5 Qershor, 2019

Pse duhet të keni një plan për zhvillimin tuaj personal?

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Kur ne vijmë në jetë, jemi qeniet më kurioze në tokë. Jemi në eksplorim të vazhdueshëm dhe marrim kënaqësi sa herë shuajmë kuriozitetin. Kjo gjendje zbehet me kalimin e kohës dhe ne mjaftohemi me informacionet që na ofron shkolla apo rrethi ynë shoqëror.

Por, ashtu siç bimët kanë nevojë për ujitje dhe ushqim që të rriten, ashtu edhe njeriu ka nevojë për ushqime të ndryshme që të rritet fizikisht, mendërisht, shpirtërisht dhe emocionalisht. Eksperiencat e jetës, njerëzit me të cilët shoqërohemi dhe gjykimet që nxjerrim nga ajo çfarë përjetojmë dhe shohim na ndihmojnë që të rritemi por ekziston një mënyrë tjetër më pak rastësore, më e programuar rritjeje – një plan individual për rritje personale!

Ka shumë pak individë që tejkalojnë atë çka u ofron ambienti apo jeta e përditshme për t’u gjendur në një nivel më superior vetëdije – një gjendje ku personi vendos prioritetet e jetës dhe përcakton vetë fushat ku do të zhvillohet më tej dhe mëson sesi të bëjë një jetë të qëllimshme dhe më cilësore.

Një plan i qartë do të shërbejë si busull për t’ju orientuar në jetë edhe në momentet më të vështira të jetës tuaj, edhe atëherë kur duket sikur dielli nuk do të dalë kurrë dhe gjithçka ka mbaruar.

Warren Buffett ka një shprehje fantastike në lidhje me këtë: “Një budalla me një plan mund të fitojë kundrejt një gjeniu pa plan.”

Elementi më i rëndësishëm i një plani është APLIKIMI I PLANIT!!!

Artikull: Si mund të krijoni një plan për rritje personale?

Kam zgjedhur të ndaj me ju një nga fjalimet e Martin Luther King drejtuar komunitetit afro amerikan, ku ai thekson rëndësinë e të paturit një plan për jetën dhe vlerat kryesore që duhet të orientojnë jetën e një invidivi të lirë.

Martin Luther King, një nga figurat më të rëndësishme të shekullit të kaluar, iu desh të mbante një përgjegjësi të madhe mbi shpatulla. Ishte figura që iu desh të frymëzonte, inkurajonte dhe fuqizonte afro-amerikanët, një popullsi me një të shkuar skllavërimi të cilët tashmë po kërkonin të drejta të barabarta në një vend me shumicë të bardhësh që racizmin e kishin thellë të ngulitur në subkoshiencën e tyre.

Në një nga fjalimet e tij që u përcoll nga miliona shikues, Martin Luther King u dhuroi ndjekësve të tij një trashëgimi që vetëm një lider me përmasa botërore mund ta bënte: një skemë sesi ata të krijonin një plan për jetën e tyre.

“E para: Ju duhet të keni një plan të duhur dhe solid për jetën tuaj, një besim të thellë që ju vleni, që jeni dikushi dhe që keni dinjitet.

Mos lejoni askënd t’ju bëjë të ndiheni sikur jeni askushi. Gjithmonë ndihuni që ju vleni, që jeni dikushi dhe që jeta juaj ka rëndësi të madhe.

E dyta: Duhet të keni vendosmërinë që të arrini ekselencë në fushat tuaja të veprimtarisë.

Ndërkohë që jeta do vazhdojë, ju do të vendosni se çfarë do të bëni në këtë jetë, se cila do të jetë puna dhe kontributi juaj. Sapo ta keni zbuluar këtë gjë, vendosni që ta bëni dhe ta bëni shumë mirë.

Nëse nuk bëhesh dot një pemë, ji një pemë e vogël, nëse nuk bëhesh dot dielli, ji një yll, nuk ka rëndësi se sa i madh je, ji më i miri që mundesh të jesh.

E treta: përkushtim për principet e pavdekshme të bukurisë, dashurisë dhe drejtësisë.

Ne duhet të vazhdojmë të ecim, ne duhet të bëjmë përpara.

Nëse nuk fluturon dot, vrapo. Nëse nuk vrapon dot, ec. Nëse nuk ecën dot, zvarritu por në të gjitha rrethanat, ec përpara!

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *