23 Gusht, 2019

Pasioni – a duhet gjetur patjetër?

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Labirinti “Pasion”

A e kam gjetur unë profesionin e jetës?

Pasioni lidhet me kryerjen e një aktiviteti specifik që premton t’ju sjellë lumturi dhe kënaqësi në punën tuaj çdo ditë. Të gjithë jemi në kërkim të pasionit tonë, asaj ndjenje që do të na zgjojë të lumtur çdo mëngjes, që do të na bëjë të ndihemi mirë gjatë punës. Dhe ne shpesh frustrohemi sepse mendojmë se potencialet tona nuk po shfrytëzohen dhe koha po ikën.

Pyetja gjithmonë shtrohet gabim sepse duhet të jetë e kundërta: Çfarë di të bëjë më mirë një person dhe si duhet ta gjejë ai/ajo rrugën për të ushtruar aftësitë? Ne të gjithë e dijmë se çfarë mund të bëjmë mirë. Dikush shkruan mirë një artikull, një tjetër bën mirë bilancin e një kompanie. E vërteta është se nëse fillojmë të bëjmë pyetje vetes, ne do ta zbulojmë se çfarë dijmë të bëjmë mirë, cilat aftësi na bëjnë të ndihemi të vlefshëm, rehat kur punojmë.

Pasioni mund të “krijohet”

Dhe këto mund të jenë aftësi që duhen ushqyer dhe zhvilluar dhe mund të kthehen në pasion me kalimin e kohës, por mbase ju jeni në ambientin e gabuar të punës, nuk keni fleksibilitetin e duhur apo nuk keni motivim mjaftueshëm nga kompania – dhe këto mund të jenë arsye që ju t’i nënvlerësoni aftësitë që keni. Mungesa e këtyre elementëve nganjëherë mjegullon atë çka po bëjmë dhe neve na duket sikur nuk jemi destinuar për një profesion të caktuar. Ka disa elementë që mund ta bëjnë një punë kuptimplotë dhe të dëshirueshme nga ne. Talenti është vetëm një element – shpesh herë jo edhe aq i rëndësishëm. Prandaj, në vend që të kërkojmë vetëm për një shkëndijë, një aftësi që do të duam ta zhvillojmë dhe ushtrojmë si profesion, duhet të analizojmë shumë aspekte të vetes dhe punës tonë.

Eksperimento me veten

Nëse ti e di me siguri se cili është pasioni yt, e ke shumë të thjeshtë të ndërtosh një karrierë të suksesshme. Nëse je ende duke kërkuar, je në rrugën e duhur. Sepse çdo eksperiencë pune do të të ndihmojë të zbulosh diçka më shumë për veten dhe do të të drejtojë drejt asaj që të bën të ndihesh mirë dhe i/e dobishme. Sa më shumë eksperienca pune, aq më shumë do të njohësh veten, do të reduktosh pritshmëritë dhe do të fokusohesh në gjënë e duhur.

 

Foto nga freepik.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *