23 Dhjetor, 2019

Negativja dhe pozitivja

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Muaji Dhjetor është shumë i bukur por edhe intensiv për të gjithë ne. Jemi gjithmonë në vrapim pas gjithçkaje; duke punuar fort të realizojmë planet, objektivat që i kemi vënë vetes, blerjet dhe dhuratat për festat e fundvitit. Por secilit nga ne, në këto çaste rrëmuje të këndshme i duhet një moment vetëqetësie dhe reflektimi mbi jetën; të atij lumi të gjatë ku kemi rrjedhur për plot 365 ditë. Dhe ndoshta kur ju të ndiheni të lodhur, të rraskapitur, të pavendosur dhe ndoshta të mërzitur me çfarë keni kaluar…është momenti i duhur të uleni dhe merrni letër e laps duke shkruar në të zemrën dhe mendjen tuaj.

Filloni të listoni gjërat negative që ju kanë ndodhur gjatë vitit 2019. Listojini në largësi nga njëra-tjetra duke lënë hapësirë që përkrah secilës të arrini të shkruani qoftë dhe diçka pozitive që nxorrët nga ajo eksperiencë, qoftë dhe vetëm 1 mësim. Le të fillojmë së bashku: ju me një neurocoach në krah duke mësuar se çdo gjë e keqe ka diçka pozitive brenda saj (thjesht tregohuni mendje hapur për ta shikuar jetën në kompleksitetin dhe thjeshtësinë e saj).

• Së pari, le të flasim për dhimbjen që mund të keni përjetuar. Edhe pse në momentet e dhimbjes jeni ndjerë shumë keq, thellë brenda vetes ju e keni kuptuar që ajo ju ka forcuar akoma më shumë emocionalisht dhe shpirtërisht. Çdo plagë e marrë ka lënë shenjë në kujtesën tuaj, por sa herë që do ta rikujtoni duhet të bëni diçka që ju sjell kënaqësi ndërkohë që mendoni, qoftë edhe një përkëdhelje e lehtë e duarve apo krahëve. Mund ta kujtoni çfarë ju ka ndodhur si një memorie, por jo emocionalisht. I fortë nuk është ai që nuk rrëzohet, por personi që pasi është rrëzuar – ngrihet përsëri.
• Pengesat janë pjesë e rrugëtimit të kujtdo dhe jo vetëm në rrugëtimin tënd. Por nëse keni zotëruar brenda vetes aftësinë që të mësoni prej tyre , ato do t’ju shndërrojnë në një person më të fortë dhe me vetëdije më të lartë. Çdo vështirësi dhe pengesë e rrit fleksibilitetin konjitiv të trurit duke e përgatitur atë që të reagojë me lehtësi ndaj tyre. Kujtoni vështirësitë që keni hasur në ngjitjen e një mali herën e parë. Ju është dukur ndoshta dhe e pamundur. Por hera e dytë dhe më pas ka qënë më e lehtë. Jam e sigurt për këtë.
• Të gjithë gabojnë, por rëndësi ka reflektimi pas çdo gabimi dhe çfarë keni mësuar. Reflektimi ndaj gabimeve vetjake ju pajis me njohuri më të mëdha për të kaluar çdo pengesë. Nëse ju keni pranuar dhe falur veten për gabimet që keni bërë ju do të jeni ndryshimi në mes masës së njerëzve duke zbuluar brenda vetes tuaj aftësitë e veçanta të karakterit që zotëroni.
• Vështirësitë do ta bëjnë zemrën tuaj një mburojë më të fortë, të pathyeshme dhe të paprekur nga gjendje të njëjta me ato që keni përjetuar. Ti tashmë je bërë më i fortë në çdo aspekt të jetës, sepse vështirësitë janë “provimet” e jetës të cilat ti i ke kaluar dhe ke zhvilluar veten për më tej.
• Humbjet monetare që keni pësuar mund t’ju demoralizojnë për momentin, por forcimi i karakterit do ju ndihmojë t’ia dilni përsëri. Karakteri i formuar është ai që nuk ju lë kurrë në baltë. Ti mund të zgjedhësh të krijosh harmoninë midis të mirave materiale dhe rritjes tënde personale e profesionale. Pas çdo humbje dhe kapërcimi të saj ajo çfarë mbetet gjithmonë në jetë është aftësia juaj për të rifituar ato çfarë keni humbur. Dhe kjo është dhurata më e madhe që na është dhënë ne – njerëzimit.
• Mosarritjet e synimeve ju kanë “mbytur” për momentin dhe lënë në një cep në të cilin nuk do të doje të gjendeshe. Por shikoni anën pozitive: ky moment është ai i duhuri për t’ju dhënë forcë që të ecni përpara pa u trembur nga asgjë, madje të luftoni më fort se më parë pasi e keni kuptuar që nuk keni dhënë maksimumin nga vetja juaj.

Natyra është mësuesi më i mirë për të gjithë ne duke na treguar që gjithçka negative mbart edhe pozitiven sikurse çdo pozitive ka elementët negativë në të. Tani do të doja të ndalonit pak dhe reflektonit mbi këtë informacion. Bëni një frymëmarrje të thellë dhe shkruani të gjitha gjërat negative që ju mendoni se ju kanë ndodhur. Shkruani rëndom duke lënë hapësirë për të shkruar përkrah ngjarjeve negative elementët pozitivë që ato mbartin. Ky është një moment shumë i bukur reflektimi. Bëjeni ushtrimin e plotë dhe nëse keni pyetje shkruani në blog ose në Facebook apo Linkedin.

admin:

Thank you very much!

Silver Kordic Korda:

Tekstet e Juaj janë shumë interesant dhe informatik. Shkruani me një stil gjuhësor tërheqës dhe të këndshëm. Ndoshta duheni syzhen/ sentencën e teksteve (mjaft të gjatë- për gjeneratën digjitale) ti postoni në faqen frontale të Linkedin (1300 gërrma); si hyrje, si parainformim, njohtim mbi temën/ porisinë / mesazhin, qëllimin e tekstit kryesor...??? Nderim të lartë dhe respekt!

Florije:

Znj.Anila gjithmone frymezim !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *