Stoikët ishin ndjekës të një filozofie sipas së cilës individi duhej të mësonte si të kontrollonte mendjen dhe veprimet e tij, në mënyrë që të arrinte synimet që i kishte vënë vetes.

Marcus Aurelius, një nga përfaqësuesit më të njohur të kësaj doktrine, ishte i mendimit se ambicia e vërtetë nënkupton të jesh në konkurencë me veten tënde. Çfarë do të thotë kjo? E keni parasysh shprehjen “Shiko veten në pasqyrë; aty gjendet konkurenti yt më i madh”? Këtë nënkuptonin edhe stoikët si lifestyle.

Seneca, një nga nismëtarët e kësaj mënyre jetese konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë të kohës së tij. Ambicia e Senecës nuk nënkuptonte arritjen e famës apo parave për faktin se u bë një shkrimtar i famshëm, por perfeksionim i aftësive të tij si shkrimtar. Kjo është arsyeja pse Seneca u bë një shkrimtar i zoti, sepse ajo çka ai ishte sot duhej të bëhej më e mirë nga çfarë ishte dje.

Kjo pikëpamje mbi ambicien është një pikëpamje e shëndoshë dhe redukton pritshmëritë që individi mund të ketë për ambientin e jashtëm që e rrethon. Sigurisht, njohja dhe shpërblimi për punën që bën është e rëndësishme dhe motivuese, por mungesa  e këtij aspekti nuk duhet të sjellë demotivim dhe të na bëjë të heqim dorë.

Artikull i ngjashëm:  Kur talenti nuk vlerësohet – Historia e dhimbshme e Van Gogh