23 Gusht, 2019

Si të kalojmë nga gjendje Fokusi në Relaks

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Fokus vs Relaks

Ju ka ndodhur ndonjëherë të shpreheni: “U lodha nga mendimet” apo ”Nuk më hiqet nga mendja…” ose akoma më keq “Pushon ndonjëherë së menduari?”

Të gjithëve na ndodh të fokusohemi në diçka dhe e kemi të vështirë ta largojmë mendjen… Apo nga ndonjë debat në punë me kolegen/un… ose me familjarët… Dhe kjo nuk ndodh vetëm kur kemi mendime apo debate negative. Kjo ndodh edhe kur jemi të gëzuar apo mezi presim të vijnë pushimet… apo kur presim diçka me padurim. Por e kemi pyetur veten ndonjëherë pse na ndodh kjo? Pjesa dërrmuese do të përgjigjen me një JO të madhe. Edhe unë nuk e kisha menduar këtë pyetje më parë, të paktën deri kur fillova programin për t’u bërë Neurocoach në 2017.

Truri ynë funksionon nëpërmjet disa qarqeve të cilat kanë funksione të ndryshme dhe ndër ato që janë përgjegjëse për t’u fokusuar dhe relaksuar janë përkatësisht Qarku Ekzekutiv dhe ai Automatik, siç mund t’i shikoni në tabelën e mëposhtme nën emrat Central Executive Network – fokus dhe Default Mode Network- relaks:

Tabela 1: Qarku Ekzekutiv, Qarku i relaksit dhe Qarku i Inteligjencës Emocionale

Në ditët e sotme është bërë praktikë puna me orë të zgjatura për të patur një produktivitet më të lartë dhe si pasojë “rraskapitja” po krijon një disbalancë trupore, mentale, emocionale dhe shpirtërore. Kjo po konsiderohen si epidemia e këtij shekulli. Përveç orëve të zgjatura në punë, vartësia nga celularët po zgjasin orarin e punës në 16 orë minimalisht duke mos i lënë mundësi trurit të relaksohet..

Studime të ndryshme i referohen tendencave të sotme ku punonjësve u kërkohet të punojnë jashtë orarit, ndërkohë që lodhja po ndikon në zgjatjen dhe cilësinë e gjumit.

Le ta shikojmë situatën në 2 këndvështrime:

  1. Paaftësia jonë për të ndarë kohën e punës me atë rikrijuese/personale
  2. Vështirësia për t’u fokusuar pas një momenti relaksues (fundjavë, pushime, etj.)

Bota sot është para një sfide të vazhdueshme. Koncepti i botës V.U.C.A (e paqëndrueshme/ e pasigurtë/komplekse dhe shumë kuptimëshe) shpjegon se çdo ditë na duhet të marrim vendime të shpejta në kushtet e një lëvizjeje marramendëse të informacionit dhe zhvillimit të teknologjisë.

Truri ynë, që të funksionojë si duhet dhe jetë i shëndetshëm, ka nevojë të relaksohet vazhdimisht gjatë ditës. Në fakt truri ynë e kryen këtë proçes në mënyrë automatike por nëse nuk bëhet në mënyrë të vetëdijshme, ndeshemi me një “livadhisje” të vazhdueshme të mendjes dhe si pasojë paaftësi përqëndrimi (këtë temë do e trajtojmë në një artikull të veçantë).

Duket si e pamundur për t’i dhënë kohë vetes dhe shplodhur gjatë orarit të punës por ju mund të përdorni këto 2 teknika të thjeshta çdo 1 orë pune dhe jam e sigurtë që do të shikoni ndryshime:

  1. Pushime të vogla nga 1-5 minuta ndihmojnë shumë për të shplodhur trurin dhe rifilluar më i/e freskët. Bëni një skanim të shpejtë të trupit tuaj pasi keni bërë një frymëmarrje të thellë dhe keni vëzhguar ndjesitë në trupin tuaj. Nëse mendimi ju kthehet përsëri thjesht vëzhgojeni dhe lejojeni atë të largohet si retë në qiell. Mos gjykoni, thjesht vëzhgoni.
  2. Disa streçime të thjeshta të trupit por duke lëvizur shumë ngadalë dhe observuar muskujt që ndjeni të kontraktuar apo ju dhembin. Fokusohuni vetëm në atë muskul/j. Asgjë tjetër. Duke u përqëndruar vetëm në një pjesë të trupit relaksohen edhe pjesët e tjera.

 

Ndërsa kur shkoni në shtëpi dhe e keni të vështirë të relaksoheni për shkak të problemeve në punë atëherë ndiqni këtë rutinë:

  • Pas kthimit nga puna mund të bëni ecje në natyrë ose shkoni në palestër. Ushtrimet ndikojnë shumë pozitivisht në shkëputjen me problemet e punës.
  • Bëni një dush sapo të ktheheni në shtëpi për t’i dhënë sinjal trurit që është koha për pushim.
  • Shmagni leximin e gazetave në mbrëmje apo lajmet/emisionet televizive të lodhshme.
  • Lëreni mënjanë celularin apo kontrollin e emaile-ve.
  • Shikoni çfarë ju bën të ndiheni mirë duke u marrë ndoshta dhe me ndonjë hobi tuajin.
  • Gatimi është një mënyrë relaksuese dhe ju bën të ndiheni mirë veçanërisht kur angazhoheni me familjarët tuaj duke përgatitur diçka së bashku.
  • Dëgjoni muzikë apo lexoni një libër.
  • Shoqërizimi ndikon pozitivisht në largimin e mendjes nga shqetësimet e punës.
  • Meditimi mbetet një nga praktikat më të mira për relaksimin e mendjes.
  • Një gjumë  cilësor do t’ju bëjë të zgjoheni i freskët të nesërmen dhe të jeni produktivë.

 

Të gjitha duken shumë të thjeshta por pjesa dërrmuese nuk i bëjnë. Albert Einstein thotë: “Mos u budallepsni nga thjeshtësia e gjërave”. Një mendje e relaksuar ju bën të ndiheni të lumtur dhe si pasojë më produktivë.

Për të folur mbi kalimin nga gjendja e relaksit në fokus më ndiqni në shkrimin e rradhës.

Foto nga freepik.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *