6 Qershor, 2020

Mund të zotërojmë një imunitet të fortë?

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Të gjithë do të dëshironim një sistem imunitar të fuqishëm i cili mund t’i luftojë sëmundjet, infeksionet apo alergjitë e ndryshme. Në tërësi sistemi juaj imunitar bën një punë të jashtëzakonshme për t’ju mbrojtur nga mikroorganizma apo baktere të ndryshme. Por ndonjëherë ai dështon: një mikrob ju pushton me sukses dhe arrin t’ju mposhtë. Juve shpesh mund t’ju ngrihen dyshime të ndryshme mbi forcën e imunitetit tuaj dhe sigurisht me të drejtë. A është e mundur që ju të ndërhyni në proçese dhe ta forconi atë? Keni menduar shpesh si zgjidhje dietat, substancat mjekësore apo përgatitjet bimore? Ndoshta do t’ju serviren mundësi të reja të një jetese, shpesh ndryshe, me shpresën për të zotëruar një përgjigje imune gati perfekte.

Ideja që mund të forconi sistemin tuaj imunitar shfaqet sa herë ndiheni jo mirë me shëndet por në ato momente duket e pamundur. Sistemi juaj imunitar nuk është vetëm funksional, pra ai për të funksionuar mirë kërkon ekuilibër dhe harmoni me organet dhe proçeset e tjera trupore. Duhet theksuar se mënyra e të jetuarit kanë ndikim kryesor mbi zhvillimin dhe forcimin e imunitetit tuaj dhe për t’ia arritur kësaj është e nevojshme vendosja e një balance në regjimin tuaj ushqimor, stërvitjen fizike të vazhdueshme, kujdesin emocional, mendor dhe shpirtëror. Eshtë parakusht i panegocijueshëm ndjekja e një jetese të shëndetshme për të pasur një sistem të fortë imunitar.

Në mënyrë që të fitoni “luftën” me bakteret apo mikroorganizmat që synojnë imunitetin tuaj, ju duhet të krijoni një “flotë” në mbrojtje të shëndetit tuaj duke u fokusuar në drejtimet e mëposhtme:

• Së pari duhet të zgjidhni një mënyrë jetese të shëndetshme. Ndjekja e udhëzimeve të përgjithshme është hapi i parë që duhet të praktikoni për të mbajtur sistemin imunitar të forcuar. Çdo pjesë e trupit tuaj, por sigurisht edhe sistemi imunitar funksionon më mirë kur mbrohet nga sulmet mjedisore dhe forcohet nga strategjitë e jetesës së shëndetshme, si: mos konsumi i duhanit, zbatimi i një regjimi ushqimor të balancuar midis proteinave, karbohidrateve, yndyrnave dhe frutave, aktiviteti i rregullt fizik, aplikimi i meditimit dhe yoga-s, konsumimi i ulët i alkoolit, mbajtja e peshës brenda normave individuale etj.

• Së dyti, ushtroni aktivitet të rregullt fizik pasi ju e dini se është një nga shtyllat e mirëqenies. Përfitimet janë të shumta si: shëndet i mirë kardiovaskular, ulja e presionit të gjakut, peshë ideale e trupit apo mbrojtja nga sëmundje të ndryshme. Sa më shumë që të ushtroheni dhe sidomos rregullisht, truri juaj do të jetë më i çlirët dhe më elastik. Kështu ju do të krijoni komoditet për qelizat mbrojtëse të cilat do të lëvizin lirshëm duke e bërë punën më efikase.

• Së treti, dhe shumë e rëndësishme është shëndeti juaj mental dhe emocional, ndikimi i të cilave është i drejtpërdrejtë në sistemin tuaj imunitar. Gjendjet e pakontrolluara të ankthit, panikut dhe stresit përcaktojnë më së miri forcën tuaj imunitare. Kujdesuni që të organizoni një jetë të qetë dhe të shëndetshme përfshin qëndrimin tuaj pozitiv ndaj jetës si dhe mundësisë që të keni një mendje të shëndetshme.

• Së katërti, një gjumë cilësor është po aq i rëndësishëm sa ushqyerja dhe aktiviteti fizik. Mungesa e vazhdueshme e gjumit ndryshon mënyrën e funksionimit të qelizave imune të trupit. 8 orë gjumë gjatë natës ndihmojnë në përmirësimin e sistemit tuaj imunitar, duke ulur mundësinë e ftohjes apo sulmit nga mikroorganizmat.

• Së pesti, për të pasur një sistem të fortë imunitar rekomandohet konsumi i ushqimeve të fermentuara, të cilat përmbajnë probiotikë natyralë. Probiotikët janë bakteret e mira të cilat forcojnë sistemin imunitar, ndihmojnë tretjen dhe përthithjen e lëndëve ushqyese nga sistemi i qarkullimit të gjakut. Mund të shtoni në dietën tuaj kos, kombucha, kefir, djathë dhie, ullinj etj, për të rritur aktivitetin e antioksidantëve, luftuar bakteret dhe inflamacionin.

• Së gjashti, duhet treguar kujdes për sistemin tuaj tretës pasi ai lidhet direkt me sistemin imunitar. Dhe si mund ta bëni këtë? Sigurisht duke mos e “bombarduar” me ushqime të cilat janë vështirë të treten, me shumë aciditet apo duke mos e tepruar me masën. Ushqimet që stomaku juaj do të dashurojë duke ju dhuruar edhe juve një fuqi të shëndetshme janë frutat, perimet dhe gatimet e shtëpisë. Sigurohuni që regjimi juaj ditor të jetë i pasur me vitamina të cilat nuk duhet t’ju mungojnë. Bëni një plan ditor duke organizuar vitaminat që ju duhen për një jetë të shëndetshme si dhe shmangni ushqimin në orët e vona të mbrëmjes.

• Së shtati, duhet që mënyra e jetesës të jetë në funksion të moshës tuaj. Sigurisht që është e kuptueshme se sa më shumë plakeni aftësia e sistemit tuaj imunitar për të reaguar bie ndjeshëm dhe për këtë arsye duhet të tregoni më tepër kujdes. Me plakjen, ndikimi i mikrobeve infektive rritet ndjeshëm dhe madje mund të kenë efekte fatale. Rasti më konkret të cilin të gjithë kemi përjetuar është rasti i virusit Covid-19 i cili shkaktoi vdekje kryesisht tek mosha e tretë apo personat me sistem imunitar të kompromentuar. Mënyra e jetesës dhe regjimi ushqimor nuk ndikon vetëm në sistemin imunitar por është edhe ndikuesi kryesor mbi trurin tuaj.

• Së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm është përdorimi i suplementeve si vitamina C, D3, magnezium, zink etj por natyrisht me doza të rekomanduara nga mjeku në vartësi të gjendjes tuaj shëndetësore (sipas përgjigjes së analizave të gjakut dhe konsultimit me mjekun). Përdorimi pa kriter i tyre mund të sjellë efekte anësore. Gjithashtu, nëse ju e ndjeni se pavarësisht respektimit të linjave të lart përmendura, sistemi juaj imunitar ende ka probleme, bëni pjesë të dietës tuaj përgatitjet bimore, kryesisht çajra të ndryshëm. Ju mund të bëni përzierje të bimëve me efekte pozitive mjekësore për të krijuar një trup të fuqishëm dhe jo vetëm.
Shkenca, akoma, nuk është e aftë të kuptojë se cilat qeliza duhen rritur apo sasinë specifike të rritjes së tyre në mënyrë që imuniteti të arrijë forcën më të madhe. Por deri në avancimin e shkencës ju mbetet vetëm të ushqeheni shëndetshëm dhe në mënyrë natyrale për të patur një sistem imunitar optimal.

Ndërsa fokusoheni kryesisht në forcimin e sistemit imunitar, mbase është më me vlerë të punoni ta mbani atë të shëndetshëm dhe të ekuilibruar.

Vitaminat dhe shtesat minerale mund të ndihmojnë në plotësimin e mungesave specifike, por nëse ndiqni një dietë të shëndetshme dhe kryeni aktivitet fizik të rregullt, jam e sigurt se po bëni sa duhet për ta mbajtur sistemin tuaj imunitar në gjendje optimale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *