…Mos hiq dorë!

Të ka ndodhur të përgatitesh dhe të bësh gjithshka siç duhet (të paktën në këndvështrimin tënd) dhe të mos arrish rezultatet e duhura? Të provosh përsëri dhe të njëjtat rezultate, pra të mos arrish atë çka dëshiron? Nuk je vetëm!

Gjatë një seance coaching m’u kujtua historia e pemës së bambusë dhe shprehja “nuk je vetëm” dhe këtë histori e ndava me klienten time.

“Ai ndjehej dështak, gjithshka po shkonte keq në jetën e tij dhe kërkoi t’i jepte fund jetës. Por në fillim vendosi të sfidonte Krijuesin dhe ndërsa ecte i vetëm mes pyjeve pyeti, ‘O krijues, mund të më japësh qoftë edhe një arsye të vetme pse duhet të jetoj?’

Ndenji pak kohë në heshtje dhe një zë që mezi dëgjohej i pëshpëriti, “Shiko përreth. E shikon atë pemën e fierit dhe bambusë? Dua ta dëgjosh historinë e tyre. I mbolla në të njëjtën ditë dhe u kujdesa njëlloj për të dyja. I vadita, u dhashë dritë dhe oksigjen por ndërsa pema e fierit filloi të mbijë e lulëzojë bambuja nuk dukej kurrkund. Por unë nuk hoqa dorë nga bambuja edhe pse pemës së fierit i gëzohesha sa herë që e shikoja të rritej e forcohej. Kështu kaluan dy vitet e para dhe sa herë vështroja farën e bambusë që ende nuk kishte mbirë, mendoja që nuk do të heq dorë. Erdhi viti i tretë, po e njëjta gjë… fara e bambusë nuk kishte mbirë e nuk dukej kurrkund. E njëjta gjë ndodhi edhe vitin e katërt, ndërsa fieri rritej e lulëzonte. Nuk do të heq dorë – thosha me vete. Do të pres momentin kur të shikoj që fara ka mbirë dhe do të kujdesem të rritet e fortë dhe e shëndetshme. Kur erdhi viti i pestë, vajta për të parë vendin ku kisha mbjellë bambunë dhe për ngazëllimin tim pashë një filiz të njomë dhe të vogël që sapo kishte filluar të marrë jetë dhe brenda 6 muajsh ai filiz i njomë u rrit rreth 100 metra i lartë. Mundimi im nuk kishte shkuar kot. U deshën rreth 5 vite që pema e bambusë të forconte rrënjët që më pas të rritej e shëndetshme dhe me çka i duhej për të mbijetuar… Dhe përsëri krijuesi vazhdoi të shpjegonte – nuk do t’i jepja askujt nga krijesat e mia një sfidë që nuk do të mund ta përballonte. Koha që i duhej bambusë për të forcuar rrënjët e saj nuk do të thotë që kishte dështuar; që pema e fierit po ia dilte mbanë dhe bambuja jo. Gjithshka ka kohën e vet dhe detyra jonë është të bëjmë gjithshka që mendojmë që duhet bërë dhe të kemi durim të presim frutet e punës sonë.”

Një histori e thjeshtë nga natyra por që flet shumë.

Ku ndjehemi që kemi dështuar? Që gjërat nuk po ecin si duhet? Ku po krahasohemi me të tjerët dhe ndjehemi të paaftë? Ku shfaqet padurimi ynë?

Reflektoni mbi jetën tuaj dhe do të shikoni që ashtu siç pema e bambusë ka kohën e saj të rritjes dhe zhvillimit, edhe ju keni kohën tuaj që të ngjisni shkallët e karrierës të suksesshëm apo të zhvilloni biznesin e duhur, marrëdhënien a duhur apo gjithshka që dëshironi. Kujdesuni, përgatituni, mos e kurseni veten për të arritur atë çka dëshironi dhe rezultatet do të vijnë.

…Mos hiq dorë!

Powered by Watch Dragon ball super