23 Gusht, 2019

Arsyeja kryesore pse përpjekjet dhe puna vlerësohen më shumë se talenti

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Ka një arsye pse talenti nuk po mbivlerësohet, mitizohet në ditët e sotme si dikur. Në vitin 2008, Malcolm Gladwell publikoi librin “Të Jashtëzakonshmit, Historia e Suksesit” ku tregonte arsyet dhe kushtet që i bënë Bill Gates, The Beatles, Moxart dhe studentët kinezë të jenë ekselentë në fusha përkatëse. Ai arriti të zhbënte mitin që ekzistonte rreth talenteve të lindura, duke ia bashkangjitur talentit një sërë kushtesh, rastësish dhe arsyesh. Ai arriti të shpjegonte se nuk mjafton vetëm talenti për të arritur sukses të jashtëzakonshëm, por një rol shumë të më madh luanin kushtet e jashtme, historia e personit, puna dhe përkushtimi i madh në zhvillimin e talentit, e të tjera.

Në libër, Gladwell thotë: “Për pothuajse një brez të tërë,  psikologët kanë qenë në debate mbi pyetjen se a ekziston talenti i lindur në të vërtetë. Dhe përgjigjia është “Po”. Por problemi me këtë pikëpamje është se sa më shumë që psikologët studiojnë individë të jashtëzakonshëm, aq më shumë binden se talenti  luan një rol të vogël në arritjen e suksesit. Arritja është formulë e thjeshtë: talent + përgatitje (punë e madhe).”

Kjo është një arsye më shumë që më shtyn të punoj me entuziazëm me njerëz që janë të talentuar por nuk janë të orientuar të zhvillojnë talentet e tyre në mënyrën e duhur. Është një mendësi e gabuar, një set besimesh të pavërteta që i mban shumë njerëz larg arritjeve të mëdha, larg suksesit të merituar, larg zbulimit dhe vënies në jetë të talenteve të tyre.

Ka një arsye të thjeshtë pse unë si coach personal i ndihmoj njerëzit të zbulojnë talentet e tyre: Nëse ti zbulon një aftësi të lindur e cila rrjedhimisht të përmbush dhe të jep kuptim për veten dhe botën, ti do të punosh me entuziazëm duke shfrytëzuar atë aftësi për të krijuar apo punuar në një fushë të caktuar. Dhe është pikërisht entuziazmi për punën, përmbushja që sjell një punë me kuptim ajo për të cilën njerëzit kanë nevojë dhe u mungon sot.

Nëse keni dëshirë të mësoni më shumë mbi talentin + përkushtimin, mund të lexoni artikuj të tjerë në blogun tim: anilabashllari.com/blog

 

Foto nga freepik.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *