5 Qershor, 2019

Mënyra më e thjeshtë për të mbajtur ditar mirënjohjeje

nga Anila Bashllari

anila-bashllari

 

Mënyra më e thjeshtë dhe praktike për të mbajtur një ditar ku të shprehni mirënjohjen tuaj për gjithçka që ju ndodh është të mbani një bllok normal në çantën tuaj dhe të shkruani në të sa herë e ndjeni ju të nevojshme. Vërini një titull ditarit “Për mirënjohjen” ose një titull që juve ju pëlqen më shumë. Titulli do t’jua kujtojë pse ai ditar gjendet pranë jush dhe mund t’ju motivojë ta hapni dhe të shkruani në të. Mbaje diku që ta kapë syri. Nëse nuk doni të shkruani në bllok, mund të shkarkoni aplikacione për telefonin që janë krijuar posaçrisht për të mbajtur ditar në telefonin tuaj (mjafton të kërkoni me termin “diary” në appstore dhe do të shfaqen shumë opsione).

Krijo rutinën tënde

Nuk dua t’ju kushtëzoj me një sistem fiks të shkruari sepse nuk funksionon kështu! Mirënjohja nuk ka orare, por e shpreh kur e ndjen me zemër. Mbani një bllok të thjeshtë në të cilin mund të shkruani kur të ndiheni të frymëzuar. Mund të shkruani për vetëm 1 ose 3 minuta gjatë një momenti pushimi në zyrë, kur jeni vetëm ulur në kafe ose gjatë mbrëmjeve kur jeni duke pushuar.

Që të funksionojë si praktikë duhet mbajtur rregullisht. Çdo ditë. Por ju duhet të ‘krijoni’ një sistem që funksionon për ju dhe i përshtatet rutinës tuaj.  Sa herë të përjetoni momente mirënjohjeje, ju mund t’i hidhni reflektimet tuaja në bllokun tuaj (në këtë rast duhet mbajtur blloku me vete).

Filloni që tani

Do t’ju sugjeroja që të filloni të shkruani të paktën 3 gjëra çdo ditë në mbrëmje për të cilat ju jeni mirënjohës.Nëse nuk ju vjen asgjë ndërmend për të cilën ndiheni vërtet falenderues, shkruani mbi ngjarjen më pozitive që ju ka ndodhur gjatë javës dhe falenderoni Zotin, veten apo njerëzit që ishin pjesë e ngjarjes. Një buzëqeshje e sinqertë nga dikush, një takim rastësor që ju bëri të ndiheni mirë, një kompliment nga njerëzit tuaj të afërm, e të tjera si këto.

(Nëse doni të shkruani çdo ditë në bllokun e mirënjohjes, mund të lexoni artikullin ‘Çdo Ditë Një Faleminderit’)

Shkruani me zemër të hapur, me fjalë zemre dhe mendimet tuaja më të sinqerta, që mirënjohja juaj të mos jetë thjesht rrëfim por një eksperiencë ku ju shkruani, falenderoni dhe ndjeni mirënjohje në zemrën tuaj.

Si funksionon ditari i mirënjohjes për mua?

Unë e kam trajnuar veten që të shpreh mirënjohjen time gati çdo ditë sepse ndihem vërtet falenderuese, jo sepse është diçka që duhet ta bëj apo sepse e di që më jep kënaqësi dhe më bën të ndihem mirë.

Nëse unë falenderoj diçka apo dikë në bllokun tim, e bëj kur vërtet ndihem falenderuese, jo sepse duhet të shkruaj në bllok. Kultivimi i kësaj praktike është rezultat i një eksperience disa vjeçare e cila më ka ndihmuar ta shoh më qartë dhe ta kutjoj e vlerësoj në çdo moment dashurinë dhe mirësinë që më rrethon.  Unë shkruaj çdo ditë në bllokun tim por kjo nuk është e thënë të funksionojë edhe për ju. Shkruani atëherë kur e ndjeni se duhet të shkruani.

Foto nga ditari im:

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *