Shoqëria njerëzore përballet me shumë sfida por sëmundja më e madhe e njeriut është mungesa e dashurisë dhe vlerësimit për veten. Por mos u alarmoni! Kjo është normale duke marrë parasysh sesi funksionon truri ynë. Truri ynë është programuar që të na mbrojë dhe studimet kanë treguar që ne kemi tendencën të fokusohemi 9 herë më shumë tek lajmet negative krahasuar me ato pozitive.

Neuroshkenca po përparon dhe po na jep shpresë që të programojmë një jetë më të lumtur për veten tonë duke ndryshuar mënyrën tonë të të menduarit.

Besoj se jeni dakord me mua nëse them që ne vazhdimisht e kritikojmë dhe gjykojmë veten për çdo gabim apo çdo herë që nuk arrijmë atë që duam.  

Paradoksi qëndron në faktin se ne i gjiykojmë dhe nuk i pranojmë të tjerët ashtu siç janë por shumë më shumë gjykojmë veten tonë.

Po ju sjell një shembull: Supozojmë se ju dhe mikesha apo miku juaj jeni pak mbipeshë dhe fakti që jeni të shëndoshë ju bën që të kritikoni veten, të ndiheni keq me veten.

Dhe unë ju pyes: A do të mund të kritikonit apo gjykonit në të njëjtën mënyrë mikun tuaj që është edhe ai mbipeshë? E imagjinoni dot veten duke e bërë mikun tuaj të ndihet keq apo ta kritikoni sepse është i shëndoshë?

Sigurisht që nuk do ta bënit! Ju mund ta gjykoni personin në mendjen tuaj, por imagjinoni se sa shumë e kritikoni veten për të njëjtin problem. 

Sa dhimbje shpirtërore dhe emocione negative krijojmë në trupin tonë vetëm sepse e shohim veten dhe sjelljen tonë në publik në mënyrë thellësisht kritike.

Ne nuk jemi mësuar që të vlerësojmë apo përgëzojmë veten për arritjet tona sado të vogla, apo qoftë edhe kur vishemi bukur. Vlerësime të tilla nuk i kursejmë për miqtë dhe njerëzit tanë të dashur!

Atëherë, lind pyetja: Pse nuk e duam veten të paktën aq sa i duam të tjerët? Pse tregohemi kaq striktë me veten?

E kuptoj që vetë kritika është e shëndetshme dhe se reflektimi pas gabimeve apo çdo veprimi është i nevojshëm dhe i shëndetshëm, por kritika bëhet e dëmshme kur është e tepërt.

Praktikat e zhvillimit personal  si mirënjohja apo vetëvlerësimi (thënia e fjalëve vlerësuese vetes) na ndihmojmë që të dalim nga ky kurth i trurit tonë dhe të krijojmë një model të ri mendor dhe sjelljeje.

Që të vlerësoni më shumë veten, ju sugjeroj që të mbani një ditar mirënjohjeje ku të shkruani të gjitha sjelljet, veprimet apo ngjarjet që ju bëjnë krenar për veten dhe për të cilat ju e përgëzoni veten tuaj!

Filloni të kultivoni respektin për veten tuaj dhe të vlerësoni gjithçka që keni për momentin.