23 Gusht, 2019

Guidë: Si të ndërtosh një karrierë kuptimplotë

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 Në shumicën e rasteve, shkolla dhe familja nuk na ofrojnë një model apo mënyrë të menduari për planifikimin e karrierës dhe gjetjen e pasionit tonë. Shumica prej nesh marrin vendime për karrierën e tyre bazuar në benefitet financiare që ofron një profesion, në mundësinë për të ngjitur shkallët e karrierës dhe për të qenë në pozicione të rëndësishme. Por, a është kjo ajo që ti do vërtet?

Karriera përbën një pjesë të rëndësishme të jetës tonë dhe është një nga burimet që na ushqen me kënaqësi, përmbushje dhe mendimin se jemi të vlefshëm dhe po kontribuojmë në shoqëri. Ka disa elementë që përbëjnë një karrierë që të përmbush shpirtërisht dhe të bën të shkosh në punë me dëshirë. Disa nga këto elementë janë: (misioni) rezultati që vjen nga puna, fleksibiliteti (liria), ushtrimi i talentit tënd në punë, marrëdhëniet shoqërore në punë.

Planifikimi i një karriere bëhet sa herë ju keni nevojë të ndryshoni diçka në jetën tuaj dhe varet gjithashtu nga rrethanat mbi të cilat ju nuk keni kontroll të plotë.

 

Pyetja e duhur që duhet t’i bëni vetes kur reflektoni mbi karrierën tuaj është “Çfarë jete dua?” dhe jo “Çfarë pune dua?”

 

Çfarë misioni / kauze mbështet?

Le të supozojmë që ti je një person që diskuton apo je i/e ndjeshme në lidhje me çështjet e të drejtave të fëmijëve dhe je i/ ndjeshme në lidhje me këtë aspekt. A mendon se do të ishe më i/e lumtur nëse do të gjeje një punë që lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me përmirësimin e jetës së fëmijëve? Duhet të analizoni veten dhe të kuptoni se për çfarë ia vlen të punoni, të kontribuoni, çfarë kauze ju bën të ndiheni mirë me veten tuaj? Ju mund të gjeni apo përmbushni misionin tuaj brenda një kompanie duke punuar në një pozicion ku mendoni se po ndihmoni të tjerët apo po kontribuoni për diçka që ka rëndësi për ju apo për shoqërinë.

 

Fleksibiliteti

Ju duhet të pyesni veten nëse jeni të gatshëm apo të përshtatshëm për të punuar me të tjerët në një zyrë, apo doni të punoni vetëm. Doni të punoni nga shtëpia apo ju pëlqen puna në terren? Fokusi juaj janë paratë që merrni në fund të muajit apo doni liri dhe nuk preferoni të keni një shef që ju kërkon llogari çdo moment? Ju duhet ta njihni mirë veten në këtë aspekt dhe të kuptoni se çfarë ambienti është më i përshtatshëm për ju. Çdo profesion ofron mundësi të ndryshme për të punuar dhe alternuar. Për shembull, nëse ju punoni në fushën e komunikimit, mund të jeni të përshtatshëm të punoni në një kompani që ofron konsulencë në këtë fushë. Nëse nuk ju pëlqen puna e zyrës, ju mund të mendoni të hapni një biznes konsulence online dhe të punoni nga shtëpia.

Duhet të dini se çfarë ambienti ju bën të ndiheni mirë dhe ju jep energji për të vazhduar. Për ta kuptuar këtë, analizoni veten tuaj në të shkuarën. Listoni rastet kur ju jeni ndjerë mirë në punë, ambientin dhe marrëdhëniet me njerëzit.

 

Talentet tuaja  

Secili prej nesh ka disa aftësi për të cilat mund të vlerësohet dhe të përfitojë prej tyre financiarisht. Gjëja më e rëndësishme është identifikimi i këtyre aftësive (të lindura apo të mësuara gjatë jetës), dhe të gjejmë ambientin e përshtatshëm të punës për t’i ushtruar këto aftësi. Çdo eksperiencë pune na ndihmon të zbulojmë se çfarë mund të bëjmë dhe çfarë jo dhe sa më shpejt ta kuptojmë se çfarë NUK mund të bëjmë, aq më e lehtë do të jetë për ne të identifikojmë aftësitë që kemi dhe t’i zhvillojmë ato.

 

Marrëdhëniet shoqërore në punë

Është shumë e rëndësishme që të punoni në një ambient ku ndiheni se përkisni, ku jeni të rrethuar nga njerëz që ju kuptojnë, që ju mbështesin dhe me të cilët mund të krijoni marrëdhënie shoqërore të këndshme. Kjo nuk do të thotë që ju duhet të prisni të trajtoheni çdo ditë me vëmendje nga kolegët tuaj. Do të thotë të gjeni njerëzit që ju bëjnë të ndiheni mirë në shoqërinë e tyre, të krijoni rrethin tuaj të miqve në punë. Ne shpenzojmë minimumi 8 orë në ditë në një punë dhe marrëdhëniet që krijohen gjatë punës janë shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës tonë, për atmosferën sociale që krijohet në marrëdhëniet e ndërsjellta.

 

Besimet e gabuara mbi karrierën + Justifikimet

Ne lindim tabula rasa (tabelë boshe) dhe truri ynë fillon e mbushet me idetë e të tjerëve, me besimet e prindërve mbi mënyrën sesi duhet jetuar jeta, sesi funksionon shoqëria, sesi duhet të zgjedhim profesionin tonë, e të tjera si këto.

Mbi bazën e këtyre besimeve, ne fillojmë të modelojmë jetën tonë. Por, a nuk mendoni se jo gjithmonë këto besime janë të përshtatshme për ne? A nuk mendoni se shumica e njerëzve që e jetojnë jetën bazuar në një mendësi të pranuar popullore janë pikërisht ata njerëz që nuk janë më të suksesshmit? Sepse njerëzit që kanë arritur suksese të mëdha janë ata që kanë ndjekur zemrën dhe intuitën e tyre, duke sfiduar mendësinë e shumicës.

Ka shumë të vërteta në këtë mendësi, po ashtu siç ka gjithmonë mundësi për ta sfiduar atë me koncepte të reja – konceptet tuaja.

 

Besimi se suksesi vjen brenda një nate

Suksesi asnjëherë nuk vjen papritur. Suksesi vjen kur përgatitja prej shumë kohësh takon një mundësi të përshtatshme, në kohën e duhur. Ju mund ta quani këtë fat, rastësi apo diçka që nuk vjen shpesh në jetën tuaj. Sepse mundësitë që vijnë mbase nuk janë në kontrollin tonë, por ne kemi mundësinë të përmirësojmë aftësitë tona, të përgatitemi për mundësinë që presim duke pasuruar veten dhe aftësitë tona profesionale. Po të shikoni historitë e njerëzve më të suksesshëm, do të kuptoni se pas prapaskenës së Suksesit qëndrojnë shumë orë punë e dedikuar, shumë dështime, shumë përgjigje “Jo”, shumë këmbëngulje. Suksesi është si një ajsberg – ajo çfarë shohim ne është vetëm 1/10 e asaj çfarë suksesi është në të vërtetë.

 

Besimi se karriera përbëhet vetëm nga një profesion   

Ne jetojmë në një nga epokat më të zhvilluara në historinë e njerëzimit por jemi trashëgimi e modeleve fikse të punës së periudhave të mëparshme. Sot ne duhet të jemi shumë optimistë për mundësitë e shumta që kemi për të shpërfaqur veten tonë, talentet tona, aftësitë tona, idetë tona, në mënyra dhe kontekste të ndryshme. Një profesion i caktuar sot lidhet tërthorazi me shumë profesione të tjera që shërbejnë si elementë komplementarë për zhvillimin dhe rritjen e aftësive profesionale të një personi.

Karriera e një ekonomisti të suksesshëm mund të fillojë me profesionin e shitjes, mund të vazhdojë me një punë në administratë apo në një institucion bankar dhe mund të kulminojë me hapjen e një biznesi. Të gjitha këto mediume të ndryshme e pasurojnë profesionin e ekonomistit duke i dhënë atij aftësi të shumta dhe mundësinë për të prekur nga afër profesione të ndryshme.

Shumë njerëz kalojnë nga një profesion në tjetrin dhe më pas i kthehen sërish profesionit të vjetër, pasi kanë fituar shumë aftësi të reja. Të tjerë duan të ndryshojnë tërësisht profesion në mes të karrierës apo edhe në moshë të madhe, dhe kjo është e mundur në ditët e sotme.

 

Besimi se duhet të lindësh “me fat” që të kesh një karrierë të suksesshme

Karriera jote varet vetëm nga TI dhe askush tjetër. Mund të mendoni që kjo është një klishe  – dhe shumica e klisheve janë të vërteta. Pozicionet e rëndësishme të punës nuk janë asnjëherë “të dedikuara” për një kategori të caktuar njerëzish. Është e vërtetë që disa njerëz bëjnë një jetë që i programon për sukses, por është gjithashtu e vërtetë që njerëz të disavantazhuar nga jeta ia kanë dalë mbanë dhe kanë krijuar karriera të suksesshme. Karriera jote mund të marrë rrugë të ndryshme, në varësi të rrethanave që paraqiten në jetën tënde, por kjo nuk do të thotë që ti nuk ke mundësi ta orientosh karrierën drejt destinacionit ku do të shkosh.

 

Besimi se ju nuk jeni mjaftueshëm për të patur një karrierë të suksesshme –

Vetëvlerësimi i ulët që kanë disa njerëz nuk tregon asgjë për potencialin e tyre. Kjo gjendje nuk ka të bëjë me potencialin por me gjendje mendore të individit dhe kjo mënyrë e gabuar të menduari mund të ndryshohet.

Gjatë një seminari të hapur me studentë në një nga Universitete shqiptare, unë i drejtova një pyetje njërit prej studentëve. Pyetja ishte: Cilat janë ëndërrat e tua? Përgjigjia që mora ishte dëshpëruese: “Dua të krijoj familje, të kem një punë…si gjithë të tjerët.” Askush nuk duhet të planifikojë jetën “si gjithë të tjerët” .

Por ajo çfarë më dëshpëroi më shumë ishte fakti se studenti nuk përmendi krijimin e një karriere por gjetjen e një pune.

 

Justifikimet

Justifikimet janë mënyra më e lehtë për t’ju shmangur përgjegjësive tuaja. Por janë mënyra më e dëmshme për të harxhuar kohën tuaj, potencialin tuaj dhe jetën tuaj.

Shumica prej jush asnjëherë nuk do të mund të zbulojnë pasionin e tyre vetëm për faktin e nxjerrjes së justifikimeve të panumërta. Ju nuk e dini se çfarë do të ndodhë nëse ju lini punën tuaj të mërzitshme dhe filloni të punoni në diçka që ju sjell shumë kënaqësi. Ju asnjëherë nuk e dini se sa të zotët jeni për t’ja dalë mbanë, se sa njerëz do t’ju ndihmojnë rrugës… deri sa ta provoni këtë gjë.

Në shumicën e rasteve ne marrim justifikime “borxh”, nga miqtë, familjarët apo të tjerë që kanë tentuar të bëjnë diçka të ngjashme me atë që duam të bëjmë ne dhe nuk ia kanë dalë. Nëse ne nuk provojmë që ta kuptojmë vetë nëse diçka mund të realizohet ose jo, atëherë justifikimet tona janë të të tjerëve, jo tonat. A ia vlen të ndërtosh një karrierë mediokre vetëm sepse të tjerët para teje nuk ia dolën dot?

Një shprehje e shkëlqyer thotë: Përkufizimi i ferrit për çdo njeri duhet të jetë -“Në ditën tënde të vdekjes, personi që mund të ishe bërë do të takojë personin që arrite dhe u bëre sa ishe gjallë.”

Ka vetëm një të vërtetë në këtë botë: Ndryshimi është i pashmangshëm, i pandalshëm. Kushtet dhe rrethanat ndryshojnë çdo sekondë që ne jetojmë dhe diçka që ishte e pamundur për t’u bërë dje, ka shumë më shumë mundësi që të realizohet sot.

Nëse ju keni ëndërra, është përgjegjësia juaj për t’i realizuar ato.

 

Foto nga freepik.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *