5 Qershor, 2019

3 elementë që do t’ju ndihmojnë të arrini aty ku doni

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Nëse keni filluar rrugëtimin drejt një destinacioni të ri, drejt plotësimit të një ëndërre apo drejt realizimit të talenteve tuaja, duhet të keni parasysh se suksesi nuk vjen vetëm me ‘shumë punë’.

Çfarë dua të them me këtë? Është e nevojshme që ju të bëni një jetë cilësore përditë, një shëndet të mirë dhe të ushqeni veten me emocione pozitive dhe inkurajuese. Vetëm kështu do të mund të mbani gjallë entuziazmin dhe të vazhdoni përpara, pavarësisht vështirësive. Do të ndaj me ju disa këshilla që do t’ju ndihmojnë të keni një përditshmëri më cilësore, në mënyrë që kjo të ndikojë në gjendjen tuaj emocionale pozitivisht:

 

  • Kryeni ushtrime fizike

Për ju që nuk kryeni ushtrime fizike (për arsye të ndryshme), nuk e keni idenë se çfarë po humbisni! Mjaftojnë 15 minuta ushtrime në dhomën tuaj, çdo mëngjes, dhe ju do të vëreni ndryshimet në energjinë e trupit si dhe gjendjen tuaj emocionale shumë shpejt. Fizkultura e përditshme është një element i pandarë i rutinës sime. Më bën të ndihem plot energji, vitalitet dhe rrit nivelin e dopaminës.

 

  • Krijoni një mëngjes cilësor

Çfarë nënkuptoni me mëngjes cilësor? Unë nënkuptoj disa elementë: një gjumë cilësor, zgjim herët (të paktën në orën 7 ose 8, në varësi të stilit të jetesës – njerëzit janë më kreativë dhe produktivë gjatë orëve të para të ditës), ushqyerje e shëndetshme me proteina dhe vitaminat e nevojshme (mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, asnjëherë mos e anashkaloni), pak minuta ushtrime fizike si dhe shkrim i qëllimeve tuaja në një bllok. Është shumë e rëndësishme që ju t’ia përsërisni vetes qëllimet që doni të arrini, çdo mëngjes. Kjo do t’ju inkurajojë dhe do t’ju japë një arsye për të punuar shumë dhe për të arritur të gjitha qëllimet e ditës.

 

  • Mbani një ditar mirënjohjeje + shkruani qëllimet tuaja

Një shprehje e bukur thotë: Mirënjohja transformon ditët e zakonshme në ditë falenderimi, shndërron punët rutinë në gëzim si dhe i kthen mundësitë e zakonshme në bekime. Njerëzit e suksesshëm dhe që ndihen të lumtur me aq sa kanë, gjithmonë mbajnë ditarë ku shkruajnë mirënjohjet e tyre për ato që kanë dhe mundësitë që u vijnë gjatë ditëve të zakonshme. Mirënjohja është një ndjenjë fisnike. Nëse ju arrini ta zhvilloni atë me anë të praktikës (duke shkruar çdo ditë për çfarë jeni mirënjohës – për aq sa keni), ju do të ndiheni shumë më mirë shpirtërisht dhe emocionalisht. Rrugëtimin tuaj do ta shihni në një aspekt tjetër – jo si rrugë me pengesa por si bashkësi mundësish që ju jepen.

Gjithashtu, një ditar ku duhet të shkruani qëllimin përfundimtar që doni të arrini. Është shumë e rëndësishme që ju t’ia përsërisni vetes qëllimet që doni të arrini, çdo mëngjes. Kjo do t’ju inkurajojë dhe do t’ju japë një arsye për të punuar shumë dhe për të arritur të gjitha qëllimet e ditës.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *