Qëllimi i coaching për nivele drejtuese
Coaching individual aplikohet në të gjitha nivelet e drejtimit dhe për nga specifika e tij është i pakufizuar, duke synuar shprehjen e të gjitha potencialeve brenda individit. Qëllimi nuk është këshillimi apo mësimi i disa praktikave që mund të aplikohen për një rritje të efiçencës dhe nivelit të drejtimit por një ndryshim rrënjësor i këndvështrimit mbi veten dhe realitetin që na rrethon, njohja dhe shpalosja e fuqisë që ekziston tek çdo individ, balancimi holistik (fizik, mendor, emocional dhe shpirtëror) dhe një jetë plot dinamikë, energji, angazhim dhe të plotësuar në shumë dimensione.
Synimi ështe coaching tre dimensional (coach – drejtues – organizatë) pasi kur drejtuesit ndryshojnë dhe rriten, organizata ku ato kontribuojnë ndryshon dhe rritet. Pa harruar dhe efektin e padiskutueshëm të coaching në marrëdhëniet familjare të drejtuesit.
Coaching 1:1 për drejtues është një bisedë e strukturuar dhe me tregues dhe indikatorë të matshëm në shërbim të individit dhe organizatës ku punon. Gjatë seancave të coaching identifikohen anët e forta dhe sfidat me të cilat drejtuesi ballafaqohet dhe synohet rritja e performancës dhe potencialeve të tyre drejtuese në një nivel rritjeje eksponenciale të fokusuar në:
- Vizionin e qartë, përcaktimin e qëllimeve dhe objektivave
- Hapat e duhur për të siguruar një ndryshim të qëndrueshëm në drejtim
- Trekëndëshi i 1. objektivave të individit, 2. rezultateve të organizatës dhe 3. zhvillimit personal afat-gjatë të individit.