5 Qershor, 2019

Si të vendosni objektiva për Vitin e Ri

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Suksesi lidhet me qartësimin e vetes sonë në lidhje me çfarë duam të arrijmë, duke përcaktuar objektivat! Jeta bëhet e mrekullueshme kur përcaktojmë qartë objektivat se çfare dëshirojmë, hartojmë një plan për arritjen e tyre dhe “djersijmë” çdo ditë për t’i arritur ato. Nuk ka formulë tjetër!

Hapi i parë është reflektimi mbi vitin që kaloi, mbi çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo, çfarë do të kishim bërë ndryshe dhe çfarë duam të ndryshojmë (Lexo: Koha Për Reflektim).

Qëllimi i reflektimit mbi arritjet e vitit të kaluar nuk është të kritikojmë veten apo të ndihemi keq në lidhje me rezultatet (që në fakt janë produkt i mënyrës së deritanishme të të menduarit dhe mendësia) por të analizojmë me mendje të hapur dhe të shikojmë çfarë kemi arritur dhe mund të kishim bërë më mirë; çfarë duhet të ndryshojmë apo përfshijmë në mënyrë që të arrijmë atë çka dëshirojmë në jetën personale apo profesionale.

Bëni një bilanc të vitit që lamë pas (arritje, mësime për të nxënë, të ardhura – shpenzime, raporti menaxim i vetes-kohës, etj) dhe pa këtë moment analize apo reflektimi e kemi të vështirë për të përcaktuar ku jemi në këtë moment dhe çfarë duam të arrijmë për vitin që po vjen, duke hartuar një plan konkret objektivash që duam të arrijmë.

Hapi i dytë është përcaktimi i një liste qëllimesh apo objektivash që duam të arrijmë gjatë vitit që po vjen. Këto objektiva mund të jenë të njëjta, vazhdimësi apo krejtësisht të reja, në varësi të asaj çka ju dëshironi të arrini.

Si ndihmë, mund të përdorni metodën e 10 objektivave, duke marrë një fletë A4 apo bllok shënimesh, dhe në të shënoni “Objektivat për vitin e ri”. Më pas listoni një nga një të 10 objektivat.

 

OBJEKTIVAT PËR VITIN E RI:

1.

2.

3.

4.

5.

6.

7.

8.

9.

10.

 

Unë personalisht, përdor disa kategori për objektivat, si:

Shëndeti dhe fitnes   [1]                             Marrëdhëniet    [2]                       Financat[3]

Por për thjeshtësi dhe nëqoftë se është hera e parë që bëni këtë ushtrim, listoni vetëm 10 objektivat që doni të arrini. Përdorni teknikën “magjike” të të menduarit dhe arritjes së objektivave pa u fokusuar në këtë fazë si mund ta arrini atë (nëse do të ndalojmë dhe mendojmë se si do ta arrijmë, do të limitojmë dhe ndrydhim mënyrën e të menduarit dhe imagjinatën “jashtë kutisë”. Mendojini sikur çdo objektiv është e mundur të realizohet (mos e gjykoni veten në këtë fazë pasi në të kundërt do të përfundoni me objektiva të limituara pa nxjerrë veten nga zona e “rehahisë”). Dhe rritja ndodh vetëm jashtë zonës së “rehatisë”! MOS E HARRONI KËTË FAKT!

SI T’I SHKRUAJME OBJEKTIVAT:

  1. Shkruajini në kohën e tashme, sikur janë realizuar. P.sh. Të ardhurat e mia vjetore të realizuara gjatë vitit të ri janë xxx lekë. Kjo për arsyen se nënvetëdija merr dhe regjistron komanda që janë në kohën e tashme.
  2. Shkruajini objektivat në sensin pozitiv, si afirmime pozitive. P.sh një objektiv për vitin e ri është: Unë jam e shëndetshme dhe vitale! dhe jo të shkruajmë: Objektivi im për vitin e ri është që të mos sëmurem!!!
  3. Shkruajini objektivat në vetën e parë: Unë… (shiko pika 2)
  4. Identifikoni pengesat që ju duhet të kaloni për të arritur objektivat tuaja.
  5. Identifikoni aftësitë, njohuritë dhe informacionin që ju duhet.
  6. Hartoni një plan zbatimi duke përcaktuar dhe afatet/njerëzit apo partneritetet që ju duhen.
  7. Filloni zbatimin e planit.
  8. Praktikoni të menduarin e thelluar (mindstorming) për mënyrën se si mund të realizoni objektivat (tani është momenti për të menduar “Si mund ta arrij?”. Shkruani të gjitha përgjigjet duke mos nënvleftësuar asnjërën – asnjëherë nuk i dihet!)
  9. Zhvilloni zakonin e vetë-disiplinës.
  10. Praktikoni vizualizimin e arritjes së objektivave (një teknikë shkencore e përdorur me sukses nga sportistët në arritjen dhe kapjen e objektivave të tyre).
  11. Rregull i përgjithshëm: objektivat duhet të jenë SMARTER[3]

E kështu me rradhë listoni 10 objektivat tuaja.

Pasi i keni listuar bëjini këtë pyetje vetes: Cili nga objektivat në këtë listë, nëse do ta realizoj që tani, do të ketë ndikimin më të madh pozitiv mbi mua? Përgjigja që do të jepni do të përcaktojë objektivin primar që ju duhet të fokusoheni dhe të arrini.

Duke përcaktuar këtë strategji për vitin e ri ju po krijoni të gjitha premisat për sukses në arritjen e objektivave.

Çfarë mund të bëni sot që të mund të jeni më pranë objektivave tuaja? Çdo ditë vlen!

Mund të duket shumë i thjeshtë si plan por vështirësia qëndron në zbatimin e tij. Jepini një shans këtij proçesi dhe do t’jua shpërblejë!

Shënime: 

[1] Këtu  përfshihen marrëdhëniet në çift, me familjen direkte, familjen e madhe si dhe marrëdhëniet në punë, shoqëri. Mund të mbahet si kategori e përgjithshme apo nëse doni ta detajoni përdorni fletë të veçanta për secilën kategori.

[2] Këtu përfshihen biznesi, karriera si dhe kursimet.

[3]

S- specifike
M- matshme
A – arritshme
R – realizueshme
T – në kohën e duhur
E – e vlerësueshme
R- e rishikueshme

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *