Çdo Ditë, Një “Faleminderit”

Nëse keni vullnetin dhe dëshirën për të shkruar në ditarin tuaj të mirënjohjes çdo ditë të javës, ju sugjeroj që të fokusoheni në një temë të caktuar, si më poshtë.

Shkruani temat për secilën ditë në faqen e parë të bllokut dhe më pas shkruani falenderimet tuaja për ditën përkatëse.

 

E hënë: Falendero veten!

Falendero veten për të gjithë kurajon që ke treguar në momentet më të vështira, që je ende duke vazhduar të punosh për të arritur qëllimet e tua. Falendero veten dhe përmend një cilësi pozitive apo për të cilën t’i ndihesh krenar/e për veten.

Çdo ditë është një shans tjetër që ta përmirësojmë veten dhe jetën tonë. Për disa, fillimi i javës është dhimbje koke dhe stres ndërsa për një person që ndihet falenderues për jetën dhe ajrin që thith, fillimi i çdo dite të re dhe i javës janë një bekim.

Niseni javën duke i kujtuar vetes që jeta është një dhuratë, çdo ditë është një shans dhe çdo moment është i pakthyeshëm. Kushtëzojeni trurin tuaj që të mendojë mbi rëndësinë e kohës dhe mundësitë që mund të sjellë çdo ditë e re.

Gjithashtu, shkruaj gjërat që do të doje të të ndodhnin gjatë kësaj jave, dëshirat që do të doje të të plotësohen, çfarë ke ndër mend të arrish gjatë kësaj jave… dhe falendero Zotin, Universin, Prindërit e tu, që ti je gjallë, që ti ke mundësi të përpiqesh dhe të punosh që ti arrish qëllimet e tua për këtë javë, që ti sot do të nisësh një ditë të re, një javë të re, që ti je ende këtu dhe që gjithcka që nuk të pëlqen për momentin mund të përmirësohet.

Çdo herë që të falenderoni veten, do të reflektoni mbi cilësitë tuaja dhe do të gjeni një cilësi apo vlerë tuajën pozitive që mbase nuk e keni menduar asnjëherë.. kjo do t’ju bëjë të ndiheni më krenarë për veten dhe do t’jua rrisë nivelin e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit.

 

E martë: Kujto eventin më domethënës dhe më të këndshëm të javës së kaluar

Gjithmonë kemi diçka që na bëri të lumtur javën e kaluar, dje, pardje.. Mbase një buzëqeshje nga një person që nuk e prisnit, një mundësi e re, një takim me dikë që ju bëri të ndiheni mirë, një kompliment. Thjesht kujtoni diçka të bukur, që ju bëri të ndiheni mirë… një njeri, një moment … dhe mos harroni të shprehni mirënjohjen tuaj. Falenderojeni me zemrën tuaj të hapur.

Përshkruaj sesi u ndjeve, mundohu të shprehësh ndjenjat me fjalë të thjeshta.

 

E mërkurë: Falendero Krijuesin, Natyrën, Burimin e jetës

Të shprehësh mirënjohje ndaj zanafillës së jetës, natyrës, universit që funksionon me në mënyrë perfekte, është e shëndetshme dhe ju bën të ndiheni që nuk jeni vetëm.

Çdo herë që do të falenderoni Zotin, Universin, Natyrën apo prindërit tuaj, do të ndiheni që nuk jeni vetëm, do të filloni të krijoni një sjellje mirënjohjeje për burimin e jetës tuaj dhe për jetën tuaj, do të kuptoni rëndësinë e të jetuarit. Do të filloni të vlerësoni rëndësinë e të jetuarit dhe të të qenit gjallë, diçka që e marrim për të mirëqenë, edhe kur të afërmit tanë largohen nga kjo jetë. E vetmja mënyrë për të kuptuar vlerën e jetës është të mësosh sesi të tregohesh falenderues dhe mirënjohës për jetën.

 

E Enjte: Shkruaji dikujt një letër dhe shpreh mirënjohje

Shkruani një letër drejtuar dikujt që e keni për zemër, dikujt që doni t’i kërkoni falje, apo thjesht shkruani mendimin dhe falenderimet tuaja për një person në jetën tuaj (falenderime që mbase nuk keni guxim t’i shprehni në jetën reale). Mjafton të shkruani një paragraf por duhet t’ja “drejtoni” dikujt. Niseni letrën me mbishkrimin “Për…”

Çdo herë që do të falenderoni një person, do të filloni t’i shikoni njerëzit në mënyrë më pozitive, do të filloni të bëheni më empatikë dhe më falenderues për njerëzit në jetën tuaj dhe do të filloni të shikoni sjelljet pozitive të njerëzve përreth jush.

 

E Premte: Mirënjohje për çka ndodhi gjatë kësaj jave

Përmend gjërat më pozitive apo ngjarjet që të bënë të reflektosh dhe të mësosh që të ndodhen gjatë javës. Është e rëndësishme që të mbyllni javën me buzëqeshje dhe me idenë se ka shkuar mirë. Dita dhe jeta juaj mund të shikohen nga këndvështrime të ndryshme… zgjidh të shohësh dhe vlerësosh ngjarjet pozitive dhe mësimet që more.

Nëse ju e krijoni këtë zakon çdo fund jave, çdo javë pasardhëse do të filloni të shikoni më qartë ngjarjet pozitive dhe mësimet që nxirrni nga eksperiencat tuaja në të gjitha aspektet. Falenderimet në fundjavë do t’ju ndihmojnë ta nisni javën e ardhshme me pozitivitet.

Powered by Watch Dragon ball super