Kjo pyetje shtrohet shpesh dhe na gërryen pafund sepse duket sikur nuk ka përgjigje. Ose edhe kur ka, është e përkohshme apo e pjesshme. Sa herë ju ka ndodhur të pyesni veten dhe menjëherë t’i referoheni momenteve kur keni blerë diçka, keni marrë apo arritur atë çfarë keni dëshiruar, keni qenë diku ku vërtet jeni ndjerë e/i lumtur. Pra, me fjalë të tjera, gjithshka që ka qenë jashtë jush ka shkaktuar lumturinë tuaj! Dhe kjo është ajo çfarë keni dëgjuar apo ju është thënë gjithmonë.  Dhe kjo na bën të pafuqishëm pasi jemi gjithmonë në pritje të diçkaje që të ndihemi të lumtur.

Nëse unë do të thoja të kundërtën, çfarë do të mendonit?

Që lumturia është brenda nesh dhe ne mund ta gjenerojmë atë pavarësisht se çfarë perceptojmë si lumturi me anë të 5 shqisave? Se lumturia është një gjendje e cila mund të krijohet kurdoherë prej nesh, pavarësisht rrethanave?

Për t’jua vërtetuar do t’ju kërkoja për disa minuta të mbyllni sytë dhe të merrni frymë thellë, disa herë – frymëmarrje dhe frymënxjerrje. Përqëndrohuni në trupin tuaj dhe ndjeni frymëmarrjen. Mendoni për një moment që jeni fatlumë dhe po merrni frymë! Relaksojeni mendjen dhe trupin… Tani do doja të ktheheshit pas në kohë në momentin tuaj më të lumtur. Për dikë është përfundimi i studimeve; ardhja e fëmijës në jetë; një udhëtim i paharruar; puna e dëshiruar; hyrja në shtëpinë e ëndrrave… ju mendoni çfarë ju ka bërë të lumtur në ato momente. Silleni ndjesinë në këtë moment.

Çfarë keni ndjerë, emocionet, adrenalinën dhe kiminë, si keni folur, çfarë keni ndjerë në trup. Qëndroni për disa momente në ato emocione. Unë po buzëqesh tani që po shkruaj, sepse vetëm ndjesia e të menduarit për lumturinë më bëri të buzëqesh. Lejojeni këtë ndjesi të zmadhohet përtej zemrës dhe trupit tuaj. Jepini formën e dhomës, shtëpisë, qytetit apo shtetit ku jetoni. Ndoshta dhe kontinentit, universit… jepini jetë dhe ngjyra lumturisë tuaj… dhe merrni frymë normalisht duke lejuar ndjesinë të përcillet në çdo qelizë tuajën…

Rrini disa momente në atë thellësi qetësie dhe kur të jeni gati, relaksohuni dhe ndjeni trupin tuaj, karrigen ku jeni ulur… dhe gradualisht hapni sytë. A nuk ishte ndjesi e bukur së cilës do të donit t’i ktheheshit vazhdimisht? Lajmi i mirë është që mund të përsërisni këtë ushtrim sa here të doni, duke i dhënë ushqimin e duhur shpirtit tuaj.

Lumturia nuk është destinacion… që të shkoni dhe të jeni të lumtur. Këto janë gënjeshtrat tona që i besojmë gjithë kohës dhe pa kuptuar pse. Lumturia është gjendje, ndjesi që krijohet duke u fokusuar në atë çfarë duam të ndihemi dhe jo rrethanat, faktorët apo njerëzit. Natyrisht, këto të fundit i shtojnë një dimension tjetër dhe e bëjnë të perceptueshme, por në çdo moment ne jemi gjeneruesit e lumturisë sonë. A nuk është kjo e mrekullueshme? A nuk na bën kjo të fortë? A nuk do të ishte mrekulli t’i mësonim fëmijëve tanë këtë gjë për jetën?

Besoj që kushdo do të thoshte po, veçse nuk e kuptojmë se si.

Ka disa teknika që na afrojnë me lumturinë:

  1. Falja e vetes dhe të tjerëve
  2. Mirënjohja
  3. Harmonia midis dimensioneve tona: trup – mendje – shpirt.
  4. Observimi i mendimeve dhe emocioneve tona.
  5. Liri nga paragjykimi për veten, të tjerët dhe gjithshka rreth nesh.
  6. Të krijosh jetën tënde me anë të zgjedhjeve dhe ta shikosh veten si viktimë
  7. Harmonia midis Teje dhe Egos, duke kaluar nga “Unë” tek “Ne”
  8. Të trajnosh veten që të shikosh gjysmën e gotës plot dhe jo atë bosh. Të menduarit abundant të jep ndjesinë e lumturisë.
  9. Lumturia është kur dashuron pa kushte, së dashuri nuk do të thotë ta zotërosh diçka por ta adhurosh.
  10. Të qeshësh ndihmon fiziologjinë dhe psikologjinë e njeriut të relaksohet dhe të mendojë në mënyrë efiçente.
  11. Lumturi do të thotë paqe me veten dhe të tjerët
  12. Lumturia arrihet kur jeton qëllimshëm, kur ke zbuluar qëllimin tënd në jetë dhe punon me vetëdije për ta arritur atë, duke lënë një trashëgimi për ata që vijnë pas.

Do të shtoja edhe shumë të tjera por numri 12 më pëlqen se është dita ime e lindjes dhe ka shumë referenca të tjera kuptimplota. Pra, sot me rastin e Ditës Boterore të lumturisë ju uroj të ndiheni TË LUMTUR dhe të vendosni ta arrini atë. Nëse unë mundem, edhe ti mundesh.


Foto nga Visual Hunt