16 Gusht, 2019

Metoda 10/10/10 për të krijuar të ardhmen tuaj

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Si do ta imagjinonit ju një jetë të lumtur, të përmbushur, të arrirë?

Duke pushuar pranë pishinës në vilën tuaj luksoze? Një jetë e qetë me familjen tuaj? Një karrierë e suksesshme dhe pushtet?

Çfarë do të zgjidhja unë? Unë do të doja të kisha një shkop magjik që do të më tregonte se çfarë talentesh më janë dhuruar që në lindje. Sepse të dish se për çfarë ke ardhur në këtë botë është gjëja më e rëndësishme për këdo. Të dish se cili do të jetë funksioni yt, të sjell përmbushje, lumturi, kuptim për çdo ditë të jetës.

Por një shkop i tillë magjik nuk ekziston për askënd dhe ne duhet ta zbulojmë veten duke jetuar dhe eksperimentuar me veten çdo herë. Disa njerëz i shfaqin talentet e tyre që në moshë të vogël, fillojnë të punojnë për zhvillimin e tyre dhe i falin botës kryevepra. Shumë të tjerë jo vetëm që nuk e kanë të qartë se çfarë janë të aftë të bëjnë (dhe çfarë do t’i bënte të lumtur), por as nuk e marrin mundimin të zbulojnë këto talente.

Dhe skenari i zakonshëm vijon…

Shpesh, dëshirat dhe vizioni ynë për të ardhmen lidhen me moshën, arsimimin, dëshirat e prindërve për të ardhmen tonë. Në shumë pak raste dhe tek një pakicë njerëzish ndodh që këto dëshira lidhen me talentet, aftësitë dhe ato vlera që vërtet do të na bënin të ndihemi të përmbushur. Pse ndodh kjo? Sepse familja dhe shoqëria jonë në përgjithësi nuk është nxitëse e zhvillimit të talenteve, kryesisht kjo për arsye ekonomike por edhe për mungesë edukimi dhe ndërgjegjësimi në këtë aspekt. Dhe deri tani ne nuk kemi patur metoda testimi, disa indikatorë apo kushtet e duhura për të zbuluar talentet tek fëmijët apo vetja jonë.

Si të zbuloj talentet e mia?

Njerëzit që vërtet duan të zbulojnë talentet e tyre, si fillim ndërgjegjësohen dhe vërtet besojnë se kanë lindur me një talent të caktuar. Nëse ju jeni futur në një kërkim të tillë, do t’ju sugjeroja të fillonit të bënit pyetjet e duhura. Kjo është një detyrë shumë e vështirë sepse ju i bëni pyetje vetes nisur nga perspektiva juaj mbi veten, nga gjendja aktuale emocionale si dhe kushte të tjera. Prandaj do t’ju këshilloja që të konsultoheshit me një mik apo familjar dhe të përballni disa perspektiva dhe alternativa të ndryshme mbi projeksionin tuaj në jetë, mbi të tashmen dhe të ardhmen që dëshironi.

Talentet dhe aftësitë tona mund të zbulohen apo të kenë lënë gjurmë në vendimet që kemi marrë gjatë jetës. Kështu që është e rëndësishme të ekzaminoni të shkuarën tuaj duke u fokusuar në vendimet që keni marrë në momente të rëndësishme.

Lidhja e talentit me të ardhmen tuaj

Unë ju uroj që e ardhmja juaj, duke nisur që nesër, të jetë e orientuar dhe një dritare për zbulimin, zhvillimin dhe vënien në jetë të talenteve tuaja. Sepse janë dëshirat dhe talentet tona të lindura që i japin kuptim ditëve tona, që na japin forcë për të ecur përpara në vështirësitë më të mëdha, që na bëjnë të mos ndihemi vetëm në asnjë çast.

Do të ndaj me ju një metodë efektive që do t’ju ndihmojë të përcaktoni orientimin tuaj në këtë rrugëtim të gjatë. Metoda është krijuar nga një profesor i universitetit Stanford dhe quhet 10/10/10.

Nëse ju jeni në dilemë mbi vendime që merrni gjatë gjithë kohës për jetën tuaj personale dhe karrierën, bëjini vetes këto tre pyetje (dhe shkruani përgjigjet në një bllok):

1. Nëse e marr këtë vendim / bëj këtë veprim, si do të ndihem pas 10 minutash?

2. Nëse e marr këtë vendim / bëj këtë veprim, si do të ndihem pas 10 muajsh?

3. Nëse e marr këtë vendim / bëj këtë veprim, si do të ndihem pas 10 vitesh?

 

Janë këto pyetje që do t’ju japin një perspektivë më të gjerë mbi vendimet që merrni, mbi atë çfarë vërtet doni të arrini në të ardhmen, dhe cilësinë e jetës që doni të jetoni. Kështu që mos hezitoni. Filloni me këto tre pyetje dhe shumë pyetje të tjera do t’ju vijnë ndër mend gjatë proçesit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *