23 Gusht, 2019

3 pyetje që duhet t’ja bëni vetes përpara se të filloni një projekt

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Kur filloni një projekt të ri në punën tuaj apo në lidhje me aspektin personal, jeni të entuziazmuar ose të pamotivuar, varet se sa e dëshironi ju atë projekt. Në të dyja rastet,  është shumë e rëndësishme që të jeni mjaftueshëm të qartë në lidhje me çfarë do të punoni, proçesi i punës, afatet e përfundimit, e aspekte të tjera. Më poshtë do të lexoni mbi tre pyetje që mund t’ia bëni vetes përpara se të filloni një projekt.

  1. Çfarë po bën ekzaktësisht? A je mjaftueshëm i/e qartë se çfarë je duke bërë? Mund ta shkruash këtë pyetje në një bllok dhe të japësh një përgjigje me aq njohuri sa ke. Nëse gjatë shkrimit të lindin pyetje rreth projektit, mbaji shënim dhe më pas kërko disa minuta konsultim me eprorin tënd.

 

  1. Pse po e bën?

Në aspektin personal: A është ky projekt në kongruencë me vlerat, cilësitë dhe parimet që udhëheqin jetën tënde?Për shembull: një individ i caktuar nuk do të ndihej rehat nëse do të punonte për një projekt mjedisi, nëse vetëdija e tij për mbrojtjen e mjedisit nuk është mjaftueshëm e lartë.

Në aspektin profesional: A je i/e qartë se për çfarë do të hyjë në punë projekti mbi të cilin po punon? Nëse nuk e di se sa vlerë do t’i sjellë kjo detyrë projektit madhor apo kompanisë për të cilën punon, është e nevojshme të konsultohesh me kolegët e tu.

 

  1. Kur do të jetë i përfunduar?

Sapo ke premtuar që do të kryesh një detyrë që të është rekomanduar nga eprorët e tu. Sa kohë mendon se ky projekt do të zgjasë? Kjo pyetje është e rëndësishme të marrë një përgjigje ekzakte nga ju dhe pasi të keni përfunduar projektin të kontrolloni nëse afatet që i vutë vetes në fillim përkojnë me kohën e përfundimit të projektit.

Ky test do t’ju ndihmojë të kontrolloni veten se sa korrektë jeni me afatet, dhe nëse projektet ju marrin më shumë kohë nga sa e keni parashikuar – zbuloni pse ndodh kjo gjë? Cilat janë ngacmimet që ju pengojnë të respektoni afatet?

Ky set pyetjesh është i vlefshëm jo vetëm për ata që janë të punësuar dhe marrin detyra nga eprorët por edhe për sipërmarrësit e rinj. Sipërmarrësit e rinj këshillohen vazhdimisht nga ekspertët që të jenë shumë të qartë në lidhje me projektet që marrin përsipër,  sesi e shpenzojnë ditën në zyrë, e aspekte të tjera.

Nëse keni dëshirë të shkoni më tej, ju mund të krijoni një Hartë të mendjes tuaj.

 

Çfarë është “Harta e Mendjes” dhe pse ju duhet një e tillë?


Çfarë është “Harta e Mendjes”?

Harta e Mendjes (MindMap) është një proçes vetënjohjeje, një prezantim i juaji me idetë që keni akumuluar deri më tani në lidhje me një koncept, çështje, ngjarje apo temë të caktuar.

Si mund të krijohet një Hartë e Mendjes?

Shkruani në një bllok subjektin për të cilin do të krijoni Hartën e Mendjes dhe filloni ta ndani këtë koncept apo qëllim në pjesë më të vogla, dhe për secilën pjesë filloni të vlerësoni sesa njohuri posedoni dhe t’i shkruani këto njohuri (me terma kyçe).

Për çfarë shërben Harta e Mendjes?

Për të qenë sa më të qartë në lidhje me njohuritë tuaja të momentit, për të identifikuar boshllëqet që duhen mbushur dhe për të përcaktuar nivelin e njohurisë suaj mbi një subjekt të caktuar.

Foto nga Freepik.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *