5 Qershor, 2019

Pse koha nuk mund të menaxhohet?

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Për shumicën e njerëzve, Koha nuk është një aleat, por një ‘armik’ që nuk pushon së rrjedhuri. Menaxhimi i vetes është një nga aftësitë më të rëndësishme për jetën, për ditët tuaja, për marrëdhëniet dhe karrierën.

Ju nuk mund ta menaxhoni kohën asnjëherë. Imagjinoni një situatë kur ju keni llogaritur të shkruani një projekt për një kohë të caktuar, le të themi për 3 orë brenda ditës. Ka shumë mundësi që ju të mos i qëndroni besnik planit tuaj sepse një punë e tillë kërkon kreativitet, kërkim materialesh, e proçese të tjera që ju nuk mund t’i llogarisni dot se sa kohë do t’ju marrin.

Ajo që mund të bëni është të përgatiteni sa më shumë dhe në mënyrë cilësore përpara se të uleni të shkruani projektin, ose të paktën të keni grumbulluar materialet që ju duhen. Ju nuk mund ta dini se sa kohë do t’ju marrë një punë sado e parëndësishme t’ju duket, prandaj nuk mund të pretendoni të ndani ditën apo kohën që keni në dispozicion në fragmente të shkurtra kohe.

Ju duhet të mendoni se si mund të përgatiteni sa më shumë që ato orë që ju vini në dispozicion për një projekt, të jenë sa më efiçente dhe produktive.

Krijimtaria, produktiviteti, ardhja e ideve të reja, forca fizike dhe gjendja emocionale dalin përtej kornizave të një orari që ju i përcaktoni vetes për të mbaruar një projekt. Ato janë elementë që nuk varen nga rrethanat tuaja të jashtme, por nga përgatitja paraprake, vullneti dhe këmbëngulja juaj për të përfunduar detyrat që ju janë dhënë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *