund ta trajtosh trurin tënd që të ndihesh mjaftueshëm dhe të duash veten.
  1. Ji prezent – Shiko se ku i ke vënë këmbët dhe bëje të sotmen ditën tënde më të lumtur, ditën më cilësore. Mund të fillosh që tani! Zgjidh të jesh prezent, i lumtur dhe i plotësuar me aq sa ke, pavarësisht se sa larg do të shkosh!

Së fundmi, të arrish në një gjendje që ta shohësh kritikën si një mënyrë  për t’u përmirësuar, jo si shkaktar për krijimin e plagëve në shpirtin tënd, ky është vlerësimi më i madh për veten.

A e mendoni ndonjëherë se si mund të silleshit nëse nuk do të rrethoheshit nga njerëz që mund t’ju gjykojnë? 

Powered by Watch Dragon ball super