23 Maj, 2019

4 pyetje që mund t’ja bëni vetes kur të ndiheni të frikësuar

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Frika ekziston vetëm në mendimet tuaja. Ajo vjen si rezultat i programimit negativ në trurin tonë. Frika është false, krijohet automatikisht nga mekanizmat mbrojtës të trurit dhe nuk tregon asgjë për realitetin e jashtëm. Është perceptimi ynë mbi realitetin që krijon frikën, jo vetë realiteti.

Nëse do të vëreni me kujdes frikërat tuaja, do të shikoni se shumica prej tyre asnjëherë nuk u bënë realitet dhe pjesa tjetër nuk janë aq të këqija sa menduat se do të ishin në fillim. Mos i besoni mendimet tuaja! Analizojini me kujdes dhe bëjini pyetje vetes në rastet kur ndjeni frikë.

Nëse doni të zhvishni realitetin tuaj nga frikërat e pabaza dhe të pavërteta, ju sugjeroj që t’ia bëni vetes këto katër pyetje në rastet kur jeni të frikësuar dhe të paqartë mbi një situatë të caktuar.

  1. A është frika ime e bazuar në fakte reale? Sa i/e sigurtë jam që do të ndodhë pikërisht ajo situatë për të cilën unë frikësohem?
  2. Nëse ndodh pikërisht ajo situatë për të cilën unë kam frikë, a do të jenë pasojat vërtet aq të rënda sa i mendoj unë?
  3. A ka ndonjë anë pozitive fakti që unë po ndjej frikë për një situatë të caktuar? A më shtyn ndjenja e frikës që të marr vendime më të mira?
  4. Çfarë tregon kjo lloj frike për mua si person? (Çdo ndjenjë që përjetojmë tregon se çfarë duam dhe nuk duam në jetën tonë. Frika mund të jetë një burim i madh informacioni për të njohur dhe eksploruar më shumë veten)

 

Frika është e pashmangshme në jetët tona. E vetmja mënyrë për shmangien e saj është të ndryshojmë mënyrën e të menduarit mbi situata të ndryshme, jo të shtypim dhe të fshehim frikën. Mënyra e të menduarit mund të ndryshohet duke krijuar zakonin e të analizuarit të situatave menjëherë pasi fillojmë të ndjejmë frikë. Në vend që vetëm të ndjejmë frikë dhe të terrorizojmë veten, le të fillojmë të analizojmë situatën dhe të gjejmë zgjidhjet më optimale për ta zgjidhur atë.

Foto nga Freepik.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *