23 Gusht, 2019

A ekziston vërtet talenti?

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 Ti bëhesh më i ditur nga gabimet që bën – Proverbë Gjermane

Provo përsëri, dështo përsëri, dështo më mirë herës tjetër. Samuel Beckett

Gjithmonë kam qenë i mendimit se, përveç budallenjve, njerëzit nuk janë shumë të ndryshëm në nivel intelekti, por në orët që punojnë dhe vullnetin që kanë.” Charles Darwin

 

Ka patur gjithmonë debate mbi konceptin e talentit dhe njerëzit që kanë shfaqur aftësi të caktuara më shumë se të tjerët janë konsideruar si të ndryshëm apo me dhunti. Në librin “The Talent Code”, Daniel Coyle zhbën në një farë mënyre këtë mit, duke treguar se si krijohen talentet dhe çfarë vërtet ndikon në krijimin e aftësive që tejkalojnë normalen. Sipas tij, në trurin e njeriut gjendet mielina, një substancë neurale mikroskopike e cila shton shpejtësinë dhe saktësinë në veprimet dhe mendimet e njeriut, kur ai është shumë i përkushtuar dhe praktikohet me vetëdije për të zhvilluar një aftësi të caktuar. Mielina është një substancë që shtohet sa më shumë praktikohemi. Autori shprehet: “Praktika krijon mielinën, dhe mielina të çon në perfeksion.”

Të gjithë kemi nevojë për motivim por ajo që i dallon njerëzit më të suksesshëm me pjesën tjetër është niveli i lartë i përkushtimit në zhvillimin e një aftësie të caktuar. Sipas autorit, përpjekjet e vazhdueshme nuk janë një opsion për disa njerëz e për disa të tjerë jo; janë të domosdoshme biologjikisht, sepse aktivizojnë dhe rrisin nivelin e mielinës.

Praktika është e nevojshme, por është e rëndësishme që ju të ndiheni mirë kur praktikoheni, të ndiheni në ‘zonën tuaj’, të tejkaloni aftësitë tuaja nga pak çdo ditë. Studimet mbi suksesin kanë treguar se ekspertët më të mirë në botë nga fusha të ndryshme praktikohen 3 deri në 5 orë në ditë, pavarësisht çfarë aftësish kanë.

Përsëritja e vazhdueshme është ajo çka nevojitet për të rritur dhe zhvilluar një aftësi të caktuar. Mos kërkoni për përmirësime apo rezultate të mëdha në një kohë të shkurtër. Përmirësohu çdo ditë. Nëse jeni të bindur që kjo është mënyra e duhur për të ecur përpara, ju sugjeroj që të praktioni teorinë Kaizen. Për të kuptuar se çfarë është dhe si funksionon kjo metodë Japoneze, mund të lexoni këtë artikull të shkruar nga unë para disa kohësh.

Modelet e suksesshme që ne i admirojmë ndikojnë në zbulimin e aftësive apo na motivojnë që të përftojmë aftësi të caktuara. Studimet tregojnë se qoftë një lidhje minimale me një model rrit motivimin tuaj. Për shembull, nëse ju thonë që ju keni lindur në të  njëjtën datë me një matematicien, ju do të motivoheni të punoni deri në 62% më shumë me lëndën e matematikës.

 Foto nga Freepik.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *