5 Qershor, 2019

Motivim për të ecur përpara

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Ndryshimi është i vështirë sepse dalja nga zona e rehatisë është një sfidë e madhe për mënyrën sesi është programuar truri ynë. Por ndryshimi nuk ka sesi të vijë nëse ne nuk e dijmë se ku duam të arrijmë dhe të vendosim qëllime të qarta për të arritur ku duam.

Shpesh kemi dëgjuar apo përjetuar raste kur kemi marrë kthesë tjetër në jetën tonë vetëm pasi kemi kaluar situata të vështira. Kjo është një sjellje e shpjegueshme edhe shkencërisht.

Psikologu evolucionist David Buss shprehet se pas të 20tave njerëzit mësojnë dhe ndryshojnë vetëm nga traumat masive që përjetojnë… Por, a është e nevojshme që të përjetojmë trauma masive që të ndryshojmë diçka në jetën tonë?

Mjafton të vendosim disa objektiva dhe të punojmë për arritjen e tyre… por të thënën me të bërën i ndan një det i tërë!

Shumica prej nesh për momentin jemi duke punuar në një projekt të rëndësishëm, prej të cilit presim që të përmirësojmë një ose disa aspekte të jetës sonë. Disa prej nesh (vetëm 3% e njerëzve i shkruajnë dhe i realizojnë qëllimet e tyre gjatë vitit) jemi duke punuar për arritjen e qëllimeve që i kemi vënë vetes në fillim të vitit apo në një periudhë tjetër.

Dhe kemi momente kur ngecim dhe duket sikur nuk po bëjmë progres…

Anglezët kanë një shprehje për momentet e vështira që hasim “When the going gets tough, the tough gets going” – që përkthehet – “Kur përballemi me kohë të vështira, janë njerëzit e fortë ata që ecin përpara”.

Duhet kurajo dhe konsistencë që t’i afrohemi sa më shumë destinacionit të dëshiruar.

Imagjinoni kënaqësinë që ndjeni kur arrini atë objektivin që vërtet do të përmirësojë jetën tuaj! Sa të çliruar dhe të fuqishëm do të ndjeheni në të njëjtën kohë! Çdo sakrificë ia vlen sepse shpërblimi është një frut i ëmbël.

Dale Carnegie thoshte: “Gjërat më të rëndësishme në këtë botë janë arritur nga ata individë që kanë vazhduar të përpiqen edhe kur dukej sikur nuk kishte më shpresë.”

Mos hiqni dorë sepse sado pak që të keni punuar për të arritur objektivin tuaj, edhe aq ndihmon dhe kjo tregon që keni bërë disa hapa përpara. Nëse nuk vazhdoni të ecni qoftë edhe me hapa të ngadaltë, a do mund të shkoni në destinacion?

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *