5 Qershor, 2019

Shembull real: “Të mendosh në një perspektivë tjetër”

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

Dua të ndaj me lexuesit e mi një episod real gjatë një proçesi komunikimi midis meje dhe asistentes time Alketës, me shpresën se ky rast t’ju shërbejë si shembull për të kuptuar dhe për t’u bindur që njerëzit me të cilët komunikojmë çdo ditë mund të kenë këndvështrime shumë të ndryshme dhe kjo mund të sjellë lindjen e problemeve në komunikim, probleme që mund ta kthejnë komunikimin në jo efektiv, të tensionuar dhe shpesh herë mund të shndërrohet në konflikt dhe hatërmbjetje.

Ndërkohë që isha shumë e ngarkuar me përgatitjet për workshop-in për një klient, marr një email nga asistentja ime, Alketa. Në përgjithësi nuk shpërqëndrohem nga emailet pasi kam caktuar një orar kur i shikoj gjatë ditës – të paktën 2 herë në ditë. Natyrisht, nëse ka gjëra të rëndësishme për t’u bërë patjetër që do të përgjigjem. Nëse jeni të vëmendshëm tek fjalët që shkrova, besoj e vutë re që nuk përdora fjalën “urgjente” sepse kjo fjalë ka kuptimin e një çështjeje për jetë a vdekje dhe në përgjithësi situata të tilla nuk lidhen me punën. Fatmirësisht!

E ndërpreva punën për një moment dhe po lexoja mesazhin nga Alketa në Whatsapp. E ndjeva që ishte një ngarkesë e madhe emocionale.

“Nuk ke besim tek unë?” po lexoja midis rreshtave që Alketa kishte shkruar. Ndalova për një moment dhe u ndjeva keq. “Çfarë i kam shkruar që të nënkuptojë mosbesim?” – mendova.

Pa e zgjatur shumë fillova të lexoj mesazhet e mësipërme dhe syri më mbeti tek ky paragraf:

“Alketa, të lutem më dërgo me shkrim çfarë ke bërë gjatë muajit Shkurt”. Me fjalë të tjera: output-et e punës së saj. “Aha!” mendova, – këtu është këputur zinxhiri i komunikimit.

Ndalova për disa sekonda dhe mora frymë thellë. E lejova mendjen të “gjezdisë” duke dashur të qetësohet sepse një pjesë e ngarkesës së Alketës më ishte transmetuar pavetëdijshëm edhe mua.

“Është momenti të testoj komunikimin efektiv dhe mindfulness – mendova duke qëndruar në heshtje dhe në përpjekje për t’u relaksuar.  Kisha punuar shumë e përqëndruar për pothuajse 1 orë dhe ishte momenti i duhur për relaksim 60 sekondësh.

Është një teknikë e thjeshtë por shumë efektive për të kaluar nga gjendje e lartë përqëndrimi (në zonën frontale të trurit që quhet rrjeti ekzekutiv) prej 1 ore, në gjendje relaksi duke lejuar mendjen të “gjezdisë” për 60 sekonda, shoqëruar me disa ushtrime tepër të ngadalta streçimi për 60 sekonda të tjera.

Duke qëndruar në atë gjendje relaksi por në Momentin e Tanishëm, fillova të shkruaj përgjigjen:

“Alketa, hedhja në letër se çfarë ke bërë gjatë muajit të shërben ty në rradhë të parë për t’u ndjerë mirë me veten dhe integruar rezultatet e arritura. Pastaj më shërben edhe mua për të vleresuar punën që ke bërë pasi shpesh herë gjërat i marrim të mirëqëna”.

Nga ana tjetër e Whatsapp ndjeva një përskuqje të fytyrës dhe fillova të përjetoj një ndjenjë “faji” por përgjigjia e Alketës u kthye në çast reflektimi për mua: “Individët me të cilët kam punuar më kanë kërkuar llogari / raporte mbi punën për të më kontrolluar dhe jo vlerësuar”.

(Dua të theksoj se me Alketën, përveç bashkëpunimit në aspektin profesional, kemi një raport miqësor prej më shumë se 3 vitesh dhe nuk e trajtojmë komunikimin dhe bashkëveprimin tonë në një qasje formale “shef – punonjës”)

Këndvështrimi personal i Alketës, i krijuar në mënyrë të pavetëdijshme nga eksperiencat e saj të mëparshme, ishte tërësisht ndryshe nga ajo që unë kisha në mendje.

Mendoj që kjo “paqartësi” u kthye një mësim tejet i rëndësishëm për të dyja se sa e rëndësishme është dallimi midis perceptimeve dhe realitetit!

Po juve ju kanë ndodhur situata të ngjashme? Nëse po, mund të ndani eksperiencat tuaja me mua duke më dërguar email në: [email protected] 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *