26 Korrik, 2019

Raporti i Njeriut me Universin; Ligji i Tërheqjes

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Raporti që ka çdo individ me Universin është shumë personal, një eksperiencë personale ku secili prej nesh zgjedh një rrugëtim të caktuar. Rrugëtimi im shpirtëror ka ndikuar shumë në raportin tim me universin për të kuptuar që unë vetë jam pjesë e së tërës ashtu siç një qelizë e trupit është pjesë e trupit të tërë – një qenie shumë e rëndësishme për vendimet që merr, por edhe aq e vogël në të njëjtën kohë. Po ta shikojmë veten në raport me shtetin, kontinentin, planetin tokë, me galaktikën tonë apo të tjera ne bëhemi pothuajse asgjë. Kjo më ka bërë të kuptoj në një moment të caktuar të karrierës time që sa pak dimë, sa shumë nevojë kemi për të kuptuar se çfarë ndodh.

Kur kuptojmë që jemi kaq të vegjël në këtë informacion, sikur bëhemi më modestë dhe modestia është një virtyt dhe cilësi shumë e rëndësishme për drejtuesit në ditët e sotme.

Mund të vësh re individë të ndryshëm që kur realizohen në karrierë përjetojnë një ndjesi arrogance kur arrijnë shumë (arritja e diçkaje është pozitive), por prap se prap ajo që ti di në raport me të tërën mbetet hiçgjë. Kjo të vendos në një pozicion më modest dhe më tolerant.

 

Ligji i Tërheqjes

Ligji i Tërheqjes është një nga ligjet universale që vepron 24/7 e kuptojmë ne apo jo, duam apo nuk duam, ai është gjithmonë në veprim, ashtu si ligji i gravitetit. Por ndryshe nga ligjet e tjera që mund t’i vërtetojmë me pasoja fizike (ligji i gravitetit për shembull), ne nuk e kemi vëzhguar asnjëherë ligjin e tërheqjes për të kuptuar se si funksionon. Janë mendimet që ne kemi gjatë gjithë kohës që bëhen dominante dhe kështu ato tërheqin mendime të ngjashme, situata, ngjarje apo njerëz që edhe mund të mos i pëlqejmë sepse ligji i tërheqjes vepron edhe në drejtim negativ nëse mendimet tona janë negative.

Nëse ti fokusohesh në një gjë që nuk e do, ti po e bën dominant atë lloj vibrimi sepse përveç ligjit të tërheqjes është edhe ligji i vibracionit (këto janë ligje universale). Ligji i tërheqjes bëhet efiçent nëse ti vepron, nëse ti mendon pozitivisht, nëse ti thua “Unë do t’ja arrij”, patjetër që do t’ja arrish sepse ke krijuar bindje dhe besime brenda teje që të lejojnë të arrish gjërat që do.

Foto nga Freepik

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *