26 Dhjetor, 2020

Angazhimi juaj për një fundvit të veçantë

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Ky fundvit me të vërtetë është ndryshe nga të gjithë vitet e tjerë që kemi kaluar, po kështu atmosfera dhe përjetimi i festave. Shpesh me frikën se gjithçka nuk është në dorën tone, e kemi zbehur shpirtin festiv. Por ne mund t’i japim ngjyrat e duhura festive dhe të krijojmë atmosferë më të ngrohtë se kurrë më parë.

Po pyesni veten se si? Më ndiqni më poshtë.

Nëse ndiheni të lodhur dhe jo në disponim pozitiv nga ky vit i mbrapshtë mjafton vetëm të rikujtoni momente të paharrueshme, të cilat i keni përjetuar. Rikujtoni gëzimin e pjesëtarëve të familjes tuaj, veçanërisht të fëmijëve kur përgatisni pemën e mrekullueshme të Krishtlindjeve edhe atmosferën unike në shtëpinë tuaj. I kushtuat rëndësinë dhe vëmendjen e duhur këtij momenti këtë vit? Magjia ishte aty! Është ende aty… mjafton të jeni të gatshëm të përjetoni emocionet në formën ekszistuese pa përfshirë mendimet negative dhe të panevojshme përgjatë kësaj periudhe. Çdo mbrëmje krijoni dhe shijoni situatat festive me familjen tuaj dhe më pas do të reflektoni që keni formësuar kujtime të përjetshme me familjen tuaj.

Le t’i japim vendin e duhur këtyre festave përpos situatës dhe gjendjes së zymtë që na rrethon në përgjithësi. Në këtë moment që po shkruaj, dielli po shkëlqen dhe natyra të fton për një shëtitje të gjatë dhe përfituese. Fatmirësisht në këto momente pjesa më e madhe e familjarëve tanë të afërt dhe jo vetëm, gëzojnë shëndet të mirë. Le t’i gëzohemi momentit, pasi në vetvete përfaqëson orët, ditët, javët, muajt dhe vitet e jetëve tona. Pjesa dërrmuese nga ne referohemi që nuk ishte një vit i mbarë ky që po lëmë pas, por sa nga ne u përpoqën që ta bënin çdo moment të këtij viti të bukur që më vonë të shndërroheshin në një vit të mbarë?! Shumë pak nga ne!

Atmosfera e festave në përgjithësi na rikthen dhe na shtyn të përjetojmë gjendje të ndryshme emocionale; ndonjëherë dhe melankolike. Duhet të synojmë drejt këmbënguljes së të ndjerit mirë dhe lumturimit. Këto ditë janë të tilla… por ne kemi fuqinë t’i kthejmë kahet aty ku dëshirojmë.

Festat e veçanta të fundvitit po trokasin në dyert e ditëve tona dhe mendoj që kjo periudhë është një mundësi e shkëlqyer për bashkim, reflektim dhe komunikim.

Bashkimi është ndjenja që ne na nevojitet për të ndjerë emocionet unike që vetëm gëzimet me familjen arrijnë të na i dhurojnë. Marrëdhëniet me familjen janë në qendër të lumturisë dhe gëzimit tonë. Kur marrëdhëniet tona janë të forta dhe të lulëzuara, gëzimi ynë rritet. Të kalojmë kohë me familjen tonë do të thotë që ne po e gjejmë lumturinë tonë. Keni mundësinë për t’u përqafuar fort duke krijuar një shpërthim të oksitocinës neurotransmetuese të njohur si “dashuri”.

Kur një vit mbyllet, ne jemi të mbushur me një nivel entuziazmi që duket se rritet vetëm në këtë periudhë të vitit. Dëshirë e lartë për një kapitull krejt të ri dhe një propozim të pastër siç është prekja e vitit të ri. 12 muaj të rinj na presin përpara, krijojmë synime të forta për ta bërë këtë vit më të mirë se kurrë më parë me qëllime të reja. Por për të arritur të gjitha këto na nevojitet një reflektim mbi vitin që po lëmë pas krahëve tanë. Nisjani duke filluar me pyetje të cilat të bëjnë të kuptosh se çfarë ndodhi gjatë këtij viti. Krahasoni synimet që keni patur në aspektin personal; zhvillimit tuaj në punë, karrierë apo biznes. Sa arritët nga këto synime dhe cilët ishin faktorët në mos-plotësimin e tyre apo faktorët ndihmues? Në këtë mënyrë ju do ta keni më të qartë vendosjen e objektivave të reja dhe përcaktimin e rrugës të cilën duhet të ndiqni.

Kjo periudhë e vitit është e duhura për të krijuar rrugë komunikimi të forta dhe të ristrukturoni marrëdhëniet. Telefonojini, takojini, dërgojini një mesazh ose kartolinë miqve tuaj duke j’u shprehur vlerësimin, mirënjohjen edhe dashurinë tuaj. Shprehini ndjenjat pozitive, sepse ndoshta në këtë moment është gjëja e duhur dhe e nevojshme që duhet bërë.

Jetojeni këtë periudhë të veçantë festash dhe përfitoni duke dhuruar emocione të cilat janë vetëm në dorën tuaj.

Silvana:

Faleminderit per keshillat!nje bit te mbare te uroj

laureta:

je fantastike kolege, te perfshin ne nje rrugetim interesant fundviti te gezuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *