30 Mars, 2022

FUQIA E BESIMEVE – efekti PLACEBO

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Në shkrimin e kaluar fola mbi besimet dhe çfarë ndikimi kanë ato në jetën tonë. Në këtë artikull do flas për efektin PLACEBO që ka të bëjë pikërisht me fuqinë e besimeve. Por përpara se ta shpjegoj se çfarë nënkuptoj po ndaj me ju një histori domethënëse në lidhje me efektin e PLACEBOs.

Në vitin 1957 Bruno Klopfer, psikolog pranë universitetit UCLA, shkroi një artikull i cili bëri shumë bujë në atë periudhë. Ai flet mbi një pacient të cilin e quajti “z. Wright” duke nënvizuar faktin që ai vuante nga një gjendje e avancuar kanceroze e gjëndrave limfatike. Trupi i tij nuk po reagonte ndaj mjekimeve konvencionale por edhe pse mjekët i kishin hequr shpresat për ndonjë shërim të mundëshëm, z. Wright ende nuk i kishte humbur, veçanërisht kur mori vesh që spitali ku ishte shtruar ishte pjesë e një programi kërkimesh të një medikamenti të quajtur Krebiozen. Pas shumë lutjesh, edhe pse nuk ishte pjesë e grupit eksperimental, Wright mori dozën e Krebiozen dhe pas 2 ditësh vërtitej nëpër spital duke qeshur dhe bërë shaka me personelin mjekësor sikurse të ishte një person tjetër. Mjeku që e ndiqte, Dr. West konstatoi një zvogëlim të ndjeshëm të tumoreve, rreth 50% dhe mjekët vendosën që pas 10 ditësh ta nxjerrin nga spitali si të shëruar.

Kaluan 2 muaj dhe z. Wright lexoi në media që eksperimenti me Krebiozen nuk kishte dhënë rezultatet e dëshiruara. U ndje i shokuar nga lajmi dhe pas pak tumoret tashmë të zvogëluara ndjeshëm filluan të rriten. Kontaktoi menjeherë mjekun West i cili e dinte që sëmundja e z. Wright ishte terminale dhe rezultatet ishin nën efektin PLACEBO dhe duke menduar që pacienti terminal nuk do të humbiste asgjë vijoi duke i shpjeguar atij që kërkimet kishin nxjerrë të dhëna të reja të përmirësimit të Krebiozen dhe sapo të ishte gati do të kishte mundësi ta bënte si injeksion.

No alt text provided for this image

Wright ishte i gatshëm të bënte dozën e dytë dhe pas saj u ndie përsëri shumë mirë, duke besuar tërësisht në efektin e medikamentit. Por injeksioni i dytë nuk kishte medikamentin por ishte një injeksion me ujë të distiluar.

Përsëri pas injeksionit, tumoret u zvogëluan ndjeshëm, ai u kthye në shtëpi dhe ndihej shumë mirë për gati 2 muaj, pa tumore në trupin e tij.

Në atë kohë kur z. Wright po ndihej shumë mirë, Shoqata Amarikane e Mjekësisë nxorri njoftimin se Krebiozen kishte rezultuar pa efekt tek pacientët dhe ishte thjesht një përbërje aminoacidesh. Sapo e dëgjoi njoftimin z. Wright u dorëzua duke kuptuar që Krebiozen nuk bënte efekt, dhe 2 ditë më pas u largua nga jeta.

A ishte ky një rast ku mjekët duhet të reflektonin mbi një fakt të rëndësishëm që besimet dhe qëndrimi ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shëndet?

Janë bërë shumë studime nga klinika Mayo, Universiteti Yale , Universiteti Duke apo Shoqata Amerikane e Zemrës (duke përmendur vetëm disa prej tyre) të cilat po konfirmojnë se besimet e duhura dhe një qëndrim pozitiv mund të ndihmojë pacientët t’ia dalin më mirë me sëmundjet e tyre. Dhe mbi të gjitha se si mendësia jonë – nëse gjeneron pozitivitet, gëzim dhe optimizëm apo negativitet dhe pesimizëm ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin, jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës.

No alt text provided for this image

Mendoj qe ka ardhur momenti të mendojmë seriozisht mbi këtë fakt dhe cfarë ndryshimesh duhet të bëjmë në mënyrën se si mendojmë, besimet që kemi, zakonet e përditshme dhe nëse na shërbejnë apo jo!!!

Dhe pyetja klasike nëse mjekët duhet t’i thonë të vërtetën pacientit pa bërë një vlerësim të plotë mbi fuqinë autosugjestive të tij/saj???

Është një pyetje që ngacmon shumë debate dhe do isha e interesuar për këndvështrimin tuaj nga eksperiencat personale apo të të afërmve dhe miqve tuaj.

Studime të tjera po tregojnë se si besimet dhe perceptimet kanë një ndikim të lartë në performancë mendore gjatë provimeve. Shumë studime po vërtetojnë çdo ditë e më shumë fuqinë e besimeve dhe perceptimeve në aspekte të ndryshme të jetës. Dhe ketu i referohem efektit të PLACEBO-s[1] dhe NOCEBO-s[2]

A mund të bëhemi ne PLACEBO e vetes sonë?

Mendoj që po… Ajo që ne mendojmë dhe besojmë do të manifestohet si realitet duke krijuar kështu eksperiencat tona. Brenda trupit tonë ne kemi “FARMACINË” me medikamente shëruese apo toksike. Varet se si i orientojmë mendimet, besimet[3] dhe perceptimet tona.

“Mjeku i së ardhmes nuk do të jetë ai që jep medikamente por që ndërgjegjëson pacientët për të marrë mbi vete përgjegjësinë e shëndetit të tyre”

 

Po e mbyll me shprehjen e Tomas Edison i cili thotë: “Mjeku i së ardhmes nuk do të jetë ai që jep medikamente por që ndërgjegjëson pacientët për të marrë mbi vete përgjegjësinë e shëndetit të tyre” Dhe këtu do të shtoja jo vetëm të shëndetit fizik por edhe mental, emocional dhe shpirtëror.

[1] PLACEBO – kur ti beson që diçka funksionon

[2] NOCEBO – kur ti beson që diçka nuk funksionon

[3] Besime – mendime të përsëritura në mënyrë të vazhdueshme që krijohen gjatë viteve, apo nga ngjarje të forta emocionale.

Nëse doni të lexoni më shumë për fushën e zhvillimit personal më ndiqni me shkrimet e tjera duke u regjistruar tek www.anilabashllari.com ose në kanalin tim në youtube: anilabashllari

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *