9 numrat e artë të një jete të shëndetshme

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Mesa duket, sa më shumë që evolojnë kohët moderne, aq më shumë njerëzit i kushtojnë rëndësi shëndetit të tyre…dhe jo më kot, pasi kemi një lidhje të ndërsjellë gjatë gjithë jetës. Nëse nuk kemi shëndet të mirë ndjejmë që na mungon diçka jetike, sepse jeta jonë varet nga mirëqenia që ne i krijojmë shëndetit tonë. Të gjithë duam të gëzojmë një shëndet të mirë, por sa punojmë për të patur vërtet një shëndet të tillë? Kryesorja në luftimin për ta patur shëndetin në krahun tonë është përkushtimi i një kohe relativisht të madhe në krahasim me veprimtaritë e tjera gjatë ditës. E kuptojmë po ashtu që për të fituar shëndetin duhet të luftojmë shumë me kohën, vullnetin dhe dëshirat tona për të arritur një gjendje shëndetësore stabël dhe jo shqetësuese.

Më poshtë po ju njoh me 9 numrat e artë të cilët do t’ju ndihmojnë të qëndroni të qetë me një shëndet të mirë:

  • 9 mijë hapa në ditë! Përfitimet e ecjes janë në dukje dhe në kuptim të pambarimta dhe të pazëvendësueshme nga asnjë aktivitet tjetër. Nëse ecni rregullisht do të jetoni më gjatë, do të peshoni më pak, do të keni shtypje normale të gjakut, frymëmarrje më të mirë. Hapat do të rrisin energjinë trupore dhe do të përmirësojnë sistemin motorrik tuaj. Pas disa javësh ecje, minimalisht 9 mijë hapa në ditë do të evidentoni përmirësimin e shëndetitit dhe do të jeni më energjikë. Nëse vazhdoni në të tilla ritme pas një viti do të keni djegur 3 kg vetëm nga hapat e përditshëm.

 

  • 8 orë gjumë në ditë! Fjetja aq orë sa duhet dhe qetësia prej gjumit na ndihmojnë për të patur një shëndet më të mirë. Kryesisht orët e nevojshme të gjumit ndryshojnë, por idealja e tyre mbetet në 8 orarëshin e artë. Orari i duhur i gjumit na bën më të lumtur, arrin të na qetësojë dhe jo vetëm. Gjatë kohës që flemë fiziku ynë qetësohet, por organizmi dhe truri nuk ndalojnë së funksionuari. Truri punon për të bërë ndarjen e informacioneve të nevojshme nga ato të panevojshme, ai po ashtu liron toksinat e marra gjatë ditës dhe ato që ripërtërihen gjatë gjumit. Prandaj gjumi i mirë i natës ka rëndësi jetike për secilin prej nesh, pa dallim aktiviteti ose ngarkese përditshmërie.

 

  • 7 gota uji çdo ditë! Organet jetësore të trupit tonë kanë nevojë për konsumimin e duhur të sasisë së ujit. Trupi ynë përbëhet nga 70% e masës së tij nga uji dhe kështu ne duhet të kompensojmë humbjen e sasisë së ujit prej 2 litrave në ditë me konsumim të një sasie më të lartë se aq. Hidratimi i trupit na ndihmon të kemi sistem nervor më të qetë dhe më të aksesueshëm ndaj ngacmimeve të mjedisit të jashtëm.

 

  • 6 minuta meditim në ditë! Është “mjekimi” i njëjtë mbi shëndetin fizik, emocional dhe mendor. Gjendja e qetësisë që na ofron meditimi na bën të kemi më shumë vetë-kontroll, besim në vendimet e marra dhe sigurisht të ndihemi më energjikë. Rregullon tensionin e gjakut dhe përmirëson sistemin e frymëmarrjes. Teknikat meditative rikuperojnë mendjen tonë duke rregulluar gjendjen emocionale dhe reduktimin e stresit duke rritur në vijë lineare gjendjen shëndetësore.

 

  • 5 mini-racione me fruta dhe perime! Janë grupi i ushqimeve që ofrojnë për organizmin e njeriut vlerat më të larta të proteinave dhe vitaminave që i nevojiten trupit. Ato janë shumë më lehtë të tretshme nga stomaku dhe lehtësojnë sistemin tretës, gjithashtu na ofrojnë shërbime të shumta shëndetësore. Sipas studimeve të shumta konsumimi i tyre rregullisht përmirëson dukshëm mirëqenien psikologjike në nxitje të fortë të motivimit dhe vitalitetit. Ato ndihmojnë në reduktimin e obezitetit, diabetit dhe shumë sëmundjeve të gjakut. Po ashtu dhe në evitimin e sëmundjeve të zemrës dhe disa lloje të kancerit. Sot ka teori të ndryshme mbi mënyrën e të ushqyerit të cilat shpesh herë janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Por ju jeni mjeku më i mirë i vetes tuaj. Vëzhgoni çfarë ju bën të ndiheni mirë dhe kombinojini ato ushqime.

 

  • 4 ushtrime frymëmarrje në ditë! Merrni frymë…nxirrni frymë. Është një teknikë e përdorur nga psikoterapia trupore në të cilën theksohet se frymëmarrja e plotë është mjeti më i rëndësishëm për të rritur dhe ruajtur shëndetin mendor dhe fizik. Fryma është mjet i fuqishëm për të lehtësuar dhe çliruar depresionin apo stresin, duke ndihmuar që të ndihemi shumë më pak të shqetësuar. Alexandër Lowen thekson se “Një person që nuk merr frymë thellë zvogëlon jetën e trupit të tij”.

  • 3 racione të shëndetshme gjatë ditës. Shpesh herë duke u nisur nga dietat dhe reduktimi i ushqimit me përfitim humbjen e peshës jemi të prirur të cungojmë vaktet ushqimore për të mos thënë që ndonjëherë nuk i konsumojmë fare…por ky është dëmtimi më i madh që i bëjmë shëndetit! Duhet të kuptojmë që organizmi ynë ka nevojë të domosdoshme për konsumimin e tre vakteve kryesore në ditë, pasi ato na shërbejnë si rezerva dhe sigurisht na japin forcë gjatë orëve të rutinës së përditshme. Rëndësitë specifike të një vakti nuk mundet kurrsesi t’i zëvendësojë një vakt tjetër. Edukimi personal mbi ushqimin është i domosdoshëm në shoqëritë e sotme moderne, pasi ecja e lartë e shkencës po merr me vete dhe industrinë ushqimore dhe kujdesi duhet të jetë maksimal tanimë.

 

  • 2 orë pa telefon para se të flini! E dimë që mjetet teknologjike janë të pandara nga jeta jonë e përditshme, por njëkohësisht ne jemi të vetëdijshëm që rreziku i tyre është i pakrahasueshëm në organizëm dhe sidomos para gjumit. Duke e përdorur kryesisht telefonin para gjumit ne shqetësojmë ciklin e gjumit duke vepruar në ndalimin e prodhimit të melatoinës, e cila na ndihmon për një gjumë të qetë dhe shplodhës për organizmin. Rrezet e telefonit në errësirë dhe jo vetëm, dëmtojnë në ekstrem retinën tonë të syrit, rritet mundësia për një fazë depresioni dhe gjithashtu ndikon negativisht në memorien tonë. Nëse reduktoni përdorimin e telefonit të paktën dy orë para gjumit të gjitha disavantazhet e përmendura më lart do të kthehen në pozitive ndaj jush duke ju bërë gjithashtu një person më të organizuar me jetën dhe mjedisin përreth.

 

  • 1 seancë ushtrimesh fizike në ditë! Pa dyshim që janë çelësi sekret i jetesës së shëndetshme. Sa më shumë të aktivizoheni me to, aq më shumë do të ndiheni mirë, do të jeni më energjikë dhe do të rrisni probabilitetin për një jetë të gjatë. Me anë të ushtrimeve i sigurojmë vetes përfitime që me kalimin e kohës bëhen akoma më të dukshme dhe reale. Arrijmë të luftojmë problemet e shumta të shëndetit duke e bërë organizmin më rezistent, mbajmë nën kontroll peshën trupore, ndihmojmë veten për të pasur humor më të përmirësuar, bëjmë një gjumë më cilësor, përfitojmë kënaqësi qetësi dhe motivim. Më e rëndësishmja do të jemi më të lumtur me jetën tonë!  

Deljana Nebiu:

Do perpiqem te realizoj me teper se 60% te ketyre 9 pikave , te vleresuara si te rendesishme. Faleminderit per keshillat ?

ALMA:

Pershendetje Anila! Ide shumë e mirë! Po i shënoj në Planin tim ditor dhe shumë faleminderit për sugjerimet e vyera të herëpashershme! Ditë të mbarë dhe shumë produktive!! Të përqafoj ALMA

Lindita Backa:

Shume e bukur. Jane te gjitha gjera qe i dime por kujtesa eshte gjithmone e frutshme. Dhe ajo qe e ben te vecante kete shkrim eshte menyra e renditjes. Shume e gjetur dhe nje forme qe te ndihmon te mos i harosh. Faleminderit Anila.

Basri:

Shume sakte te falenderoj shume per te tilla informacione.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *