5 Qershor, 2019

Arsyet shkencore pse e zvarrisim punën; Si të dalim nga kjo gjendje

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Prokrastinimi ose ndryshe proçesi i zvarritjes së një detyre që të delegohet, është një fenomen që prek 95% të njerëzve në botë, ndërsa 5% gënjejnë kur thonë që nuk i shtyjnë punët. Kështu shprehet Chris Bailey, ekspert dhe studiues i temave të produktivitetit, zvarritjes së punës, dhe efiçencës.

Sipas tij, zvarritja e një proçesi pune vjen për disa arsye:

  • Kur projekti na duket i mërzitshëm
  • Kur puna është frustruese, rrit nivelin tonë të stresit dhe vështirësisë në të kuptuar
  • Kur projekti është i paqartë, ambig
  • Kur projekti, puna që kemi marrë përsipër është e pastrukturuar dhe ne nuk kemi një plan të qartë dhe detyra të përcaktuara për vazhdimësinë e projektit
  • Kur projekti nuk na sjell kënaqësi (nuk është argëtues)
  • Kur projekti nuk ka lidhje me ambiciet, qëllimet tona personale

 

 

Unë si eksperte mendësie, jam e mendimit që të gjitha këto gjendje që kam përmendur më sipër janë thjesht gjendje mendore të ndryshueshme dhe situata mund të përmirësohet lehtë. Për shembull, nëse projekti nuk ka lidhje me profesionin tuaj, me qëllimet dhe hobet tuaja të momentit inkurajoni veten ta përfundoni projektin duke patur gjithmonë në mendje që kjo punë do t’ju shpërblehet në një shumë parash apo do t’ju pasurojë CV-në tuaj. Mendoni të gjitha përfitimet personale që do të merrni nga ky projekt, shkruajini në një letër dhe kthejuni disa herë, deri sa të keni përfunduar projektin.

Nëse projekti ju duket i mërzitshëm, gjeni mënyrat më të mira për ta bërë më të thjeshtë apo më të qartë projektin, ose dëgjoni muzikën tuaj të preferuar gjatë kohës që punoni përpara kompjuterit  (nëse projekti juaj kërkon kushte të tilla pune).

Nëse projekti është ambig, i paqartë dhe ju duket sikur kurrë nuk do të arrini ta përfundoni, më lejoni t’ju them që kjo është thjesht një gënjeshtër që ia thoni vetes. Dhe e dini pse? Sepse të gjithëve na duket sikur një projekt është shumë i madh dhe nuk do t’ja dalim ta përfundojmë, por sapo fillojmë të hedhim hapin e parë në realizimin e projektit, gjithçka bëhet më e qartë dhe e lehtë. Shumica prej nesh, ndjejmë frikë dhe vështirësi përpara një projekti të madh – zakonisht para se të kemi hedhur hapin e parë në zbatimin e atij projekti. (LexoniHapi i parë është gjithmonë më i vështirë!)

Një nga gjendjet mendore që do t’ju ndihmojë të mos i zvarrisni punët, është të bindni veten që ju DUHET ta përfundoni atë projekt, pavarësisht gjithçkaje që ndodh. Mjafton të përsërisni me veten tuaj fjalët: “DUHET TA BËJ” për disa herë dhe truri juaj do të kushtëzohet.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *